Votimet në Shqipëri, nuk jemi as te Kirgistani

0
686

Në Kazakistan, qendrat e votimit kishin edhe dhoma gatimi. Në Ukrainë, të qerasnin me vodka. Në Kirgistan, në zgjedhje shkonin me orkestër.

Po në Shqipëri? Gazmend Agai, vëzhgues në vendet më të nxehta të globit, rrëfen guidat e tij zgjedhore nëpër botë, ku ka konstatuar me keqardhje se shqiptarët për nga kultura demoktratike nuk janë as me vendet e botës së tretë.

Na ndajnë edhe pak muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare. Më 23 qershor votuesi shqiptar do të drejtohet në kutitë e votimit për të zgjedhur maxhorancën e re e cila do të qeverisë vendin në katër vitet e ardhshme. Edhe pse fushata nuk është ndezur akoma ashtu sikurse pritet, partitë politike kanë kohë që kanë nisur shpalosjen e programeve elektorale. Për Gazmend Again klima e tensionuar parazgjedhore nuk është se përbën ndonjë çudi. Jo se është i pandjeshëm ndaj zhvillimeve në vend, por se ka parë ku e ku më keq se kaq. Ai është nga ata njerëz të cilin puna si vëzhgues e ka regjur me situatat zgjedhore. 38-vjeçari ka 10 vite që shëtit pikat më të nxehta të globit, në misionin e vëzhguesit të zgjedhjeve. Ja përse Gazmendi është personi i duhur për të bërë një përqasje midis mënyrës se si zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri dhe atyre në vendet e tjera, ku ka pasur fatin të jetë monitorues. Nëse prisni që në këtë rrëfim ai të thotë që klima e të bërit zgjedhje në Shqipëri është më e mirë se në vende si Kirgistani apo Kazakistani, e keni kot. Në disa aspekte njerëzore jemi edhe më keq se këto vende.

“Vëzhgimi i parë ndërkombëtar që kam bërë ka qenë në Kazakistan në 4 dhjetor në vitin 2005. Udhëtuam Tiranë-Stamboll-Almaty ish-kryeqyteti i vendit. Misioni ishte vëzhgimi i zgjedhjeve presidenciale. Mua më caktuan në qytetin Aktau, pranë detit Kaspik. Nga kryeqyteti Almaty deri në Aktau udhëtimi zgjati 3 orë me avion. Unë kisha monitoruar zgjedhje në Shqipëri, por nuk e dija se si ishte në një vend tjetër, aq më shumë si Kazakistani. Ajo që më habiti ishte rregulli në qendrat e votimit në zgjedhje. Ndryshe nga këtu, komisionierët të prisnin me shumë mirësjellje. Madje na sajdisën edhe me ushqime dhe pije.” Një nga veçantitë që i ka mbetur në mendje në misionin vëzhgues në Kazakistan ishte mënyra se si kazakët e hapnin dhe e mbyllnin procesin zgjedhor. “Në Kazakistan zgjedhjet organizoheshin në muzeume, shkolla, në salla shumë të mëdha. Në qendrat e votimit kishte kuti stabël të votimit por edhe mobile apo ndryshe të lëvizshme, të cilat u dërgoheshin votuesve të pamundur në shtëpi. Ajo që të bën çudi dhe që nuk ndodh në vendin tonë është se kazakët jo vetëm ishin shumë korrekt në hapjen e qendrës së votimit, por i çelnin dhe i mbyllnin votimet me himnin kombëtar.” Me këtë panoramë që bën, Gazmendi nuk do të thotë që zgjedhjet në Kazakistan ishin të rregullta. Ai i mëshon më shumë klimës midis komisionierëve e cila ishte shumë miqësore. “Jo, se ishin të drejta. Unë kam kapur manipulime. Njëherë një parti kërkonte që unë të firmosja që në qendër kishte shumë rrëmujë. Kjo kundrejt një përfitimi që ata do të më jepnin. Këtë ma tha përkthyesja. Sigurisht që nuk pranova.” Rrugëtimet më të shpeshta zgjedhore, Gazmendi i ka pasur në Ukrainë. Në këtë vend ai ka qenë 7 herë si vëzhgues.“Hera e parë në Ukrainë ka qenë në zgjedhjet parlamentare në vitin 2005, ku kam qëndruar 40 ditë si vëzhgues. Ishte një fushatë shumë e nxehtë. Ajo që më bëri përshtypje në Ukrainë ishte se komisionieret ishin të gjitha femra. Thosha me vete si ka mundësi, që nuk shikoj burra? Përgjigja ishte që ata nuk kishin besim të burrat pasi pinin dhe nuk e bënin punën me korrektësi.”  Një tjetër pikë e nxehtë ku i është dashur të vëzhgojë ka qenë Kirgistani. “Në Kirgistan kam qenë tre herë, në vitet 2009, 2010, 2011, me afate të shkurtra. Kirgizët janë një popull afër Kazakistanit, në Azinë Qendrore. Herën e parë isha si vëzhgues në një rajon shumë të largët në malet Tianshen, në kufi me Kinën. Aty popullsia është myslimane dhe më pritën shumë mirë, duke filluar që nga polici. Kirgistani në atë kohë kishte probleme. President ishte Bakiyev, i cili u rrëzua më pas me grusht shteti, ku edhe mbetën shumë të vrarë. Në misionin e tretë unë u caktova në zonën më të nxehtë, në qytetin Osh, vendlindja e ish-presidentit Bakiyev. Vetëm pak kohë më parë në këtë qytet ishin djegur të gjallë 200 vetë. Aty ishte akoma shtetrrethim. Unë frikë kisha. Nuk lëvizja shumë nga hoteli.” Por edhe pse ishte një qytet i konsideruar me rrezikshmëri maksimale, Gazmendi thotë, se atmosfera e zgjedhjeve nuk përkonte me klimën politike. “Votimi nuk kishte probleme. Atje votimet ishin me lodër, me muzikë. Ata kishin një vegël që quhej Congoun dhe që në mëngjes shkonin në votime. Në disa vende kishin vendosur manjetofon, me muzikë të lartë dhe kërcenin jashtë qendrës, në oborrin e shkollës.” Gazmend Agai, ndërsa bën një krahasim të zgjedhjeve jashtë me ato në Shqipëri, thotë se problemet e këtushme nuk lidhen thjesht me politikën. “Në Shqipëri komisionerët janë të adresuar nga forca politike. Ata nuk kanë mirëkuptimin njerëzor. Janë tejet të politizuar. Të paktën në vendet që kam vizituar marrëdhëniet midis komisionierëve që ishin nga forca të ndryshme, ishin shumë më njerëzore. Nuk kam parë asnjë moment që të grinden. Kishte parregullsi që vinin nga ligji i zgjedhjeve, por jo brenda komisionerëve. Kurse këtu shkojnë deri në dhunimin e tjetrit.”

“Në Gjeorgji na fikën dritat dhe desh na vranë”

Zgjedhjet dhe mënyrat e votimit nuk ngjajnë me njëra tjetrën. Momentin më të vështirë, në punën e tij si vëzhgues ndërkombëtar, Gazmendi kujton zgjedhjet presidenciale në Gjeorgji më 2 janar të vitit 2008. “Klima e zgjedhjeve ishte shumë e nxehtë. Unë kam qenë në Kutaisi, një qytet shumë larg kryeqytetit Tbilisi. Votimi zhvillohej për zgjedhje presidenciale si edhe për referendumin për t’u anëtarësuar në NATO. Me dashje apo jo në qendrën ku unë isha vëzhgues në mesnatë u ndërpre energjia. Numërimi filloi të kryhej me qiri. Dy komisioniere, motra me njëra-tjetrën, nisën të ngatërronin me qëllim fletët e votimit. Në këtë kohë pranë qendrës afrohen demonstrues, të cilët i binin derës me sa fuqi kishin. Përkthyesja ime u frikësua dhe filloi të qante. Në disa qendra të tjera na kishin ardhur informacionet që kishte komisionerë të vrarë. Gjëja e parë që mendova ishte të hiqja kartën e akreditimit si vëzhgues” Fati i tyre i mirë e desh që t’ia hidhnin paq. “Demonstruesit ishin të porositur. Në atë moment komunikova me zyrën qendrore të Tbilisit ku i raportova për situatën e sigurisë në të cilën ndodheshim. Ata na thanë që sapo të qetësohet situata, shkoni në akomodimin tuaj, pasi siguria e vëzhguesit është më kryesore se monitorimi që po bëni. Ne nuk i shoqëruam në komision zonal për dorëzimin e materialeve. Sapo u bë numërimi, u larguam.” Në çdo vend ku ka shkuar, Gazmendi është hasur me modelin ndryshe të votimeve. “Në Gjeorgji fletën e votimit e fusnin në zarf. E mbyllnin zarfin dhe e fusnin në kutinë e votimit. Në mbrëmje komisionierët fillimisht numëronin sa zarfe ishin. Pastaj hapnin zarfet, numëronin votat. Pra ishte një procedurë shumë e gjatë.”

Në Bishkek, desh më gjobitën se tymosa në shesh

Ne çdo udhëtim që ka kryer, Gazmend Agai ka marrë me vete edhe grimca nga jeta e vende ku ka qenë vëzhgues. Janë grimca deri diku humoristike të cilat sot ai rrëfen si anekdota kudo që shkon. Në Bishkek, kryeqyteti i Kirgistanit, desh e gjobitën sepse tymosi në sheshin qendror të qytetit. “Ishte akoma president Bakiyev. Unë isha në misionin e dytë në Kirgistan. Ndodhesha në sheshin qendror të kryeqytetit. Pashë një polic por nuk më shkoi mendja se përse ndodhej aty. Unë ndeza një cigare. Në këtë moment polici afrohet dhe më thotë në gjuhën e tij: “Gjobë”. Unë nuk po kuptoja gjë fare. Në fakt u frikësova shumë. Aty qëlluan dy strudentë turq që dinin anglisht dhe gjuhën vendase. Ata më thanë që kisha shkelur ligjin, pasi kisha tymosur në vend të hapur. Më thoshin firmos dhe të paguash. Korrupsioni ishte: “Mos paguaj 30 dollarë, paguaj 15”. U thashë që jam këtu me mision diplomatik vëzhgues dhe nuk jam turist dhe po ta dija që ishte shkelje nuk do e pija. Nuk e pagova gjobën”. Gazmendi nuk harron edhe udhëtimin me avion në Osh. “Udhëtuam me një avion të cilit i kërcisin llamarinat. Kur kemi zbritur, të gjithë pasagjerët duatrokitën, nga kënaqësia që zbritën pa probleme.”

Në Kirgistan, muzika përfshihej në çmimin e supës

Në Kirgistan, Gazmendi kujton votimin familjar. Siç bëjmë edhe ne shqiptarët. Njerëzit votonin në grupe. Shumë të gëzuar, korrekt. Aty kishte probleme më shumë me dokumentacionin e komisioneve. Hapja e qendrave bëhej me vonesë. Nuk kishte rregull. Kryetari i komisionit më përcillte gjthmonë deri te dera. Më shikonte çfarë shkruaja. Më pyeste: “Është mirë? Kishte hall se mos unë shkruaja keq. Probleme ata kishin në mostrajnimin e komisionerëve. Ata kishin postera që orientonin votuesit dhe nuk i vendosnin. Nuk kishin shkruar protokollin e hapjes ose i kishin plotësuar me laps ndërkohë që duhej me stilolaps”.

“Në Osh kam qëndruar katër ditë. Popullsia ishte shumë e varfër. Më bëri përshtypje lokalet. Çmimet ishin të larta. Në menu ishte ndryshe dhe çmimi vinte dyfish. I pyesja përse? Kjo është është tarifa për muzikën që dëgjon klienti, -më thoshin.

Në Kazakistan, qendrat e votimit kishin dhoma gatimi

Një tjetër ngjarje interesante, që Gazmendi e kujton sot me humor është ajo në Kazakistan, ndërsa udhëtonin për në aeroport. “Ishim katër vëzhgues, nga vende të ndryshme. Taksistët ishin rusë, burrë e grua. Të dy i jepnin makinës si burri dhe gruaja. Meqenëse taksia nuk na nxinte të gjithëve, bashkëshorti u fut në bagazh ndërsa gruaja qëndroi në timon.” Në Kazakistan veçantia ishte se qendrat e votimit kishin dhoma gatimi. “Në çdo qendër votimi kishin dhoma gatimi. Kishin lënë dy veta që gatuanin për komisionierët. Madje mbaj mend që në Ukrainë anëtarja e komisionit na erdhi me vodka duke thënë që e kemi rregull këtu. Edhe pse janë vende në zhvillim komunikimi është shumë i mirë”

Në Kosovë, të huajt habiteshin me votimin familjar

Gazmend Agai punon për OSBE-ODHIR. Fillimisht ai ka qenë anëtar i ENEMO, (Rrjeti i Organizatave për Monitorimin e Zgjedhjeve” Misionet e tij monitoruese përfshijnë vende si Kazakistan, Kirgistan, Gjeorgji, Ukrainë, të njohura për demokracitë problematike. “Në fillim unë kam punuar si vëzhgues i pavarur në Shqipëri i ngarkuar nga NDI (Instituti Kombëtar Demokratik Amerikan), një organizatë kjo jo qeveritare e cila ka 20 vite që merret me vazhdimin e zgjedhjeve. Unë jam bërë anëtar i kësaj organizate në vitin 2003. Zgjedhjet e para që kam vëzhguar kanë qenë ato parlamentare të vitit 2005 në Shqipëri, më pas zgjedhjet lokale të vitit 2009 dhe në vitin 2011 kam qenë koordinatori i vëzhguesve në të gjitha qarqet e Shqipërisë.” “Çdo vend ka problematikën e vet por edhe të mirat. Unë kam qenë edhe në Kosovë si PIAR në zyrën qendrore të monitorimit. Dhe atje kishte probleme të cilat lidheshin me votimin familjar. Njëherë shefi i misionit më thotë “Gazmend ti je nga Shqipëria, duhet ta njohësh Kosovën. Mos ndoshta është në ligj që këta të votojnë familjarisht”.

 

Nga Dritan Laçi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu