Viti 97: tritan shehu, peng i turmave në Lushnjë

0
451
Mero Baze(Vijon nga numri i kaluar){jcomments on}

Kishin marrë peng Tritan Shehun. Zëvendëskryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike ishte ulur në një fushë politike të minuar. Në stadiumin e Lushnjës, ku ishin mbledhur protestuesit, tri ditë pasi ishte shpallur falimentimi i skemave piramidale “Xhaferri” dhe “Populli”, zemërimi dhe manipulimi i turmës arritën të krijonin simbolin e poshtërimit të shtetit dhe të rënies së tij.

Zëvendëskryeministri, i cili, me siguri që gjithë jetën s’do ia shpjegojë dot vetes se çfarë do të sqaronte me turmat, u ul aty së bashku me ministrin e Drejtësisë, Kristofor Peçin, dhe u mor peng për disa orë nga protestuesit, të cilët ishin irrituar nga arrestimet e dy ditëve të fundit në Lushnjë. Lajmi mbërriti me shpejtësi në Tiranë dhe masat që mund të merreshin ishin të pakta.

Unë kisha qenë dy ditë më parë në Lushnjë, kur ishte djegur qyteti dhe kur kishin bllokuar rrugën në Plug . E kisha parasysh fare mirë sa banale ishte situata me turmat e zemëruara, por nuk arrija të kuptoja se ç’kërkonte atje, madje pa asnjë mision të njëmendtë, figura simbol e grumbullimit forrnal të pushtetit të PD-së.

Në ditën e parë të bllokimit të rrugës në Lushnjë, më 24 janar, isha nisur aty bashkë me Lutfi Dervishin, me makinën time të vogël Golf. Pengesa e parë ishte në Dushk të Madh, ku rruga devijonte rrëzë kodrës, poshtë shinave të trenit.

Forcat speciale ishin rreshtuar në formacion luftimi në anën e poshtme të rrugës, kurse mbi hekurudhë, një tufë e madhe fëmijësh dhe adoleshentësh i qëllonin me gurë.

Ushtarët rrinin të strukur pas mburojave të tejdukshme. Ishte një situatë e paqartë nëse duhej të kaloje ose jo. Ndalova makinën dhe pyeta dikë nga djemtë sipër hekurudhës.
– A të kaloj unë, se jam për në Jug, – u thashë.?

– Kalo, kalo ti, e kemi me këta të Saliut ne. Nuk i lëmë ne të ikin këta…
Kalova me shpejtësi dhe, falë Zotit, nja dy gurë të vegjël që u përplasën në makinë, nuk bënë ndonjë dëm. Sa kalova rrezikun, ndalova. Nxora mikrofonin, me shpresë se mos kapte thirrjet e tyre, por ishin pak larg. Një oficer që drejtonte forcat speciale, m’u afrua dhe më foli në emër.

– Pse ndaloni prej këtyre? – e pyeta. – Kaq rrezik është?
– S’jemi të qartë se ku do të shkojmë. Ky është rrezik i vogël. Po presim urdhër se ç’të bëjmë.

Tunda kokën në shenjë ngushëllimi. Në fakt, oficeri diçka donte të më thoshte më shumë, sikur të më lutej që të lidhesha me ndonjë nga shefat e tij lart. Ishte i dëshpëruar dhe krejt i pamotivuar për punën e tij. Pamjet e ushtarëve të strukur nën gurët e adoleshentëve, ishin një inkurajim i madh kundër fuqisë së shtetit. Kërkesat e protestuesve ishin nga më të çuditshmet. Në qendër të tyre ishte Rrapush Xhaferri, kreu i Fondacionit “Populli”.

Ata besonin se ai i kishte paratë e tyre, por se qeveria e kishte arrestuar që t’ia merrte ato. Kërkonin që urgjent ai të vinte aty me helikopter dhe pastaj çdo gjë zgjidhej. Të tjerë pak më tutje mbanin gazetën “Koha Jonë” në dorë dhe puthnin portretin e Rrapushit. Ishte një histeri e papërballueshme.

Në rrugë ishin vendosur disa tuba hekuri dhe makina e kishte të pamundur të vazhdonte më tej. Dy djem më ndihmuan dhe më tregun një rrugë përmes fushës, ku kalonte zetori i jonxhës. I mora në makinë dhe ia dolëm pas 500 metrash. Nuk më ndaloi më askush deri te kthesa e Plugut, ku kishin ngritur barrikadën.

Djemtë që kisha me vete më ndihmuan që njerëzit e tjerë mos ishin armiqësorë me mua. Hipën sipër makinës si roje, ndërsa unë nga brenda transmetova për “Zërin e Amerikës” direkt, duke parë nga larg qytetin dhe duke përshkruar turmën. Këmbët e tyre të varura mbi xhamin e makinës dhe zgjatja herë pas here e kokës për të kuptuar se çfarë po bëja me telefonin, ishin bezdia e vetme që kisha.

Transmetimi im nga kthesa e Plugut ishte një problem më vete. Shihja vetëm qytetin e Lushnjës dhe disa shtëllunga tymi që dilnin sipër tij. Nuk kisha askënd që ta pyesja se ç’ndodhte në qytet. Telefoni celular aty kapte vetëm në disa pika afër postës dhe thuajse asnjë nuk kishte celular në qytet. Pyeta dikë nga ata që kishin bllokuar rrugën, që të merrja vesh se nga dilte tymi.
-Kanë djegur Bashkinë, – tha ai. – Do t’u vëmë zjarrin të gjithave: Bashkisë, Komitetit… ç’të jetë.

Më erdhi për të qeshur, pasi Bashkia në të vërtetë ishte pasardhësja e Komitetit Ekzekutiv, por në mendjen e djalit asgjë nuk kishte ndryshuar. Në raportin tim e përshkrova situatën të rëndë dhe citova protestuesit të thoshin se po digjej Bashkia.

Në të vërtetë, ishin djegur zyrat e Hipotekës dhe disa zyra të Tatim-Taksave të Lushnjës.
Kur mbarova, dola jashtë dhe i përshëndeta. Shumica ishin 17 – 20 vjeçarë.
– Çfarë kërkoni tamam? – u thashë. – Pse e keni zënë rrugën?
-Na ka vjedh Saliu lekët, ere!
-Ku i keni pasur lekët?

. E ka arrestuar Saliu, që t’ia marrë lekët dhe na gënjen neve. Thotë që është piramidë. Po e hamë ne atë, ere? Ta nxjerrë Xhaferrin, që ta thotë vetë…
-Po e nxori, ere, – u thashë unë. – A nuk ishte Xhaferri ai që doli dje në televizion dhe tha që s’kishte lekë?

Një natë më parë, në një kamerë bardhë e zi, nga ato që regjistronin në qeli, TVSh-ja kishte dhënë pamje në qeli nga intervista e prokurorit me Rrapush Xhaferrin. Pamja e tij e shfytyruar dhe filmi bardhë e zi e kishin zhburrëruar “gjeneralin” në sytë e idhujve të vet, por ata nuk donin ta pranonin që ai ishte “gjenerali i tyre”.

-Jo, ere, jo. Ai ishte Pali Miska. Ne do të na e hedhë Saliu, e? Jo, ere, duam Xhaferrin ne. Ka lekë ai, ka sa të duash. Por ia ka marrë Saliu, ai qeni!
Ndërsa debatoja me kalamajtë që më kishin rrethuar, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Ndrekë Gjini, i alarmuar, më mori në telefon:
-Ç’bëre në radio?

– Pse, çfarë ka ndodhur? – e pyeta.
Kur po flisje ti në radio, s’kishte marrë flakë ende, tani po e djegin. Më duket se dëgjuan radion, kur the “po djegin Bashkinë” dhe kanë shkuar aty.
U trondita nga arsyetimi i tij.

– Je i sigurt që ata shkuan pasi dëgjuan radion? – i thashë. – Unë s’kam dhjetë minuta që raportova. Ata s’besoj se kanë radio dore me vete.

– Ohu, unë të them kështu, ti s’do, – tha. – Nji tash kanë hy në Bashki.
E mbylla telefonin, por shqetësimi nuk më iku. Nuk jam ende fort i sigurt për atë që ka ndodhur, por ishte një leksion i egër i përgjegjshmërisë që duhet të ketë një gazetar kur raporton nga trazirat.

Përvoja jonë në këtë drejtim ishte zero. Rrethanat ishin po ashtu shumë spekulative. Gjithçka më bëri të ndihesha keq, ndërsa udhëtoja drejt Tiranës. I lashë dy fëmijët në Dushk dhe ndërkohë, një grua e re, së bashku me burrin, kërkuan të vinin deri në Tiranë me mua.

I mora, sepse ndihesha keq vetëm. Nuk fola thuajse fare me ta gjithë rrugës, përveç pesë minutave të para, kur ata më shpjeguan se do të shkonin tek motra e asaj gruas, që të rrinin ca kohë, deri sa të mbaronin rrëmujat. Kishte nisur ikja nga zona e “luftës”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu