Voskopoja e Kavaliotit

0
983

voskopoja 1 images(Filozofia Iluministe e T.A.Kavaliotit)

Ishte një kohë, kur shqiptarët në emër të kompleksit të madh që kishin mbi qytetërimin, e vinin atë përballë kudo. Dukej pak si abstrakte. Voskopoja tregohej si bëmë dhe episodet për të, kryesisht nga njerëz jo kopetentë, rroknin shifra dhe ngjarje gati fantastike, për të rrëfyer se civilizimi shqiptar nuk ishte i tanishëm, por datonte kohë e kohë më parë dhe se ajo Voskopoja nuk ishte më kot treguesi më i madh i kësaj. Voskopoja ose fenomeni Voskopoja, si do ta quanin disa studiues, e meritonte këtë edhe pse duhet thënë se syresh shqiptarë dhe të huaj edhe pse kanë bërë një punë të lavdërueshme ende janë larg trajtimit të këtij qyteti me të gjithë parametrat e veta.
Legjenda urbane, që qarkullon në mjedise panegjirike, e lidh historinë e qytetit me një pjesë emigrantësh ikur që nga Konstadinopoja. Një komunitet i vogël në arrati me zhurmën e frikshme të gjëmës që ndodhi mbi qytetin e perëndive, ngriti po një fshat të vogël, që arriti deri 40.000-60.000 banorë dhe për plot 350 vjet gëzoi atributet e një qendre shumë të lakmuar. Me një shkollë interesante, që ata e quanin Akademi, me një nga shtypshkronjat më të hershme në Ballkan dhe me një tregti që e bëri të ishte e njohur dhe e respektuar me kulmin në shekullin e XVIII, ajo u gjend në udhëkryqet e mendimeve e lakmive të vendeve fqinje Serbi, Bullgari, Greqi e Turqi. Nga të dhënat që referohen dhe hera-herës keqpërdoren na rezulton se Voskopoja po projektonte prej shumë kohësh për të parën herë krijimin e një gjuhe të shkruar shqipe. Teodor Kavalioti (1710 – 11 gusht 1789), shqiptar me origjinë nga Kavaja (siç do i referohet prof. Dhimitër Shuteriqi dëshmisë që vjen nga i biri i tij, Anastas Kavalioti, të cilit i referohet studiuesi i shek. XIX Gjergji Roza), përgatiti të parin alfabet shqip dhe shkroi traktate si “Logjika” (1749), “Frika” (1752) dhe “Metafizika” që besohet se janë zhdukur përgjithmonë. “Po t’i referohemi filologu gjerman Von Hahn (Lexicon Tetraglossan), Kavalioti kishte shpikur një alphabet germat e të cilit i cili mund të identifikoheshin si “analoge me ato të glagolitishtes ilire” (Shqiptarët – Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, Edëin Jacques). Ky alfabet zhdukur në rrënojat e Voskopojës (apo mbahet i fshehur në ndonjë arkiv grek apo rumun), u kurorëzua me aktin më të rëndësishëm të kohës së vet: përkthimin e të parës Dhiatë të Re nga gjuha greke në gjuhën shqipe (të paktën si thotë G. Von Hanh v.II,). Kavalioti do shquhej veçanërisht për zhvillimin e tij të gjerë dhe për mënyrën sesi arriti të shprehej për pikëpamjet e tij filozofike dhe madje ka referenca që e bëjnë atë një lloj udhëheqësi shpirtëror të lëvizjes kulturore, jo vetëm në Voskopojë por edhe në vise të tjera të Shqipërisë së Mesme e të Jugut. Këto mbeten për tu studiuar nga historianët. Ishte ky njeri, që u përpoq që kisha ortodokse të kishte karakter shqiptar, si edhe të ndërmerrte përpjekjen për përkthimin e “”Dhiatës së re” në shqip.
Në fakt, kjo do të ishte një utopi në shekullin e XVIII, po të mos mendojmë për mënyrën sesi administrohej ky vend. Qyteti drejtohej nga borgjezia tregtare dhe zejtare në mënyrë të pavarur nga Porta e Lartë me parimin e zgjedhjes. Në një farë mënyre Voskopoja konsiderohej si një qytet autonom brenda Perandorisë Otomane i përbërë nga shqiptarët, grekët dhe vllehët. Studiuesi Aurel Plasari do shkruajë se: “Voskopoja nuk ekzistonte as në Suret Defter-in e Sanxhakut Arvanid”, (botuar nga H. Inalcik, pjesa Defteri i Përmetit dhe i Korçës përkthyer shqip nga V. Buharaja, Tiranë 1969). “Kjo krahinë konsiderohej jashtë Shqipërisë”. (Fenomeni Voskopojë, Aurel Plasari).
Por, s’ishte e thënë të mbijetonte. Inati ndaj saj e kaloi adhurimin dhe modelin, që mund të aplikonte cilido nga vendbanimet afër. E shkretuan më 1769, i dhanë dërrmën më 1789 dhe i dhanë dhe një shtysë të fundit në ferr më 1916. Të mendosh Voskopoja ruante vlera të mëdha të artit mesjetar dhe pasuri të stërmëdha nga gjithë fushat e kohës.
Konsulli francez në Perandorinë Otomane, Pouqueville, e përcakton numrin e popullsisë deri në shifrën prej 60,000 banorë?! E veçantë konsiderohej dhe mënyra sesi funksiononte disi sipas parimit të gildeve të qyteteve perëndimore, ku në rastin tonë patriarkati i vendasve, koxhobashët (paria korporative e banorëve të vjetër) me rregullat e tyre ja u kishin bërë të vështirë integrimin të ardhurve të rinj…
Në ato që njohim për qytetin nga këtu thuhet se ka pasur përpjekje për lëvrimin e shqipes. Dhe, gjuhën nuk e shkruanin vetëm Kavalioti, Adam Haxhiu dhe Grigori, por edhe të tjerë. Këtu ishin arritur të shqipëroheshin materiale të shenjta, madje thuhet edhe me një alfabet të krijuar enkas për shqipen. Në një farë mënyre ajo që do të ngjante shumë kohë më vonë, kur gjuha shërbeu si bazë për krijimin e identitetit shqiptar dhe bazën për kalimin nga një identitet protonacional drejt një identiteti nacional. Voskopoja u kthye kështu në një fanar ndriçues dhe orientues drejt nacionalizmit dhe pavarësisë shqiptare. Në një farë mënyre, ashtu si besohet, gjuha shqipe është ajo që na krenaron për të, por edhe një nga idetë mbase pse u zhduk nga faqja e dheut Voskopoja e madhërishme.

FILOZOFIA ILUMINISTE
E T.A.KAVALIOTIT

Në mesin e shek.XVIII qyteti i lulëzuar i Voskopojës ka qenë një nga vatrat më të rëndësishme në Ballkan e ideve iluministe. Në këtë qytet ekzistonte “Akademia e Re” , drejtor i të cilës ka qenë Teodor Anastas Kavalioti,(1718-1789), një nga mendimtarët më të shquar të epokës postbizantine të Ballkanit. Përveç veprave didaktike, si “Libri i leximit” (Protopiria) dhe “Fjalori trigjuhësh: greqisht, vllahisht dhe shqip” me 1170 fjalë, ai ka hartuar edhe tre vepra madhore, që janë ruajtur: “Fizika” , “Metafizika” (1752) dhe “Logjika” (1743). Ndryshe nga traditat bizantine mesjetare, që përmbanin si lëndë mësimore të shkollave të ulta alfabetin, këndim e shkrimin, fenë dhe elemente të teologjisë, Kavalioti në Akademinë e Voskopojës trajtonte si lëndë themelore filozofinë dhe shkencat moderne europiane. Sipas tij, “Filozofia ndahet në dy pjesë:Filozofia teorike, qëllimi kryesor i së cilës është njohja e vërtetë e qenies dhe kjo përmbledh Logjikën, Fizikën dhe Metafizikën, kurse pjesa e dytë praktike, përmbledh etikën, ekonominë dhe politikën”. Ky progam mësimor tregon se “Akademia” e Voskopojës ishte një kolegj i tipit universitar dhe librat e tij përdoreshin si tekste mësimorë edhe në disa kolegje të afërt me të, si në Jashi të Rumanisë e gjetkë.
Origjinaliteti i pikpamjeve filozofike iluministe të Kavaliotit spikat sidomos në qendrimin e tij ndaj filozofisë moderne, domethënë të Kohëve të Reja, ose siç ka qenë shprehur vetë, ndaj “filozofëve të rinj”, midis të cilëve dallonte Rene Dekartin(1596-1650), të cilin e quan “më të madhin”,”më të shkëlqyerin filozof midis gjithë filozfëve të rinj”. Nuk është fjala vetëm që Kavalioti e përmend në dorëshkrimet e tij me nderim shumë herë emrin e filozofit francez, por sepse mbështetet kryesisht në idetë e Dekartit dhe në këtë kuptim e kemi quajtur “dishepull” të tij, që përhapi idetë e iluminizmit dhe të racionalizmit të Europës Perëndimore. Në “Parathenien” ” e “Fizikës” së tij, Kavalioti i kushtonte filozofisë rolin kryesor në formimin arsimor të studentëve të Akademisë së Voskopojës:”Të gjitha ato që zotëron njeriu në trup e në shpirt, -shkruante ai,- nuk do të ishin e nuk do të quheshin të drejta sikur gjykimi për to të mos kish qenë i drejtë dhe i qartë, gjë që arrihet vetëm me anë të filozofisë. Filozofia është njohje e saktë dhe e qartë e gjityhë atyre gjërave , qëisjellin njeriut kulmin e lumntërisë”
Në Simpoziumin ndërkombëtar të AIESEE-së,(“Shoqata ndërkombëtare e studimeve të Europës Jug-Lindore) që i kushtohej “Iluminizmit në vendet e Ballkanit” (1970, Bukuresht, Rumani) historiani rumun Mihai Berza ka thënë se në konceptin e iluminizmit nuk futet një kuptim i vetëm, për shembull, i themeluesve të iluminizmit francez (Didro, Volterit e Ruso), por edhe i vendeve të tjera dhe prandaj ky simpozium iu kushtua iluminizmit të vendeve të Ballkanit. Në këtë simpozium morri pjesë edhe studiusi e alabanologu frances Henri Boissin, i cili mbajti kumtesë “Les lumieres et la consciance nationale en Albanie”, në të cilën përmendi referatin tim për filozofinë iluministe të Kavaliotit, që kisha mbajtur në Kongresin e parë Ndërkombëtar të AIESEE-së në Sofje, Gusht 1966, dhe midis të tjerash, në kumtesën e tij, Boissin tha: “Më i njohuri midis mendimtarëve që përhapën ide të reja në Ballkan ka qenë Teodor Anastas Kavalioti (1718-1789), që pat qenë drejtori i Akademisë së Re të Voskopojës. Ne s’mund të bëjmë më tepër se sa t’ua rekomandojmë të pranishmëve të këtij simpoziumi studimin ekselent që i kushtohet filozofisë së Kavaliotit nga Alfred Uçi më 1966, i botuar në “Actes du Premier Congres International des etudes Balkaniques et Sud-Est Europeennes, Sofia, 1971”.
Më vonë, pasi kishim përkthyer në shqip të tre veprat kryesore të Kavaliotit, unë përgatita librin “Filozofia e T.A, Kavalioti dhe Akademia e Re e Voskopojës”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH, T.2004, 400 faqe), të cilit më 2007 iu dha Çmimi ” EXELENCA 2007).
Ne e kemi quajtur ndikimin e filozofisë së Kavaliotit “lëvizje iluministe”sepse përmes saj depërtuan idetë e racionalizmit kartezian, që shpallte plotfuqishmërinë e mendjes njerëzore pë të depërtuar në gjithë të fshehta e botës dhe të jetës, për të braktisur pargjykimet e mitet mesjetare, “për t’u ndriçuar nga drita natyrore e arsyes”. Rëndësia e ndikimit të Dekartit për Kavaliotin mund të kuptohet po të kemi parasysh vlerësimin e Hegelit, i cili ka thenë:”Filozofia e Kartezit solli një kthesë krejtësisht të re. Me të fillon epoka e re e filozofisë. Gjithë traditën e mëparshme të filozofisë dhe sidomos atë që kishte pasur piknisje autoritetin e kishës, Dekarti e la mëçnjanë”. Dhe të tre drejtimet kryesore të filozofisë së Derkartit, të përcaktuara nga Hegeli i gjejmë tek arsyetimet e Kavaliotit për filozofinë.
Akademiku voskopopjar çmonte lart principin e dyshimit, që ishte parimi më themelor i metodës karteziane. Këtë parim Kavalioti e riformulon duke iu drejtuar shprehimisht studentëçve të Akademisë së Voskopojës:”Sikur të pyeteshin nxënësit e rinj të Akademisë, që nuk kanë njohuri për qeniet,-pyet Akademiku,- ata do të arsyetonin me të drejtë kështu:Vallë a jetojnë?A hanë? A ecin? Apo rrinë? Dhe si do të poërgjigjeshin? Se dyshojnë! Por dyshimi është njohje. Duke qenë se dyshojnë, ky është një veprim mendor, atëhere pranohet ekzistenca e tyre”. Atë që Kavalioti e quante “njohje”, ajo është e njëjtë me atë që Dekarti e quante dije, për të cilën shprehej me formulën e tij të famshme:”Unë mendoj, pra ekzistoj” (Cogito ergo sum). Kavalioti e pranon se kjo shprehje emblematike filozofike e Dekardit përbën fillesën e parë, tek e cila duhet të mbështeten gjithë filozofës që dëshironin të mos gaboheshin, të mendonin e të arsyetonin drejt, domethënë të formulonin dije të sakta e të përcaktuara, të qarta.
Formula “Dyshoj, mendoj,pra ekzistoj” ka qenë disi e njohur shumë kohë para Dekartit; qysh në kohën e vet Augustini në veprën e tij “Qyteti i Zotit”shkruante se ka një tëe vërtetë tëe padyshimtë:”Nëqoftëse unë dyshoj, duke u gabuar, pra, unë ekzistoj” (“Si tatallor, sum”. Por kuptimi që fuste Augustini në këtrë formulë të tij ndryshonte shumë nga kuptimi i :”Ergos…” të Dekartit; i pari e përdorte për të ngjallur mosbesim , skepticizëm në njohjen racionale, kurse i dyti, Dekarti i dha kuptimin e një fillese të padyshimtë, që hapte rrugën drejt njohjes të saktë, të vërtetë shkencore. Kavalioti mbështeste idetë e Dekartit, sepse dyshimin e quante një akt fillestar, të parë të procesit të njohjes, gjë që tregon se formula e dyshimit nu edhe gabimin. Për Dekartin dhe për Kavaliotin dyshimi nuk është qëllim, por vetëm mjet, vetëm akti i parë i metodës racionale të njohjes, prandaj edhe është quajtur akt njohës metodik, shprehje e optimizmit gnoseologjik.
“Gjithë thellësitë e ndërgjegjes sime, theksonte Kavalioti në frymën e ideve të Dekartit, përmes aktit të dyshimit provohet , të paktën, vërtetësia e ekzistencës sime, sepse ekzistenca e padyshimtë e mendimit tim dëshmon vërtetësinë si të dijeve shkencore, ashtu edhe të ekzistemcës, të qenies sime”. Në këtë rrugë gjykimi, Kavalioti formulën dekartiane e quan kriter të së vërttetës për të dalluar njohjen e saktë nga mendimet e gabuara. Rregulli i njohjes së saktë të së vërtetës do të thotë të pranosh dhe të pohosh vetëm atë që është ideal i bindjes së brendëshmne rreth vërtetësisë dhe që pajtohet, përputhet me shembullin më të mirë të asaj që pranon arsyeja, mendja jonë, e cila njeh qenien e vet. Prandaj Kavalioti përsëritëte idenë e Dekartit, që thosh se “s’duhet të pranohet asgjë për të vërtetë deri sa mua s’më bind e sduket qartësisht si e tillë”. Sigurisht askush nuk ka qef të gabojë, por meqenësae akti i gjykimit, si[ e tregon në “Logjikën” dhe “Metafizikën” e tij Kavalioti, është akt vullneti, çdo mendim i gabuar është gabim moral. Prandaj në procesin e njohjes njeriu duhet të ndjejë edhe përgjegjësi morale për idetë e gjykimet e njohjes.Kjo përgjegjësi morale e lidh njeriun pas së vërtetës dhe në këtë akt bartësi i saj duhet të jetë i sinqertë, duke e ditur se zgjedhja e lirë e së vërtetës varet nga individi arsyetues për liri veprimi. Pra, formula e përbashkët e Dekartit dhe e Kavaliotit përbën ligjin logjik të lirisë së brendshme të mendjes, që e çliron njeriun nga çdo autoritet i jashtëm. Mësimi që rrjedh nga predikimet karteziane të Kavaliotit është ky:”Përmbajuni vetdijes dhe jini të sinqertë, jepuni pas së vërtetës, dashuroni e respektoni të vëçrtetën dhe mos e ngatëçrroni me gënjeshtrën, kështu njeriu mund të bë het i pallangosur nga mashtrimet e gabimet”.
Lidhja midis mendimit dhe vullnetit, siç predikonin Dekarti e Kavalioti, ka qenë si akt filozofik një kthesë, një përmbysje në mendimin njerëzor, që siguronte kalimin nga skolastika drejt mendimit shkencor, nga autoritetet e jashtme të imponuara përdhunshëm drejt lirisë së brendshme intelektuale. Këto mendime kanë rëndësi edhe për kohën tonë , që të mësohemi të zëvendësojmë autoritet e jashtme, domethënë robërinë e mendjes me ndjenjën e brendëshme të së vërtetës, domethënë me lirinë mendore. Kjo ka rëndësi, sepse kemi jetuar në një shoqëri, ku sundonte monizmi, ndonse edhe tani kur vazhdojmë të jetojmë formalisht të lirë, ndodhemi në situata që na e kufizojnë lirinë zgjedhëse të mendimit, për t’u shprehur sinqerisht e për të thënë të vërtetën në çdo rast, sepse ka mjete e mënyra që na imponohen me dhunë ose me vitrina fallco, ka gjithfarë iluzione, paragjykime, qënjeshtra e mashtrime, që na e lëkundin sigurinë zgjedhëse drejt së vërtetës. Përparimi lidhet me përparimin e shkencës dhe më gjerë në vartësi të përparimit të lirisë të mendimit dhe ky përparim është arritur aty ku liria ka qenë më e madhe, ku janë të lirë dhe aq sa janë të lirë, sipas shkallës së lirisë e palirisë. Gabimi e mashtrimi zhduken e ngadhnjen e vërteta krahas zhdukjes së mashtruesve, gënjeshtarëve, hipokritëve, që zbulohen e mënjanohen nga drita e së vërtetës, nga vetëdija e sinqertë që mbeten të patundura dhe, në fund të fundit, ngadhnjejnë. Ja ku i shtynte Kavalioti studentët e tij të Akademisë së Voskopojës me ndihmën e asaj formule të njohjes të Dekartit drejt hapësirave të iluminizmit qysh në shek. XVIII.
Përfytyrimi ynë për botëkuptimin iluminist të Kavaliotit pasurohet me të dhënat interesante të shkencave natyrore e filozofike europiane,që paraqiten sidomos në përmbajtjen e “Fizikës” e “Logjikës” së tij. Kavalioti u kushton vemendje të veçantgë problemeve ontologjike (teoria e qenies), problemet gnoseologjike (teoria e njohjes), të logjikës dhe metodologjisë se njohjes shkencorew (epistemologjisë), pra, ai ka trajtuar probleme filozofike të rëndësishme filozofike jo vetëm në planin historik, tësëç kaluarës, por edhe të zhvillimeve intelektuale e kulturore të kohëve moderne. Duke patur parasysh “Principiae philosophiae” të Dekartit, Akademiku Voskopopjar shtron problemin e raportit midis filozofisë dhe fizikës, domethënë të shkencave të veçanta natyrore. Prob lematikë e fizikës ai e përfshion me titullin “Mbi bazat e trupave materialë” (“De principus rerum materialum”), domethënë si pjesë të mandashme të sistemit të tij filozofik. Ndonse qysh me N.Kopernikun dhe Xh. Brunon etj.po dukeshin shenjat e para të përveçimit të matematikës, astronomisë, fizikës, kimisë dhe mekanikës. Në shek. XVII shkencat e veçanta nuk ishin ndarë thekshëm nga filozofia, por përmblidheshin në të ashtuquajturën “naturfilozofi”, të mbrujtur me zbulime të rëndësishme të reja shkencore, që e dallonin nga “natyrfilozofia” naive e Antikitetit. Kavalioti filozofinë e konsideronte si “shkencë të shkencave”, domethënë si paradigmë të gjithë përmbajtjes të “Fizikës” së tij. Që këtej ai mendonte se përfitimi ishte i dyfishtë e reciprok: filozofia fiton nga fizika dhe fizika — nga filozofia.
Fizikën e Dekartit Kavalioti e vendoste si pjesë të parë të filozofisë së tij.”Eshtë e logjikshme, – shkruante ai,- që studimi i fizikës të vijë përpara pjesëve të tjera të filozofisë, sepse është më pranë sendeve materialë, natyrës, që janë në lidhje të domosdoshme, duke lenë anash gjithshka të rastit, kauzale”. Sipas Akademikut tonë cilësitë kryesore të natyrës janë materia dhe lëvizja. Ai e shpallte natyrën të vetqenë, që i nënshtrohet ligjit të ruajtjes së energjisë, lëvizjes dhe përqeshte ata mendimtarë, të cilët kërkonin prova për natyrën e vetqenëshme e të lëvizjes, e cila lëviz sipas ligjeve fizike: “Eshtë qesharake të përpiqesh të provosh ekzistncën e materies, të natyrës,-shkruante ai,-sepse s’ka asgjë më tëqartë dhe më bindëse se sa ekzistenca e trupave shqisorë”.
Kavalioti u përmbahej kaq fort ideve të Dekartit saqë duket se i ka kopiuar drejtpërdrejt nga librat e tij. Ja disa nga formulat që i ka në librin “Fizika” të tij e që janë të njëjta me ato të Dekartit: “Materja nuk mund të jetë e zhdukshme dhe e krijuar. Po të ishte e krijuar, po të kish lindur, në themel të saj do të duhej të kish patur së brendshmi fillesë të parë, nga e cila të kish lindur, por pikërisht këtu qendron natyra e saj, se përndryshe do të kishte ekzistuar para se të kish lindur. Unë e quaj materien fillesën , predikatin e parë të çdo sendi, nga e cila lind çdo send”. Në këtë pohim të Kavaliotit duket qartë se ai mbronte idenë e mësuesit të tij, Dedkartit, që pran ponte se të dy substancat që ekzistojnë nuk kanë nevojë përveç vetes së tyre; “substanca materiale dhe substanca shpirtërore janë,-sipas Kavaliotit, të pavdekshme, të pa zhdukshme”. Që këtej rridhte edhe konkluzioni i Kavaliotit, që shkruante se “kjo ide mbrohet nga të gjithë pasuesit e Kartezit, të cilët e pranojnë jo vetëm materien të pafundme, infinite, por edhe të shtrirjes së saj në hapësirë dhe kohë”.
Ashtu si Dekarti edhe Kavalioti pranonte teorinë atomike dhe njihte tre lloje thërmijash të vogla, nga kombinimi i të cilave ndërtohen të gjithë trupat shqisorë. Kavalioti shkruante: “Filozofët e rinj thonë se shtrirja është e vetmja entelehi e materies, ashtu si edhe të menduarit është e vetmja entelehi e shpirtit”. Kavalioti u mësonte studentëve të tij zbulimet e reja shkencore në fizikë (ligjet e mekanikës, u rrëfente për zbulimin nga Bouli të makinës pneumatike etj. Ai kundërshtonte peripatetikët, duke treguar rëndësinë e madhe që kanë dijet e krijimet e reja shkencore e teknike, si makina pneumatike, pompat e ujit, barometrat, etj. që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e vetive natyrore fizike e kimike të trupave materialë. Një vend të rëndësishëm zenë parimet e mekanikës, ligjet që përc aktojnë rregullsinë e lëvizjes të tgrupave fizikë. Nëqoftëse Dekarti thoshtge “më jepni materien e lëvizjen dhe kam për t’u ndërtuar b otgën”, Kavalikoti thoshte se “lëvizja është organi kryesor i natyrës”. “Ndërtimin e mrekullueshëm të qenieve,- shkruan akademiku voskopojar,- e paraqitin forma, lëvizja dhe moduse të tjerë më të qartë, që quhen parime mekanike dhe që i predikonin filozofët e Antikitetit (Anbaksagora, Leukipi, Epikuri, Demokritiu) dhe jo pak fiulozofë të kohëve të rejha(prej të cilëve Karftezi nuk është në radhë të dytë), se çdo lindje e trupave të ndryshëm bëhet nga tërheqja dhe shtytja. Lëvizja është transferimi i trupit nbga një vend në një vend tjetër”. Njohuritë e reja të mekanikës klasike dhe të ligjeve të natyrës, që i propagadonte Kavalioti në Akademinë e Voskopojës, sillnin tek studentë dritën e shkencave moderne, që ishte themeli i gjithë formave të iluminizmit europian, i cili me kohë depërtoi edhe në vendet e Ballkanit.
Ne përmendëm vetëm disa vija kryesore të mendimit filozofik e shkencor të T.A.Kavaliotit që dëshmopjnë se ai mbante një qendrim origjinal në rileximin e filozofisë neobizantine, të Antikitetit dhe të Rene Dekartit. Ne kujtuam se dualizmi i mendimit të tij filozofik ishte shprehje e karakterit tranzitor të gjendjes shoqërore dhe të kulturës të atëhershme të Shqipërisë, që shërbeu si premisë teorike paraprake e zhvillimit progresiv të vendit, i cili qysh në dekadat e para të shek. XIX hyri në Epokën e madhërishme të Rilindjes Kombëtare, pa të cilën nuk do të kishte ardhur dita e shenjtë e 28 Nëntorit, që jemi duke e kremtuar l00 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë e të Shtetit shqiptar.

 

Nga Ben Andoni

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu