Vetëvendosjen nuk e duan për koalicion

0
691

(E plotësuar)Forcat politike në vend kanë filluar ta “shtrëngojnë rripin” për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, por që nuk kanë “vija të kuqe” për asnjë kandidat në rast se do të shkohet në balotazh, në përjashtim të “Vetëvendosjes”, e cila deklarohet se nuk do të hyjë në koalicion me partitë që kanë qeverisur nga periudha e pasluftës.

Secili subjekt politik synon që në raundin e parë t’i fitojë zgjedhjet, por që gara dhe koalicionet do të vijnë në shprehje në ato komuna që do të shkohet në balotazh.

Koalicionet eventuale do të ndryshojnë nga ai qendror. Partia e kryeministrit Hashim Thaçi dhe ajo e Behxhet Pacollit, të cilat janë në koalicion qeverisës në nivelin qendror nuk do ta mbështesin njëra-tjetrën edhe në nivelin lokal.

Qysh tani PDK-ja dhe AAK-ja janë pajtuar që në raste të balotazhit në komunën e Gjakovës, atëherë partia e Thaçit është pajtuar që t’ia zgjasë “dorën” kandidatit të AAK-së, Pal Lekajt dhe jo Mimoza Kusarit që është pjesë e kabinetit qeveritar të Thaçit. Vetë Lekaj është i bindur se do të fitojë zgjedhjet që në rundin e parë, por thotë se në rast balotazhi, atëherë do të këtë mbështetjen e elektoratit të PDK-së.

Ndërkaq, kandidati i PDK-së nga Gjilani, Qemajl Mustafa, thotë se në rast se do të shkojë në balotazh, atëherë do ta ketë mbështetjen e elektoratit të AAK-së dhe AKR-së kundruall kandidatit të LDK-së, Lutfi Hazirit.

Vetë Mustafa ka thënë se partia e tij është afër me AAK-në si nga koncepti ashtu edhe nga e kaluara. “PDK-AAK dhe AKR do të jenë partitë që do të udhëheqin me Komunën e Gjilanit në mandatin e ardhshëm katërvjeçar. “Luftën” po e bëjmë karshi të gjithë kandidatëve, me qëllim që të mos ketë nevojë të shkohet fare në balotazh, por që në rast se do të shkohet atëherë marrëveshja do të jetë me AAK-në dhe AKR-në. Nuk është se i frikësohem kandidatit të LDK-së, Lufti Hazirit, sepse ai ka qenë dikur kryetar i Gjilanit, si djalë i ri dhe rezultatet e tij kanë qenë minore, prandaj edhe s’do të mund të fitojë. Por, po them se nga ky proces zgjedhor do të dal si nusja që del ditën e grave me çejz, me projekte të llojllojshme që janë të prekshme për secilin qytetar të këtushëm, derisa Lutfiu do të jetë si nusja pa çejz, i cili s’ka arritur të realizojë projekte dhe as tash s’ka projekte”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa.

E ky i fundit ka përjashtuar çdo mundësi që të bëjë koalicion parazgjedhor ose paszgjedhor me “Vetëvendosjen”. “Me këtë parti s’kemi asgjë të përbashkët as në projektin politik dhe as atë zhvillimor. Ata dinë vetëm të të fyejnë dhe diskreditojnë dhe asgjë tjetër, duke rrejt gjithë ditën”, ka thënë Mustafa. Por, që edhe partia e Kurtit e ka përjashtuar nga koalicioni PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe AKR-në.

“Vetëvendosja nuk do të mund të bëjë koalicion me partitë që kanë qeverisur pas luftës, siç janë PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe AKR-ja, pasi që programet tona nuk përputhen askund me programet e tyre, ndërsa me partitë e tjera jemi të hapur edhe pse nuk kemi ndonjë diskutim konkret”, ka thënë Erzen Vraniqi i “Vetëvendosjes”.

E në anën tjetër, kryetari aktual i Pejës, Ali Berisha, pretendon që pa balotazh ta marrë edhe një mandat tjetër, por thotë se në rast se do të shkohet në balotazh, atëherë nuk ka vija të kuqe për asnjërën nga partitë politike. “Ne jemi të hapur me të gjitha partitë politike, por që mekanizmat e koalicionit do të vijnë në shprehje tek pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit”, ka thënë Berisha.

Gazeta ka bërë përpjekje që të kontaktojë Lutfi Hazirin, kandidat i LDK-së për Gjilanin dhe Eqrem Kryeziun për Prizrenin, por kontakti ka qenë i pamundur.

E për analistin politik, Halil Matoshi, koalicionet parazgjedhore do të vijnë në shprehje vetëm në komunat më të vogla, ku praktikisht janë të balancuara fuqitë politike, PDK AAK dhe AKR. Sipas tij, nëse PDK dhe LDK do të shkojnë në balotazh në Komunën e Gjilanit dhe Prizrenit, atëherë AAK-ja e Ramush Haradinajt do ta mbështesë partinë e Hashim Thaçit.

E si problematike e sheh Komunën e Prishtinës, që siç tha Matoshi, nuk pritet të ketë koalicione, pasi që secili subjekt politik synon ta marrë udhëheqjen e kryeqendrës.

Sidoqoftë, derisa zgjedhjet e 3 nëntorit po ofrohen, asnjëra nga partitë politike nuk janë deklaruar në favor të koalicione parazgjedhore, duke thënë se do të hyjnë në garë si të vetme, ndërkaq në raundin e dytë do të vijnë në shprehje koalicionet në mes tyre.

 

Nga: Lumturie Blakaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu