“Vetëvendosje” shpall politikanët e vitit!

0
689

Aktivistët e Lëvizjes “Vetëvendosje” të enjten kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me drejtuesit e Qeverisë së Kosovës, duke publikuar deklarata të tre udhëheqësve të ekzekutivit, të cilat sipas tyre, kurrë nuk janë bërë realitet. Nëpërmjet afisheve të vendosura përballë ndërtesës së qeverisë, ata kanë shpallur tre politikanët e vitit që kanë dhënë deklarata “bombastike” por që nuk u janë përmbajtur më pas.

I pari në këtë radhitje është vendosur ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i dyti, kryeministri Hashim Thaçi, dhe e treta, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri.

Pranë fotos së Rexhepit janë dhënë deklaratat e tij për largimin e targave të vjetra të automjeteve, të cilat vazhdojnë të jenë të pranishme në Kosovë; pranë fotos së kryeministrit Thaçi u vendosën ato për sovranitet të plotë, përkundër gjendjes në veri; dhe të zëvendëskryeministres Tahiri ato për zhbërjen e strukturave paralele në Kosovë pas datës 1 nëntor, e që sipas “Vetëvendosjes” nuk ka ndodhur.

Aktivisti i kësaj lëvizje, Frashër Krasniqi, ka thënë se me afishet e ngjitura në të gjitha komunat e Kosovës pretendohet të tërhiqet vëmendja për atë që pushteti në Kosovë nuk është i bazuar në të vërtetën, në sinqeritetin dhe të mirën e përgjithshme të qytetarëve të Kosovës, por, krejtësisht në të kundërtën e kësaj.

“Sot prezenca e Hashim Thaçit në krye të qeverisë, prezenca e kësaj qeverie në pushtet nuk është dëshmi e sinqeritetit të tyre, nuk është dëshmi e punës së tyre të palodhshme për të mirën e Kosovës, por është zotësi e tyre në manipulim, për të gënjyer qytetarin e Kosovës dhe për ta manipuluar opinionin publik”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur disa nga deklaratat e qeveritarëve të cilat sipas tij kurrë nuk janë bërë realitet.

“Neve na kujtohet se si, njëri nga ministrat më të papërgjegjshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili i fyen përditë qytetarët e Kosovës, madje edhe ata që janë në rrezik të përditshëm na patë deklaruar që në janar të vitit 2011 qysh në Kosovë nuk do të lejohen më tabelat e regjistrimit të shtetit të Serbisë. Në të njërën mënyrë zëvendëskryeministra e Kosovës Edita Tahiri na patë deklaruar se me 1 nëntor do të shuhen strukturat paralele dhe ligji do të vlejë në gjithë territorin e Kosovës, ndërsa kryemashtruesi i kësaj qeverie, Hashim Thaçi ka kohë që i gënjen qytetarët e Kosovës që prej një kohe të gjatë, që prej qeverisë Thaçi 1”, ka thënë ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu