VV kërkon nga Thaçi e Jahjaga të reagojnë për dhunën ndaj shqiptarëve në Serbi

0
797

VV

Lëvizja Vetëvendosje, kërkon nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri në largim Hashim Thaçi, që të reagojnë në lidhje me siç thonë ata, dhunën që po ushtrohet ndaj shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

“Lëvizja Vetëvendosje po përcjellë me vëmendje të plotë reagimet dhe zhvillimet e ngjarjeve pas lojës Shqipëri-Serbi që ndodhën në fillim të kësaj jave. Me shqetësim po marrim lajme për sulmet ndaj shqiptarëve që jetojnë në Serbi. Këto sulme që nuk janë risi e kësaj jave, por që ndodhin në baza ditore, e në mënyrë sistematike kundër bashkëkombësve tanë, nuk kanë gjetur kurrë as reagim institucional e as joformal qoftë nga Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga qoftë nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e tyre.

Vetëvendosje thotë se përfaqësuesit e Qeverisë, në asnjë moment nuk i kanë dalë në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Serbi, e në anën tjetër sipas VV-së, kjo qeveri me nënshtrim të plotë ka marrë pjesë në një dialog të pabarabartë me Serbinë.

“Përveç masave konkrete, as edhe një letër e vetme proteste nuk i është dërguar Serbisë për incidentet e shumta që kanë ngjarë ndaj shqiptarëve atje. Kështu po ndodh edhe sot”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Për Vetëvendosjen, është detyrë e secilës Qeveri, madje edhe asaj që është në ikje, të reagojë për të mbrojtur të drejtat e bashkëkombësve të saj kudo që jetojnë. Paaftësia për të reaguar dhe për të kërkuar mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetin e shqiptarëve, sipas Lëvizjes Vetëvendosje i legjitimon si të drejta aktet vandale ndaj tyre.

“Qeveria e skaduar që nuk i kursen ditët e numëruara për të nënshkruan kontrata gjysmë miliardësh për autostrada, për të keqpërdorë buxhetin për privilegje personale, po vazhdon të jetë e heshtur përballë sulmeve të paramenduara fashiste e raciste ndaj popullatës shqiptare. Po ashtu asnjë reagim nuk po vjen nga Presidentja Jahjaga, roli i të cilës është drejtimi i politikës së jashtme të Republikës tonë. Teksa çdo ditë flitet në forume vendore e ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave kudo në botë është e patolerueshme heshtja përballë cenimit ekstrem të shqiptarëve në Serbi”, thuhet më tutje në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu