Viktima e Fshehur

0
864

Në Ferronikël ka humbur jetën Armend Fejza, 24 vjeç, pesë muaj më parë. Por vdekja e tij u hesht deri të hënën, kur në të njëjtën fabrikë u plagosën edhe katër punëtorë. Përveç këtyre, aty janë lënduar edhe shumë tjerë. Halim Morina është njëri prej tyre. Por, krejt këto incidente, menaxhmenti i quan normale.

Ajo nuk dëshiron ta shohë diellin me sy.

Mërzinë që ka ajo nuk ia heq askush.

Pesë muaj më parë, në nëntor të vitit të kaluar, Bahrije Fejza nga Dobrashevci i Drenasit, varrosi djalin e saj, Armendin, 24 vjeç.

Ai ra në një kanal me ujë të nxehtë në fabrikën e Ferronikelit, që ndodhet në këtë qytet. Plagët që mori aty i shkaktuan vdekjen disa ditë më pas.

Ashtu si i biri që nuk do ta shohë kurrë dritën e diellit, as kjo nënë nuk mundohet më të jetojë.

Shpërthimi i sërishëm që ndodhi këtë të hënë në fabrikë, Bahrijen e ktheu pas në kujtime të hidhura.

Pesë muaj më parë, ajo thotë se i biri humbi jetën në këtë fabrikë, pikërisht nga një shpërthim tjetër që kishte ndodhur.

E në këtë fabrikë, incidentet e shumta, edhe shpërthimet, janë të shpeshta, ndonëse deri më tash zyrtarisht shteti nuk ka bërë asnjë përpjekje të hetojë se çfarë ndodh brenda llamarinave të këtij gjiganti.

“Kam qajt shumë. U gëzova që askush nuk ish lëndu, por u mërzita për djalin”, thotë Bahrija për Express, më lotët që i rrjedhin.

Deri më tash kundër kësaj fabrike ka pasur shumë ankesa. Por, është hera e parë që një familje publikisht pranon se i afërmi i tyre ka humbur jetën duke punuar brenda saj.

Ajo dhe bashkëshorti i saj luten që djali i tyre të jetë viktima e fundit që pëson në këtë fabrikë, e cila më shumë se ndihmë për këtë rajon, tash ka nisur të bëhet vend i frikshëm.

Sipas raporteve zyrtare të Ministrisë së Ambientit, normat e ndotjes së kësaj fabrike janë shumë herë më të larta sesa ato të lejuara.

Madje për këtë arsye, kjo fabrikë është gjobitur nga kjo ministri.

Ndërkohë, të punësuarit aty, nën kushtet e anonimitetit tregojnë se brenda saj kushtet e punës janë mjaft të rënda.

“Lutem që Armendi të jetë viktima e fundit, por me sa po shoh unë nuk do me mbet i fundit. Gjithë këto çka po ndodhin në këtë fabrikë, aty është bërë vend ku po derdhet gjaku”, thotë Skënder Fejza, babai i Armendit të ndjerë, për Express.

Prindi që mundohet të mbahet i fortë e të mos qajë, tregon se djali i tij kishte vetëm dy muaj që kishte filluar punën në fabrikë.

Por, ai nuk e pati të gjatë.

Skënderi rrëfen se i biri ishte punëtor i një kompanie tjetër nën kontraktuese e Ferronikelit.

Por, ai këmbëngul se incidenti vdekjeprurës ka ndodhur brenda objektit të fabrikës.

Sipas Skënderit, Armendi ishte vozitës i një ekskavatori të vogël dhe sapo kishte zbritur nga ai, kishte rënë në kanalin me ujë të valë brenda fabrikës, e që ishte i pambuluar. Tashmë familja Fejza thotë se është duke negociuar me pronarët e Feronikelit në mënyrë që të gjendet një zgjidhje.

Pavarësisht kësaj, asnjë çmim nuk mund t’ua kthejë në jetë djalin e tyre me të cilin tash çmallen vetëm nëpërmjet fotografive.

Rasti ka ndodhur më 12 nëntor të vitit që shkoi, ndërsa Armendi ka ndërruar jetë pas 17 ditësh në një spital të Turqisë, pasi nuk kishte mundur t’i mbijetonte djegieve që ishin mbi 80 për qind të trupit.

Ata tregojnë se vetëm koka dhe njëra dorë i kishte mbetur pa djegur.

Por, edhe pas vdekjes së Armendit, duket se papërgjegjshmëria ka vazhduar.

Ai kanal ka mbetur edhe më tej i hapur.

Pikërisht në të, një muaj më vonë, ka rënë edhe një punëtor tjetër.

Halim Morina nga fshati Çikatovë e Drenasit ka pësuar djegie të këmbëve, ndonëse ka pasur më tepër fat sesa Armendi.

Halimi ka shpëtuar vetëm me djegien e këmbëve, pasojat e të cilave ende është duke i vuajtur.

Në bisedë për Express, Halimi tregon se ka rënë në atë kanal pasi ishte i hapur.

“Fati ka deshtë që unë të shpëtoj, vetëm këmbët m’u kanë djegë. Tash jam duke u kuruar, por ende nuk mund t’ia filloj punës”, thotë Halimi i cili ka 27 vjet që punon në Ferronikel. Pavarësisht djegies, ai tregon se do të vazhdojë të punojë në fabrikë pasi e ka burimin e vetëm të të ardhurave për familjen e tij.

55 vjeçari, megjithatë, pranon se të gjitha shpenzimet për spital i ka paguar Ferronikeli. Mirëpo, ai habitet se si asnjëherë nuk u mor në pyetje nga policia në lidhje me rastin.

“Vetëm një herë më kanë thirr policia, e më kurrë”, thotë ai.

Në fakt, Halim Morina del të jetë personi i katërt që ka rënë në kanalin me ujë të valë, ndonëse deri më tash me jetë e ka paguar vetëm Armend Fejza.

Një punëtor i fabrikës që deshi të mbetet anonim, tregon për Express se nga fillimi i punës së Ferronikelit nuk janë vetëm kazanët që kanë shpërthyer.

Ai pretendon se janë katër incidente të rënda që kanë ndodhur.

E shpërthimi i së hënës dhe rastet tjera, siç është ai i vdekjes së Armend Fejzës dhe lëndimit të Halim Morinës, duket se nuk e ka brengosur shumë menaxhmentin e kësaj fabrike, më e madhja në rajonin e Drenicës.

Jonn Gajtanovski thotë se këto që ndodhin në Ferronikel, ndodhin në të gjitha vendet e botës.

“Duhet ta dini se këto janë fabrika industriale dhe në to ekziston rrezikshmëri e lartë dhe për këtë duhet të dinë të gjithë”, thotë Gajtanovski në një konferencë të improvizuar për media, ndër të rrallat brenda fabrikës.

Ai insiston se asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur në mbrëmjen e së hënës.

Megjithëkëtë, Gajtanovski ishte kategorik që gazetarët të mos vizitojnë vendin ku ka ndodhur shpërthimi.

Por, pas presionit të medieve, ai lëshoi pe, duke bërë të mundur që të shihet pak nga kjo fabrikë.

Në këtë rast duket se ishin marrë masa edhe për mënyrën se si të flasin punëtorët e lënduar në shpërthimin e së hënës.

Sipas tyre, Skënder Nika, Halit Gashi, Nexh Sallahu dhe Hysni Podrimçaku kishin dalë të martën për ta mbajtur ndërrimin e tyre, edhe pse vetëm një natë më herët ishin lënduar në punë.

Skënder Nika , inxhinier me profesion, thotë se në momentin e shpërthimit ishte përballë furrës elektrike.

Ai sqaron se shpërthimi ka ndodhur gjatë pranimit të metaleve nga konvertori, me ç’rast është bërë shpimi i një vrime prej një metër e gjysmë.

Edhe pse i shiheshin gërvishtjet në buzë, thotë se lëndime të tilla ndodhin edhe pa punuar në fabrikë.

“Çdo kund ku të punosh, nëse nuk ke kujdes, është rrezik”, thotë ai.

Sipas tij, çdo njeri që përballet me metal duhet ta dijë se është i rrezikuar.

Ndërkaq i lënduari tjetër, Halit Gashi tregon se ishte në pikën më të lartë tek furra elektrike kur ka dëgjuar shpërthimin.

Pasi ishte lajmëruar nga një punëtor tjetër, Haliti ishte tërhequr prapa, me ç’rast ka lënduar këmbën.

Por, as ai nuk ka ndonjë ankesë tek pronarët e fabrikës, pasi arsyetohet se e tillë është puna në industrinë e rëndë.

Madje Haliti e ka krahasuar punën në Ferronikël me atë që për disa vjet e ka bërë në Slloveni, duke thënë të mos ketë ndonjë dallim të madh.

“Njëjtë si atje, si këtu. Edhe para luftës kam punuar këtu, por nuk ka ndonjë dallim të

madh”, thotë Halit Gashi.

Mirëpo, disa nga punëtorët e fabrikës e përshkruajnë situatën ndryshe, por nuk guxojnë të

flasin me emra, pasi që kanë frikë nga ndëshkimet.

Sidoqoftë, kjo nuk është hera e parë që në Ferronikël ndodhin shpërthime.

Pas shpërthimit që ndodhi të hënën, të martën atje shkuan zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe të tjerë komunalë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu