“Vetëvendosje” Letra drejtuar Baroneshës C.Ashton

0
842

Lëvizja VETËVENDOSJE! nëpërmjet një letre dërguar Zëvendëskryetares së
Komisionit Evropian dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian
për Punë të Jashtme dhe Siguri, Baroneshës Catherine Ashton, ka
kundërshtuar emërimin e kolonelit të xhandarmërisë rumune Marian
Petre, Shef të Departamentit të Policisë Speciale të EULEX-it.

Baroneshës Ashton i është kërkuar që të anulohet emërimi i kolonelit
Marian Petre, për arsye se qeveria rumune që është përgjegjëse për
vrasjen e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt si dhe 80 demonstruesve
paqësorë më 10 shkurt 2007, është po ajo që e ka deleguar kolonelin
Petre. Kjo qeveri ende nuk ka treguar gatishmëri që të bashkëpunojë me
drejtësinë ndërkombëtare për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit
për intervenimin e dhunshëm gjatë demonstratës paqësore “Për
vetëvendosje dhe kundër planit të Ahtisaarit” të 10 shkurtit 2007 të
organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Baroneshës Ashton me këtë letër i është shprehur edhe një herë
qëndrimi kundërshtues i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ndaj EULEX-it si mision
antidemokratik dhe me qëndrim neutral karshi pavarësisë së Kosovës.

Baronesha Catherine Ashton Zëvendëskryetare e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri Komisioni Evropian
B-1049 Bruksel
Belgjikë

26 prill 2011

E nderuara Baroneshë Ashton
Ju drejtohemi me këtë letër për ta kundërshtuar emërimin e paralajmeruar të kolonelit Marian Petre, një përfaqësuesi të xhandarmërisë rumune, si Shef të Departamentit të Policisë Speciale në EULEX. Koloneli Petre është deleguar nga qeveria rumune, të cilën ne e mbajmë përgjegjëse, si edhe UNMIK-un, për vrasjen e dy qytetarëve të Kosovës, Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, dhe për plagosjen e mbi 80 demonstruesve të tjerë paqësorë, më 10 shkurt 2007. Që nga vdekja e tyre qeveria rumune nuk ka shprehur asnjëherë keqardhje për vrasjet e kryera nga njësia e policisë së saj speciale në Kosovë. Përveç raporteve për një hetim të brendshëm ushtarak, populli i Kosovës nuk ka njohuri se qeveria rumune i ka vënë këta policë para drejtësisë për krimet e tyre kundër civilëve të pafajshëm, që kishin demonstruar për të drejtën e vetëvendosjes dhe kundër Planit të Ahtisaarit. Ç’është e vërteta, asnjë zyrtar i OKB-së ose rumun nuk është vënë para përgjegjësisë për këto krime nga ndonjë gjykatë. Prandaj, emërimi i një përfaqësuesi të forcave të policisë rumune për të drejtuar policinë speciale të EULEX-it paraqet një fyerje të rëndë për popullin e Kosovës, dhe mbi të gjitha, për familjet e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt.
Siç jeni në dijeni, Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka kundërshtuar vazhdimisht praninë e EULEX-it në Kosovë, sepse ai është i papërgjegjshëm para popullit të Kosovës, duke i shkelur kështu të drejtat e tij demokratike dhe sovranitetin e Kuvendit të saj, dhe e definon misionin e vet si “neutral ndaj statusit” karshi pavarësisë së Kosovës. Derisa kreu i misionit të EULEX-it është përgjegjës për veprime disiplinore ndaj personelit të EULEX-it, në këtë rast është vendi i tyre, Rumania, ajo që mban të drejtën për ndërmarrjen e çfarëdo veprimi ndaj personelit që ka deleguar. BE-ja është duke kërkuar nga ne që të kemi besim tek një zyrtar që i jep llogari vetëm Qeverisë rumune. Ne kemi përvojë të hidhur me këtë lloj llogaridhënieje. Për më tepër, BE-ja ka emëruar si shef të policisë speciale të EULEX-it një përfaqësues të një prej pesë shteteve anëtare të BE-së që as nuk e njohin pavarësinë tonë.
Prandaj kërkojmë që të revokohet emërimi i kolonelit Marian Petre. Gjithashtu, ne kërkojmë që në vend të pranimit të policëve të Rumanisë në misionin EULEX, BE duhet të kërkojë nga Rumania që të bashkëpunojë me Kombet e Bashkuara në një hetim të pavarur dhe transparent të krimeve të kryera më 10 shkurt 2007, dhe në gjykimin e policëve specialë që janë autorë të këtyre krimeve.

Albin Kurti

Në emër të Grupit Parlamentar dhe aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Lëvizja VETËVENDOSJE!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu