Viktimat e Fajdeve

0
869

Vëllezërit Murat e Petrit Mehana nga Mitrovica dyshohet se e vranë veten për t’i ikur haraçit. Njëri u gjet i vdekur në një mal të Bajgorës, kurse tjetri i varur në një dhomë të shtëpisë. Vëllai i tyre më i ri tentoi, gjithashtu, të vetëvritet. Për këtë rast, policia të martën arrestoi katër persona.

Familja Mehana në lagjen Bair të Mitrovicës ka hapur të pame. Madje ende pa i vizituar mirë të afërmit për vdekjen e parë, tash shkojnë për rastin e dytë. Brenda dy muajsh, kjo familje humbi dy djem. Murati (31) dhe Petriti (29) ia morën vetes jetën. Të njëjtën gjë tentoi ta bëjë edhe vëllai i tretë, më i ri se ata, por për fat shpëtoi. Pas mbarimit të të pames për Muratin, tash në familjen Mehana është hapur e pamja për Petritin, i cili bëri vetëvrasje para pak ditësh, pikërisht më 9 shtator.

Të pame, Mehanët kishin edhe në korrik të këtij viti, kur Murat Mehana kishte shkuar në fshatin Bajgorë dhe e kishte vrarur veten. Tash dy muaj më vonë, edhe vëllai i tij bëri të njëjtën gjë. Por tragjedia për këtë familje duket se nuk ka të ndalur. Dy ditë pasi Petriti ishte varrosur, vëllai tjetër i tyre më i ri, kishte tentuar të vrasë veten, po ashtu në shtëpinë e tij. Këto vetëvrasje të rënda e njëra pas tjetrës, në familjen Mehana askush nuk i komenton. Megjithëkëtë, dyshohet se shkaktari që çoi në vetëvrasjen e dy djemve dhe tentim vetëvrasjen e tjetrit, janë paratë.

Burime nga Policia e Kosovës tregojnë se rastet tragjike dyshohet se kanë ndodhur për shkak se vëllezërit Mehana ishin të detyruar të paguanin haraç ndaj disa njerëzve në Mitrovicë. Për këtë arsye, policia në këtë komunë të martën arrestoi katër persona, si të dyshuar se detyruan Mehanët në haraç. Derisa policia zyrtarisht konfirmon arrestimin e katër personave, në familjen Mehana nuk dëshirojnë të flasin për këtë çështje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu