Vetëvendosje!: kjo është Drejtësia sipas PDK-së dhe EULEX-it!

0
738

EULEK-si

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate ka thënë se me shqetësim të thellë po e përcjellë komplotin e publikuar sot në media se PDK dhe misioni i BE-së në Kosovë kanë diskutuar dhe kanë tentuar ta dënojnë Fatmir Limajn dhe nëntë të akuzuar të tjerë duke ndërhyrë në organet gjyqësore. Në vijim reagimi i VV!:

Lëvizja VETËVENDOSJE! me shqetësim të thellë po e përcjellë komplotin e publikuar sot në media se PDK dhe misioni i BE-së në Kosovë kanë diskutuar dhe kanë tentuar ta dënojnë Fatmir Limajn dhe nëntë të akuzuar të tjerë duke ndërhyrë në organet gjyqësore.

Bashkëpunëtor i PDK-së dhe Thaçit në këtë komplot paska qenë hiç më pak se ish shefi i EULEX-it në Kosovë, Berndt Borchardt dhe zyrtarë të tjerë të Brukselit. Derisa Manuel Soares gjyqtar i këtij misioni njëherësh Kryetar Kolegji kishte garantuar dënimin e Fatmir Limajt. Pra, në drejtësinë e politizuar dënimi i paraprinë gjykimit.

Kjo ndërhyrje ka pasur dy qëllime: Të njolloset lufta çlirimtare e UÇK-së duke u dënuar 10 luftëtarë për krime lufte dhe të eliminohet njëri prej kundërshtarëve politik të Hashim Thaçit, eliminimi i të cilit do të kishte për rrjedhojë prishjen e koalicionit disapartiak të shumicës parlamentare asokohe, i cili ia rrezikonte pushtetin PDK-së.

Krahas aferave të korrupsionit në EULEX ky komplot e shpërfaq se sa gjerë dhe sa thellë është i kapur gjyqësori në Kosovë dhe ndihmën që persona të caktuar ndërkombëtar me pushtet ekzekutiv në Kosovë dhe imunitet para ligjit i kanë dhënë kësaj kapjeje. Janë po këto ndërhyrje politike në gjyqësor ato që e kanë shndërruar gjyqësorin në një sistem padrejtësie në shërbim të një grupi të vogël njerëzish.

Për më tepër, ky komplot edhe njëherë po e zbardh faktin se faktorë të caktuar ndërkombëtarë në Kosovë, shërbehen nëpërmjet misioneve të veta për t’i sjellë shërbëtorët e vet në pushtet dhe t’ua ruajë atyre pushtetin duke ua eliminuar kundërshtarët politikë, pa e pasur fare brengë dëmin që këta pushtetarë ia sjellin Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Kjo tregon edhe një herë se sa i rrezikshëm është ky pushtet në shërbim të interesave të huaja të cilat, fatin e aktorëve politikë në Kosovë si dhe vendin në përgjithësi e përdorin si monedhë kusuritjeje për akomodimin e interesave të tyre gjeopolitikë e financiarë.

Kur të merret parasysh që të njëjtët po avokojnë edhe për themelimin e Gjykatës Speciale për Kosovën atëherë edhe mund të merret me mend se çfarë “drejtësie” e pret Kosovën. Dhe, tash që e morëm vesh se çfarë kishin gatuar për Fatmir Limajn shtrohet pyetja se a thua çfarë hëngri Isa Mustafa kur u prish VLAN-i?

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu