Votimi për Gjykatën, proces i pakthyeshëm

0
556

Opozita

Partitë opozitare në Kosovë insistojnë se amendamenti kushtetues për Gjykatën Speciale për Krime Lufte nuk mund të kthehet në Kuvendin e Kosovës, për votim të sërishëm.

Ky reagim i opozitës, pason deklaratat e kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendësit të parë të tij, Hashim Thaçi, për riprocedimin e amendamentit kushtetues, të cilin Kuvendi e rrëzoi gjatë votimit më 26 qershor.

Liderët e tri partive opozitare, Visar Ymeri i Lëvizjes “Vetëvendosjes”, Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj i partisë “Nisma”, kanë zhvilluar një takim të përbashkët, gjatë të cilit kanë konstatuar se votimi në Kuvendin e Kosovës kundër themelimit të Gjykatës Speciale më 26 qershor, është vendim i pakthyeshëm.

“Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për refuzimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, i datës 26 qershor 2015 është përfundimtar dhe i pakthyeshëm. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet t’i nënshtrohet këtij vendimi”, konsideron opozita nëpërmjet një deklarate për media.

Çdo tentativë për ta përmbysur këtë vendim të deputetëve të Kuvendit të Republikës të shprehur lirshëm me votë të lirë, gjoja në emër të procedurave, sipas tyre, është tendencë për ta përmbysur rendin institucional dhe demokratik në vend.

“Gjithashtu, i thërrasim të gjithë akterët të përfshirë në këtë proces, qofshin “për” apo “kundër”, ta respektojnë vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga Visar Ymeri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj.

Ndryshe, në një intervistë për mediet lokale, zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi se amendamentet që i hapin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale do të riprocedohen edhe një herë në Kuvend. “Votimi i së premtes ishte dëshpërues dhe zhgënjyes, por ne kemi mbajtur një mbledhje të Qeverisë së Kosovës dhe kemi rënë dakord që të riprocedojmë, në mënyrë që të kemi një mundësi tjetër. Shpresoj që kjo çështje do të tejkalohet, do të riprocedohet dhe do t’i kemi votat e mjaftueshme për ta themeluar Gjykatën Speciale nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu