Viagra e Sali Berishës, Nacionalizmi

0
671

Përse SHBA barazon Berishën me Spahiun?

Ambasadori Arvizu ka mbajtur ndoshta fjalimin më të qartë në karrierën e tij në Tiranë. Me një gjuhë të thjeshtë dhe fjali të sigurta, dënoi ashpër retorikën nacionaliste të Berishës, që siç tha ai, u ngjall në prag të festimeve të 100 vjetorit, dhe gjestin e fundit të Kreshnik Spahiut për referendumin lidhur me mundësinë e bashkimit kombëtar Shqipëri- Kosovë. Fjalimi ishte paralajmëruar nga deklarata të zyrtarëve të Departamentit të Shtetit dhe pasoi deklarata të ngjashme nga Bashkimi Evropian.

Po ku është e veçanta e këtij qëndrimi për politikën e brendshme në Shqipëri?

SHBA dhe vetë ambasadori Arvizu ka qenë i kujdeseshem dhe i vëmendshëm qe nga lindja dhe rritjea e Aleancës Kuqezi në Tiranë. Ai e çoi Kreshnik Spahiun në Uashington, e ftoi atë së bashku me kolonelin Pashaj në parlamentin e Shqipërisë, kundër vullnetit të Berishës, gjatë vizitës së zonjës Klinton dhe ka bërë deklarata pozitive për të në opinion duke iu referuar atdhedashurisë dhe rritjes së krenarisë kombëtare.

Por e gjithë kjo klimë miqësore e tij ndaj Kuqezinjve shqiptarë, duket se e trembi dhe nxiti njëkohësisht Berishën të hidhej në truallin e nacionalizmit, duke e parë jo vetëm si një trend të ri elektoral që mund t’i zhvaste atij një copë të mirë nga pjesa e vet, por dhe si një rast për ta testuar ndoshta mbështetje të ngjashme amerikane në këtë pikë si Kuqezinjtë e Spahiut. Dhe Berisha hyri në këtë histori si elefanti në një dyqan qelqurinash, duke thyer të gjitha rregullat dhe duke alarmuar gjithkënd. Ai foli për Shqipëri etnike në Shkup, për arkitektë të saj, të cilët shpeshherë i bënte lëmsh, pastaj për kufijtë e Shqipërisë Osmane nga Preveza në Nish, pastaj për shtetësi për 10 milion shtetas dhe përfundoi aje ku i dhemb realisht, për shtetësi për nja 50 mijë kosovarë që kanë hyrje- dalje në Shqipëri.

Brutaliteti me të cilin Berisha hyri në këtë fushë, natyrisht që rriti jo vetëm tensionin e fqinjëve, por mbi të gjitha vëmendjen e SHBA dhe Bashkimit Evropian, të cilët shikojnë tek ai një lider të paparashikueshëm. Kjo detyroi menjëherë Brukselin dhe tashmë fare qartë Uashingtonin të bëjnë deklarata të qarta kundër retorikës nacionaliste në vend.

Adresimi i tyre është realisht për Berishën, jo vetëm pse ai është i paparashikueshëm për ta, por se është mbi të gjitha kryeministër dhe ka një potencial të madh politik që mund ta vërë në lëvizje të qëllimeve të tilla. Për ta goditur më shumë Berishën, biles për ta zvogëluar atë, ata po e krahasojnë me kuqezinjtë shqiptarë, një parti politike populiste, por ende pa një rezultat të parë elektoral. Duke barazuar Berishën me Spahiun, Perëndimi mes të tjerash po tenton ta denigrojë Berishën dhe ta klasifikojë tek komunitetet politike populiste në vend. Derisa nacionalizmi dhe retorika ndonjëherë ekstreme ishte në gojën e kuqezinjve shqiptarë, perëndimi jo vetëm që nuk ka reaguar, por ka dhënë dhe shenja inkurajimi të tyre, duke shpresuar se do të përdoren si faktor elektoral kundër Berishës. Vetëm kur Berisha hyri në “tortën” e tyre, nacionalizmi u bë problem dhe sot po artikulohet si një rrezik që vjen nga Shqipëria.

Nga ana tjetër Berisha ka bërë dhe llogaritë e veta. Ai ka qenë dukshëm nervoz nga mbështetja amerikane për Spahiun, dhe po ashtu i frikësuar nga ideja se ky i fundit mund t’i marrë një elektorat nacionalist që vërtitet brenda PD nga retorika e vjetër partiake e kësaj partie. Dhe për t’i asgjësuar këto dy zhvillime negative për të, ai hyri në këtë betejë duke detyruar SHBA të flasë qartë kundër tij dhe Spahiut dhe po ashtu duke i inkurajuar mbështetësit e vet se “po të jetë për nacionalist, ai bëhet për 24 orë”. Hyri pra si një kamikaz për tu vrarë, jo për një ëndërr që po ia merrnin, por për një pushtet që po lindte përballë tij.

Nuk është se e ka menduar keq, përveç faktit se ka kthyer në një faktor të rëndësishëm politik dhe elektoral në vend Aleancën Kuqezi, duke e bërë palë dhe protagoniste në betejën për ringjalljen e nacionalizmit në Shqipëri. Aleanca Kuqezi është parti që ende nuk e dimë sa vota do të marrë. Sondazhet parapake për të japin shifra inkurajuese, por janë shumë të paqëndrueshëm në kohë dhe në gjeografi. Kuqezinjtë e kanë favor të kenë kundërshtarë të fortë në betejën e tyre. Qofshin këta dhe fuqi të mëdha si SHBA apo Bashkimi Evropian. Nga natyra e tyre ato janë parti pakicash të forta, që shpesh bëhen faktor për qeverisje, por gjithsesi parti pakicash. Si të tilla atyre u shkon dhe konflikti me Perëndimin dhe akrobacitë nacionaliste, dhe teza të tilla si referendumi apo gjeste të tilla ekstreme si ajo e Liqenasit në Korçë. Ata nuk kanë çfarë të humbasin, veçse të konsolidojnë profilin e tyre nacionalist. Ai që humbet nga krahasimi me ta dhe sidomos nga vënia në emërues të përbashkët nga një qeveri si SHBA, është partia e madhe e Berishës dhe  vetë ai, që tashmë konsiderohet “fëmijë problematik për Ballkanin” në Shqipëri. Njësoj si Spahiu. Ky është një çmim i rëndë për Partinë Demokratike, e cila u ndërtua si parti e vlerave qytetare dhe lirisë e të drejtave të njeriut në Shqipëri, si parti që frymëzonte lirinë dhe aspiratat perëndimore. Keqkatandisja e saj pas 22 vitesh në grushtin e hekurt të një plaku të lajthitur që nuk ka më asnjë parim, asnjë ideal, asnjë princip perëndimor mbi të cilin u themelua ajo parti, por kërkon të imitojë çdokënd që i duket se mund t’i rrezikojë pushtetin, është fundi tragjikomik i saj. Por është dhe fund i natyrshëm i një plaku të lodhur që shikon të rinj në rrugë kundër tij dhe mendon se nacionalizmi është viagra që do ta bëjë atë sërish burrë.

 

Shkruan: Mero Baze

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu