Vetëvendosje kërkon të zbardhet vdekja e Dino Asanajt

0
687

Lëvizja Vetëvendosje kërkoi të mërkurën të zbardhet vdekja e drejtorit të Bordit të Agjencisë kosovare të privatizimit, Dino Asanaj, ndërsa lidhur me këtë çështje, Vetëvendosje do t’i shkruajë edhe zyrtarëve amerikanë.

Sipas një komunikate të Vetëvendosjes, duke ditur ndjeshmërinë e postit të tij, afërsinë me politikanë, aferat e shumëpërfolura të shpronësimit të popullit të Kosovës për përfitime private dhe akuzat e muajve të fundit hapën shumë rrugë për spekulime, pyetje dhe drejtime gishtash, mirëpo gjithmonë me frikën se diçka e tillë mund të ndodhë në Kosovë për çfarëdo arsye.

“Nga lajmërimet e gazetarëve nga Qendra Klinike Universitare ku së paku kuptohej gjendja dhe plagët e të ndjerit, përnjëherë u kalua në një terr informativ që filloi të duket si një përmbyllje e shpejtë e rastit e që për pasojë kishte frikësimin e mëtutjeshëm të qytetarëve, mosbesimin në institucione, kësaj radhe përfshi këtu edhe institucionet shëndetësore e deri të mosbesimi se institucionet e rendit dhe ligjit në Kosovë si shumë herë më parë nuk do të arrijnë të zbardhin këtë krim të mundshëm”, thuhet në kumtesë.

“Për të shtuar rrugët e spekulimeve, Dino Asanaj u varros menjëherë të nesërmen me një nguti të paparë në raste të tilla jo vetëm në Kosovë, për të shtuar pyetjet dhe dyshimet e qytetarëve mbi arsyet e vërteta të këtij krimi dhe prapaskenave të mundshme të (vetë)vrasjes se Asanajt”, vlerëson Vetëvendosje.

Sipas VV, një konsultim i thjeshtë me ekspertë të pavarur gjyqësorë dhe mjekësorë tregon se në raste të tilla të një vdekje misterioze pas 11 plagëve me thikë, pas ndërrimit të duarve me të cilin është goditur viktima, pas gjetjes së barnave në tavolinën e tij, tregon se obduksioni, hetimi dhe analiza e rrethanave (raportet toksikologjike etj.) do të kërkonin shumë më shumë kohë para se i ndjeri të varrosej.

“Kështu qytetarët dhe populli i Kosovës vazhdojnë të ballafaqohen me pyetje dhe frikë edhe më shumë se më herët. Vazhdojnë të ngrenë mosbesimin në institucionet e Republikës së Kosovës për t’u marrë me ligj dhe drejtësi. Kësaj radhe vetëm duke iu shtuar akterët dhe institucionet për të përmbyll edhe një rast të madh të krimit të mundshëm që mund të ndodhë në mes të ditës në cilindo qytet të Kosovës. Për të forcuar shtetin e Kosovës, sundimin e rendit dhe ligjit, lëvizja Vetëvendosje ! kërkon transparencë në zbardhjen e rastit të vdekjes së Dino Asanaj. Meqenëse tanimë është lëkundur edhe besimi në institucionet e mjekësisë ligjore, dhe meqenëse Dino Asanaj ishte edhe shtetas amerikan, kërkojmë që ekspertë të pavarur të mjekësisë ligjore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të bëjnë një vlerësim të pavarur të rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së Dino Asanajt”, thuhet në kumtesën e Vetëvendosjes.

Këtë kumtesë, Vetëvendosje njofton se do t’ia dërgojë edhe zyrtarëve të shtetit amerikan, përfshirë këtu edhe disa kongresistë e senatorë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu