Vritet Osama Bin Laden

0
1005

PAKISTAN – ”Osama bin Laden është vrarë. Drejtësia u vu në vend”- Lajmërimi i presidentit të SHBA-së Barak Obama direkt në televizion tronditi SHBA-në dhe mbarë botën. Njeriu më i kërkuar, simboli i terrorit, truri i tragjedisë së 11 shtatorit të 10 viteve më parë në Nju Jork ka vdekur.

Dhe lajmi merr dhenë. Në SHBA nis festa. Në mes të natës njerëzit dalin në rrugë dhe festojnë, me thirrjet në kor: “Usa, Usa, Yes we can”, ( SHBA, SHBA, po ne mundemi) ndërsa valëvisin flamujt amerikanë.
Pas 10 vitesh Amerika tronditet me një lajm që shënon fitoren të cilën askush nuk e priste pas shumë vitesh kërkime ndërsa Bin Ladeni po dukej i pakapshëm.

CNN: BIN LADEN ESHTE VARROSUR NE DET
„Osama bin Laden është varrosur në det”- shkruan Cnn online duke cituar një funksionar të SHBA, sipas të cilit kufoma e liderit të Al Kaedës, është “trajtuar sipas traditësë islamike”. Por nuk jepen detaje të tjera


BERISHA: LAJMI SHUME I MIRE
“Një lajm shumë i mirë për paqen dhe luftën kundër terrorizmit”- e cilësoi kryeministri Berisha lajmin e vdekjes së Osama Bin Laden.
Kryeministri vazhdoi më tej duke u shprehur se “është Sukses i SHBA-së dhe presidentit Obama dhe ngushëllimi më i mire për mijëra familje të njerëzve që humbën jetën në aktet terroriste të Bin Ladenit

OPERACIONI: Bin Laden është vrarë me një plumb në kokë. Operacioni final për arrestimin e Bin Laden është kryer sot në Abbotabad, në luginën Orash në veri të Islamadadit, dhe është drejtuar nga një grup ushtarakësh elitë në përbërje të të cilit kishte dhe ushtarakë pakistanezë.
Operacioni kundër rezidencës sekrete të kreut të Al Kaedës, 70 km në veri të Islamabadit ishte planifikuar në dy muajt e fundit. Në operacion bashkë me Osama Bin Laden kanë mbetur të vrarë dhe 4 persona të tjerë.
Trupat ushtarake kanë arritur të marrin si provë trupin e vrarë të Bin Ladenit, pamjet e para të të cilit janë transmetuar nga televizioni pakistanez TV Express.

OBAMA: DREJTESIA U VU NE VEND

“Vdekja e Bin Ladenit shënon një nga arritjet më të rëndësishme të vendit tonë në luftën kundër Al Kaedës. Por vdekja e tij nuk shënon fundin e përpjekjeve tona. Nuk ka dyshime se Al Kaeda do të vazhdojë të përpiqet të na sulmojë ne. Ne duhet dhe do të jemi vigjilent si brenda dhe jashtë” nënvizoi  presidenti Obama.
Presidenti amerikan tha se forcat amerikane që morën pjesë në operacionin e vrasjes së Bin Ladenit nuk pësuan asnjë humbje.Obama falenderoi presidentin e Pakistanit Asif Ali Zardari për bashkëpunimin.
“Ne duhet të rikonfirmojmë se Shtetet e Bashkuara nuk janë e kurrë nuk do të jenë në luftë me islamin. E kam bërë të qartë ashtu siç e tha dhe presidenti Bush pas 11 shtatorit se lufta jonë nuk është kundër islamit, Bin Ladeni nuk ishte udhëheqës i myslimanëve, por një vrasës masiv i myslimanëve.
Al Kaeda ka masakruar myslimanë në shumë vende përfshi këtu tek ne. Ikja e tij do të mirëpritet nga të gjithë ata që besojnë tek paqja dhe dinjiteti njerëzor”, tha Obama.

FESTA NE NJU JORK

Mijëra njerëz janë mbledhur përpara Shtëpisë së Bardhë dhe në vendin ku dikur ishin kullat binjake në Nju Jork duke valëvitur flamuj amerikanë.  Presidenti Obama përpara se të bëjë lajmin publik ka informuar presidentin Bush dhe Clinton. Presidenti Bush përmes një deklarate tha se kjo ishte “fitore e madhe për Amerikën”.

Kryeminsitri britanik, ndër të parët që ka reaguar pas vrasjes së Bin Ladenit, ka thënë se vdekja e Bin Ladenit ka sjellë “lehtësim të madh” në të gjithë botën.
Kryebashkiaku i New York, Mchael Blumberg tha se shpreson që lajmi të ndihmojë të afërmit e viktimave të 11 shtatorit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu