VV: Qeveria po e ndihmon kolonizimin në veri

0
778

levizja-vetevendosje-logo

Lëvizja Vetëvendosje përkrah iniciativat e shqiptarëve për të rindërtuar shtëpitë e tyre të djegura në lagjen “Kroi i Vitakut” në veri të Mitrovicës. Kthimi i shqiptarëve në këto shtëpi, thonë se është e drejtë e pamohueshme.

Në vend të ofrimit të mbështetjes, sipas VV-së, Qeveria me institucionet e veta sot garanton vetëm pengimin e shqiptarëve.

“Derisa shqiptarët arrestohen, ndërtimet ilegale shumëkatëshe të serbëve po lulëzojnë në këtë pjesë të vendit. Siç po thonë edhe qytetarët shqiptarë të kësaj pjese, legalët e ilegalët janë bërë bashkë për t’i ndaluar shqiptarët. Dy janë palët që kanë marrë pjesë në ndalimin e ndërtimit kanë marrë pjesë, Mbrojtja Civile që është organ nën organogramin e MUP-it të Serbisë si dhe Policia e Kosovës”, thuhet në një komunikatë të tyre.

Ky subjekt vlerëson se derisa pushteti i ka vënë në majë të institucioneve shumë persona nga ky qytet, si: Kadri Veseli, Bajram Rexhepi, Enver Hasani, Bedri Hamza, Ismet Kabashi, Ahmet Tmava, Kamishi, Behxhet Haliti dhe Enver Peci, Mitrovica vazhdon të jetë e ndarë dhe të varfërohet edhe më shumë.

Vetëvendosje thotë se mungesa e veprimeve të bashkërenduara për të krijuar kushte për ndërtimin e
shtëpive në lagjen “Kroi i Vitakut” në pjesën veriore të Mitrovicës po e shpërfaq dështimin institucional dhe shtetëror.

Sipas këtij subjekti, rezistenca dhe përpjekja e shqiptarëve pa asnjë përkrahje dhe me pengim të qëllimshëm është thirrje që dëshmon se prezenca e shtetit të vetëm aty, është ajo e shtetit të Serbisë.

Qeveria e Kosovës, sipas VV-së që tash është në koalicion edhe me Beogradin përmes Listës serbe, në vend se t’ua sigurojë të gjithë qytetarëve trajtimin e barabartë dhe ta integrojë këtë pjesë nën ingerencat institucionale, ligjore e sovrane të Republikës së Kosovës, është duke inkurajuar Serbinë për ta shtrirë ndikimin dhe kontrollin në Kosovë.

“Këto janë pasojat që ka sjellë Marrëveshja e 19 prillit përmes regjionalizimit dhe etnizimit të policisë në veri të Mitrovicës dhe Asociacionit të Komunave Serbe, ku tash nuk mund të ketë ndërtim të shtëpive të shqiptarëve pa pajtimin e serbëve për këtë”, thotë Vetëvendosje.

Zbatimi i kësaj marrëveshjeje në terren përveç që i legjitimoi strukturat ilegale e kriminale serbe, tani po i legalizon edhe politikat antishqiptare të tyre, duke e betonizuar diskriminimin ndaj shqiptarëve në veri të Kosovës, që për pasojë do të ketë vazhdimin e shpërnguljes së shqiptarëve dhe kolonizimin e veriut me serbë. /kp/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu