VV: Lirohen aktivistët e arrestuar nga Re-XHEPI!

0
732

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, të arrestuar të hënën në kolegjin ISPE, gjatë aksionit politik “Fiu, fiu, po të fryen veriu”,u liruan të martën nga Gjykata për Kundërvajtje në Prishtinë, me procedurë të rregullt.

Ata u akuzuan për pengim në grup të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës, neni 318 dhe dëmtim i pronës së paluajtshme, neni 260, nga prokurori Haki Geci.

“Aktivistët u mbajtën 24 orë në paraburgim, për të vetmin fakt se patën guxim ta kritikojnë mosveprimin e ministrit Bajram Rexhepi në veri, me anë të shpalosjes së një baneri, shpërndarjes së fletushkave dhe fishkëllimave”, njofton Vetëvendosje.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, aktivistët fillimisht janë ndaluar në lokalet e kolegjit ISPE, ku janë ndarë djemtë nga vajzat, janë futur në një dhomë ku mbahej mësim i rregullt dhe “në sy të studentëve dhe profesorit të tyre, janë rrahur brutalisht nga truprojat e Bajram Rexhepit dhe personeli tjetër i sigurisë në kolegj”.

“Aktivistët Pajtim Demaj, Genc Sherifi dhe Gëzon Kastrati janë goditur me shqelma dhe grushta pasi u janë vënë xhaketat mbi kokë”, thekson Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një njoftimi për medie, dënon ashpër dhunën e ushtruar nga truprojat e Bajram Rexhepit dhe persona të tjerë ndaj aktivistëve të saj.

“Shndërrimi i dhomave të kolegjit në qeli torture, tregon qartë se në çfarë gjendje kjo Qeveri e ka katandisur shoqërinë tonë”, ka theksuar Vetëvendosje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu