Vetëvendosje: Lëvizja për Bashkim nuk ka parime

0
708

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka mbetur me dy deputetë më pak. Agim Kuleta dhe Aurora Bakalli, anëtarë të Lëvizjes për Bashkim, kanë braktisur Grupin e Albin Kurtit në Parlament. Të dy lëvizjet do të japin të martën qëndrimet për ndarjen mes tyre. Zyrtarë të Vetëvendosjes nuk besojnë se ka edhe deputetë të tjerë që do të largohen nga kampi i tyre.

Akuzave të Lëvizjes për Bashkim për shpërdorim të parasë publike, Lëvizja Vetëvendosje u është kundërpërgjigjur me akuza. Drejtuesit e Vetëvendosjes kanë deklaruar të martën se vetë kërkesa e kryetarit të LB-së Avni Klinaku për ndarjen e mjeteve financiare, është tentim për shpërdorim të parasë publike.

Sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Mulliqaj e ka parë si shqetësues faktin që dy deputetët e Lëvizjes për Bashkim dalin nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje për arsye financiare pikërisht në një situatë të tillë politike në të cilën gjendet Kosova.

Shqetësim tjetër për Vetëvendosjen, sipas Mulliqajt, është se në deklaratën e Lëvizjes për Bashkim dhe në akuzat e drejtuara Vetëvendosjes ka shumë të pavërteta dhe shpifje.

Sidoqoftë, Mulliqaj ka thënë se largimi i dy deputetëve të LB-së nuk e ka dëmtuar aspak Vetëvendosjen, por ka nxjerrë në pah mashtrimin që sipas tij, LB-ja ia ka bërë elektoratit të saj.

“Lëvizja Vetëvendosje është subjekt i cili gjithnjë e më shumë po organizohet, po fuqizohet dhe është e vetmja opozitë e fuqishme në Kosovë. Kështu që krejt ajo çka ka ndodhur është se ata e kanë rrejt kushtimisht elektoratin e tyre, e kanë manipuluar dhe po ashtu kanë tentuar që Vetëvendosjen ta njollosin për shpërdorim të parasë publike, kur dihet se Vetëvendosja është i vetmi subjekt që ka bërë më së shumti angazhim publik për ta menaxhuar sa më drejt paranë publike që po keqpërdoret gjithnjë e më shumë, dhe kanë deklaruar se janë vet ata të cilët po bëjnë kërkesa për shpërdorim të parasë publike”, ka thënë Mulliqaj.

Duke iu referuar Ligjit për financimin e partive politike, Mulliqaj ka thënë se në fakt, kërkesa e Lëvizjes për Bashkim është kërkesë për shpërdorim të parasë publike.

Neni 9 pika 1 e këtij ligji, që flet për financimin e aktiviteteve të rregullta të subjektit politik, sipas Mulliqajt, përcakton që mjetet nga fondet për mbështetjen e subjekteve politike ndahen në mes të subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend në bazë të numrit të ulëseve për atë mandat dhe nëse një deputet vendos që të largohet nga subjekti politik, ku ka fituar mandatin nuk do t’i barten mjetet financiare të ndara nga fondi për atë mandat, por fondet do t’i mbesin subjektit politik.

Mulliqaj ka theksuar se duke e pasur parasysh faktin se Vetëvendosje nuk ka koalicion zyrtar dhe ndarja e fondeve për LB-në ishte joligjore dhe shpërdorim i parasë, atëherë mosndarja e mjeteve është respektim i ligjit dhe respektim i parasë publike.

Ai nuk ka dashur të komentojë nëse ka pasur edhe arsye të tjera që kanë shtyrë largimin e dy deputetëve të Lëvizjes për Bashkim nga Lëvizja Vetëvendosje, por ka thënë se ky largim nuk është parimor dhe i sinqertë as me Vetëvendosjen as me elektoratin e Lëvizjes për Bashkim.

“Nuk e di, dhe tash nuk dua të hy në teoritë konspirative të tyre, cilado që jetë edhe diçka tjetër, por edhe kjo që ata e kanë deklaruar, të dyja janë shqetësuese, duke pasur parasysh që të gjithë ata njerëz që e kanë votuar Lëvizjen Vetëvendosje e bashkë me të edhe Lëvizjen për Bashkim, e kanë votuar duke besuar se këtu ka parime dhe ka sinqeritet. Krejt kjo çfarë ka bërë Lëvizja për Bashkim dëshmon se as nuk ka parime ai subjekt e as nuk ka sinqeritet në elektoratin e tyre. Kështu që çfarëdo paragjykimi i tanishëm mund të jetë i rrezikshëm, por nuk ka shenja se ka diçka parimore dhe të sinqertë qoftë me neve qoftë me elektoratin e tyre”, është shprehur Mulliqaj.

Dy deputetët e Lëvizjes për Bashkim, Aurora Bakalli dhe Agim Kuleta, zyrtarisht kanë dalë nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, pas mospajtimeve të vazhdueshme që kanë kulmuar me refuzimin për ndarjen e mjeteve buxhetore, që sipas drejtuesit të LB-së, i takojnë këtij subjekti që përfaqësohet me dy deputetë në Kuvendin e Kosovës. Nga 14 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje tani përfaqësohet me 12 deputetë në Kuvend.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu