VV: Fati i Kosovës është i lidhur me fatin e Trepçës

0
786

Po e shkatërrojnë Trepçën për ta shitur atë

Minatorët prapë në grevë. Prapë në Trepçë. Dhe prapë në një moment vendimtar për Kosovën. Ajo që filloi dje në formë të protestës e që rezultoi në grevë të pastajme të 700 minatorëve të Trepçës, është reagim i arsyeshëm dhe i natyrshëm ndaj asaj që po ndodh Kosovës dhe Trepçës, apo Trepçës dhe Kosovës. Shteti i uzurpuar dhe zaptuar, institucionet shtetërore të kidnapuara, paraja publike e keqmenaxhuar dhe e vjedhur, agjencitë shtetërore e kompanitë publike të kolonizuara e shkatërruara (për t’u privatizuar), janë të gjitha duke i ndodhur Trepçës. Ajo është kapur nga njerëz që publikisht e kanë pranuar se kanë qenë agjentë të ShIK-ut, është keqmenaxhuar duke mos i dhënë askujt llogari e madje as informatë për çfarë po ndodh në të, dhe tash po bëhet gati për likuidim e shitje nga të njëjtit persona e nga e njëjta qeveri. Fati i Trepçës është i lidhur ngushtë me fatin e Kosovës, sepse Kosova është e lidhur ngushtë me Trepçën.

Trepçës po i kanoset copëtimi e shitja, nga e njëjta qeveri që po e copëton e shet Kosovën. Rrjedhimisht brohoritjet e minatorëve kundër privatizimit të Trepçës, dhe për mosnjohje të AKP-së jo vetëm që janë të qëlluara por edhe duhet përkrahur deri në fund. Privatizimi përkatësisht AKP-ja e shkatërrojnë Trepçën, duke e shndërruar atë në një ndërmarrje nxjerrëse/eksploatuese të xeheve të Kosovës, pa kurrfarë rritje të kapaciteteve përpunuese dhe shtuese të vlerës. Kjo rezulton në përfitime marramendëse financiare për kapitalin privat, me shumë pak përfitime për Kosovën si shtet dhe popullin e Kosovës. Kjo pastaj rezulton në rritjen e armatës së punëtorëve me kualifikim të ulët, të cilët për shkak të kësaj por edhe për shkak të shkallës së lartë të papunësisë, nuk do ta kenë kurrë mundësinë të organizohen kolektivisht për avancim të drejtash e kushtesh në punë. Privatizimi i një gjiganti industrial çfarë është Trepça e rrit tej mase oreksin e hienave të parasë së shpejtë në zyrat tona qeveritare, të cilët përmes korrupsionit financiar dhe korruptimit politik, vazhdojnë të krijojnë pasuri të mëdha. Trepça është ndërmarrje, punëtorë, dhe resurse me rëndësi strategjike, ekonomike, politike e shoqërore për Kosovën. Ajo duhet të jetë e paprivatizueshme.

Emërimi i Eset Ujkanit si ushtrues detyre i menaxherit të Trepçës duhet të kundërshtohet. Ky njeri nuk e ka as kredibilitetin më të vogël moral e profesional për të shërbyer në atë pozitë. E vetmja cilësi që ai ka është afërsia kriminale me partinë në pushtet dhe shërbimin e saj ShIK. Madje, Eset Ujkani më 18 maj 2007, si pjesë e një grupi prej 7 personave të PDK ka drejtuar rrahjen e aktivistëve të VETËVENDOSJE!s në një tubim publik në prani edhe të Hashim Thaçit. Emërimi i Ujkanit në këtë pozitë e vazhdon kolonizimin nga ShIK të ndërmarrjeve publike e shoqërore të Kosovës. Kolonizimi kurrë nuk është i mirë. Zaten kjo nuk është hera e parë që masat e dhunshme po i vendosen dhe imponohen Trepçës e minatorëve. Dhe nuk është hera e parë që këto masa të dhunshme, të cilat vijnë nga instanca që duan të përfitojnë nga Trepça e jo ta zhvillojnë atë, refuzohen aktivisht nga minatorët.

Greva e minatorëve e tregon më së miri se ku e ka katandisur Kosovën kjo qeveri. Pas tërë asaj historie të përpjekjes dhe luftës për çlirim, sot jemi në një gjendje ku kundërshtohen masat e dhunshme, kundërshtohet shpërdorimi i Trepçës për përfitime të paligjshme, kundërshtohet tendenca për ta privatizuar atë (pra, që nga Trepça të përfitojë tjetërkush e jo Kosova), dhe ku këtë kundërshtim e bëjnë minatorët në grevë, në Trepçë. Për Trepçën duhet të angazhohemi të gjithë. Trepçën duhet ta mbrojmë të gjithë, sikur secilën pasuri tjetër të Kosovës. Sikur edhe më parë, këtë e nisën minatorët.

Ftojmë minatorët që të mos bien pre e lajkave të qeverisë si dhe të mos lejojnë që protesta e tyre parimore t’i shërbejë interesave kriminale të zyrtarëve qeveritarë dhe njerëzve të afërt me ta.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

18 Korrik 2012

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu