Lëvizja Vetëvendosje as nuk e mbështet e as nuk do të jetë pjesë e një Qeverie e cila nuk e shfuqizon marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.
Përderisa ndërkombëtarët vazhdojnë të insistojnë në implementimin e marrëveshjes së arritur më 19 prill të vitit të kaluar në Bruksel, Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur edhe një kusht drejt bllokut opozitar (LDK-AAK-NISMA), që synon ta marrë në dorë ekzekutivin e ardhshëm.
Visar Ymeri ka thënë për Radio Dukagjinin se subjekti i tyre nuk e përkrah e as nuk bëhet pjesë e një Qeverie që nuk e shfuqizon marrëveshjen e 19 prillit, që përfshinë edhe krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.
“Parimet që i kemi caktuar ne e prekin edhe marrëveshjen e 19 prillit dhe krijimin e Asociacionit. Përndryshe Lëvizja nuk mund ta përkrah qeverinë e re”, thotë ai.
Pezullimi i vendimit për krijimin e Asociacionit nuk është kërkesa e vetme e Vetëvendosjes për ekzekutivin e ri. Këta po kërkojnë që të shfuqizohet në tërësi marrëveshja e arritur në Bruksel, si dhe të ndryshojë forma e dialogimit me palën serbe.
“Në diskutimet me subjektet tjera për mundësinë e krijimit të qeverisë me AAK-LDK-Nisma, ne kemi thënë që duhet të ndryshojë edhe karakteri e edhe formati e dialogut, si dhe në anën tjetër duhet që kjo marrëveshje të mos zbatohet. Ne kemi propozuar që ta dërgojmë në Komisionin e Venedikut në mënyrë që ta vlerësojmë përputhshmërinë e kësaj marrëveshjeje edhe me Kushtetutën e vendit, por edhe me standardet dhe të drejtat universale të njeriut”.
Ymeri e ka arsyetuar këtë qëndrim me dëmet që, sipas tij, do t’i bëheshin vendit me themelimin e këtij Asociacioni. Ai ka thënë se krijimi I kësaj bashkësie do ta qonte Kosovën drejt bosnjëzimit.
“Ky asociacion nuk bën të themelohet për shkak se e shohim si një prej Asociacioneve në rrugëtimin e Kosovës drejt bosnjëzimit. Kjo ndarje e Kosovës, e cila thellohet, konkretizohet e formalizohet përmes Asociacionit. Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme për vendin, sepse do ta pamundësojë shtetndërtimin. Pra, krijimin e një demokracie të mirëfilltë, si dhe do ta pamundësojë funksionalizimin e Kosovës si një shtet me territor unik”.
Ndryshe, është paralajmëruar që Asociacioni I Komunave Serbe në Kosovë do të themelohet më 1 shtator të këtij viti. /Radio Dukagjini/