Vetëvendosje: Rreziku vjen nga Gjykata Kushtetuese

0
688

VV

Lëvizja Vetëvendosje, aktvendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për kërkesën e Avokatit të Popullit, ku u kërkua shqyrtimi i emërimit nga Presidentja të Gjyqtarëve ndërkombëtar pa vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e ka quajtur copëtim i ri i autoritetit të kësaj Gjykate dhe themelit demokratik të Republikës.

Lëvizja Vetëvendosje, këtë e ka deklaruar përmes një komunikate për media, ku pos të tjerash, po ashtu shkruante se nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese shpallë një kërkesë si të papranueshme por njëkohësisht e trajton themelin e lëndës së parashtruar.

Por mund të themi se është hera e parë kur në kundërshtim edhe me Rregulloren e Punës, gjyqtarët ndërkombëtar që janë vetë çështja në shqyrtim as nuk kanë kërkuar përjashtimin e tyre nga gjykimi i kësaj lënde. Ndërsa, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese as formalisht nuk kujdeset më për ruajtjen paanshmërisë së kësaj gjykate.

“Kjo padrejtësi e re e materializuar në një Aktvendim kontradiktor si ky, është e vërteta lakuriqe e praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese. Në njërën anë e shpallë të papranueshme kërkesën Avokatit të Popullit si të pabazë, e në anën tjetër konfirmon kushtetutshmërinë e dekretit të Presidencës. Njëherë flet për precedentin lidhur me indiferencën dhe shpalljen e vetes si jokompetente për vlerësimin e marrëveshjes me Serbinë, në anën tjetër bënë vlerësimin e letërkëmbimit në mes të BE-së dhe Kosovës duke e cilësuar atë si marrëveshje ndërkombëtare sipas Konventës së Vjenës mbi të drejtën e traktateve. Ndërkohë që konstaton se parashtruesi, pra, Avokati i Popullit, nuk e ka mbështetur pretendimin e tij dhe nuk ka provuar se Dekreti i Presidentes është jokushtetues, në pikën 47 të Aktvendimit konstaton se Dekreti i Presidentes është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës”, thuhet në këtë komunikatë.

Sipas tyre kontradiktat në këtë aktvendim janë në fakt e vërteta e përbërjes të kësaj Gjykate, ku themelimi i saj ka qenë një kompromis jo i shoqërisë por i administratës ndërkombëtare dhe se zhvillimi i saj ka qenë i bazuar në një Kushtetutë që nuk u miratua e nuk buroi nga populli i Kosovës, por kanë qenë të bazuara në klanet e qeverisëse të pas pavarësisë e anëtarët e rinj të saj kanë qenë rezultat i manovrave të grupit parlamentar të PDK-së.

“Ritheksojmë se Aktvendimet e kësaj përbërje gjyqtarësh të Gjykatës Kushtetuese me albinë formale të respektimit të normës kushtetuese së Republikës së Kosovës, janë të padrejta, të palogjikshme, shpesh të pazbatueshme dhe mbi të gjitha të dëmshme për kohën kur janë dhënë dhe në mënyrën se si kanë ndërhyrë në zhvillimet institucionale, politike e shoqërore.Ato janë shprehje e një devijimi themelor të burimit të së drejtës që është sovrani, pra populli i Kosovës. Ndaj papajtueshmëria me këto Aktvendime nuk është mosrespektim i Republikës, përkundrazi jo në pak raste është shpëtimi i Republikës nga rreziku i gjykimit gjoja kushtetues”, thuhet në komunikatën e këtij subjekti politik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu