VV ratifikimin e Marrëveshjes e “përshëndet” me demonstratë

0
560

Prishtinë, 25 qershor – Lëvizja Vetëvendosje, ashtu siç kishte paralajmëruar, sot përmes një konference për medie bëri thirrje që ratifikimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë të pritet me demonstrata. Lideri dhe nënkryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti  e Shpend Ahmeti, gjatë një konference të jashtëzakonshme thirrën popullin për të kundërshtuar marrëveshjen Thaçi – Daçiç, në demonstratën që do të mbahet të enjten, më 27 qershor, nga ora 9:00, para Kuvendit të Republikës së Kosovës

Albin Kurti duke drejtuar thirrjen për demonstratë, tha se Qeveria e Kosovës po orvatet që ta ratifikojë në Kuvendin e Kosovës Marrëveshjen Thaçi-Daçiq e ndoshta edhe Planin e zbatimit. PDK-ja do që ta shpërndajnë përgjegjësinë edhe me LDK-në e AAK-në dhe t’i nënshtrojë të dyja këto. Kështu Daçiçi po e përdor Thaçin dhe Marrëveshjen me të për ta avancuar Serbinë edhe drejt BE-së edhe brenda Kosovës, ndërkaq Thaçi po e përdor Daçiqin dhe Marrëveshjen me të për t’i dominuar LDK-në dhe AAK-në si dhe për imunitet ndaj EULEX-it.

Një Qeveri e cila edhe nga Freedom House është cilësuar si regjim gjysmë-autoritar kurrsesi nuk do të duhej të flasë në emrin tonë dhe të marrë vendime për neve. Kuvendi i Kosovës do të jetë Kuvend dhe do të jetë i Kosovës vetëm në masën në të cilën është rezistencë ndaj kësaj Qeverie. Thaçi dhe qeveritarët e tjerë janë të përfshirë në korrupsion dhe në krim të organizuar. Kjo Qeveri është Qeveri mafioze dhe bisedat e përgjuara të aferës “Pronto” që dolën në publik e dëshmuan këtë gjë.

Paqja dhe stabiliteti po mbahen përmes dialogut e marrëveshjeve ndërmjet kriminelëve të korrupsionit në Prishtinë dhe kriminelëve të luftës në Beograd. Normalizimi i marrëdhënieve është normalizim i marrëdhënieve ndërmjet kriminelëve të cilët e kanë gjetur gjuhën e përbashkët sepse i kanë interesat e përbashkëta.

Qeveria e Kosovës synon që me anën e ratifikimit të Marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës t’ia minojë rezistencën Gjermanisë ndaj Serbisë sa i përket dhënies së datës së fillimit të negociatave për anëtarësim në BE. Le të mos harrojmë që Gjermania nuk ka qenë për dhënien e statusit të vendit kandidat për Serbinë, porse kjo u ndryshua pas pranimit të fusnotës për Kosovën në kuadër të dialogut teknik.

Në njërën anë po federalizohet Kosova përbrenda me këtë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili zgjerohet me vetëdëshirë, shpërbëhet me vetëdëshirë, ka mbikëqyrje të plotë mbi zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë, planifikimin urban e rural, ka fond të vetin zhvillimor duke shkatërruar unitetin fiskal e doganor të Kosovës, si dhe komandant të policisë doemos serb e degë të veçantë të gjyqësisë. Në anën tjetër, Kosovës aq shumë po i trashet varësia me Serbinë thua se jemi në një federatë me të. Daçiçi po e përcakton edhe datën e zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe kjo marrëveshja 19 prillit është e para e kushedi sa marrëveshjeve të tjera në rend për interpretimin dhe zbatimin e së cilave rregullisht do të pyetet edhe Serbia si hisedare.

Marrëveshja 15 pikëshe Thaçi-Daçiq nuk e ka formën e as formatin e marrëveshjes ndërkombëtare. Qeveria e Kosovës nuk e dërgoi atë në Gjykatë Kushtetuese për verifikim. Kjo marrëveshje nuk është përnjëmend e nënshkruar por vetëm e parafuar me iniciale në dy dokumente të ndara. Pra, njëri dokument mban inicialet e kryeministrit të Kosovës, Thaçi, e të Baroneshës Ashton, kurse tjetri të Baroneshës Ashton dhe kryeministrit të Serbisë, Daçiç. Në fakt, kjo marrëveshje është edhe më e varfër se kaq: të gjithë kanë vënë inicialet e tyre si persona, si individë, jo si krerë shtetërorë apo përfaqësues politikë.

Dihet që Serbia nuk e njeh Kosovën, nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, prandaj ajo mund ta pranojë Qeverinë e Kosovës por jo Republikën e Kosovës dhe, rrjedhimisht, jo Qeverinë e Kosovës si Qeveri të Republikës së Kosovës. Kjo marrëveshje nuk është ndërkombëtare. Ajo edhe cilësohet, lexohet e quhet ndryshe nga palët. Këtu s’ka marrëveshje për marrëveshjen. Qeveria e Kosovës po e quan Marrëveshje e Parë e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, por Serbia dhe Qeveria e saj nuk e quajnë kështu.  

Pse Qeveria e Kosovës po ngutet që të bëhet ratifikimi në Kosovë para se të bëhet ratifikimi në Serbi? Me këtë mënyrë, plagës në Kosovë Thaçi po ia shton fyerjen, ndërkaq shërbimit që po ia bën Serbisë po ia shton dhuratën. Marrëveshja Thaçi-Daçiq duket që nuk do të ratifikohet fare në Kuvendin e Serbisë sepse atje nuk konsiderohet marrëveshje ndërkombëtare dhe pranimi i saj nuk po e merr as formën e një ligji në Serbi por vetëm atë të aktit nënligjor që kalon nëpër Qeveri.    

Në Kosovë përfundimisht është suspenduar shtetndërtimi. Në vend të shtetndërtimit kemi ndërtim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në Kosovë janë suspenduar edhe idetë për zhvillim ekonomik. Në vend të zhvillimit ekonomik për Kosovën kemi sajim të Fondit zhvillimor për veriun.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe zhvillimi i saj po bëhen FAKT sikurse Republika Serbe në Bosnje, ndërkaq pavarësia e Kosovës po mbetet vetëm OPINION sikurse ai i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.   

Ne do ta kundërshtojmë fuqishëm ratifikimin e paralajmëruar, brenda Kuvendit e jashtë tij. 

Në veçanti u bëj thirrje të gjithë veprimtarëve të çështjes kombëtare dhe të burgosurve politikë, të gjithë pjesëmarrësve në demonstrata e anëtarëve të organizatave ilegale e gjysmëlegale të ’64-tës e të ‘68-tës, të ’75-tës e të 81-shit, të ‘89/’90-tës e të ‘97/’98-tës, si dhe të gjithë luftëtarëve të lirisë që nuk iu përkulën regjimit në fuqi, që ta ngrenë zërin e ta rezistojnë këtë marrëveshje, ratifikimin e saj dhe zbatimin e saj. Sepse, kjo marrëveshje nuk ka të bëjë me ta dhe shkel e fyen kontributin e aktivitetin e secilit prej nesh dhe të gjithë neve, tha Kurti.

Edhe nënkryetari kësaj Lëvizjeje, Shpend Ahmeti në thirrjen e tij akuzoi Qeverinë se po zbaton politikat e Beogradit në Kosovë dhe në dëm të vendit. Në veçanti a rikujtoi datën tre nëntor, të paraparë përzgjedhjet lokale, si datë që e ka kërkuar Serbia, sikundër edhe emërimin e komandantit të policisë për katër komunat veriore të Kosovës, duke e akuzuar ministrin e Brendshëm Bajram Rexhepi si një marionetë. 

“Protesta është të enjten, sepse vendimi i Kryesisë së Kuvendit është që ta ketë në rend të ditës, por ne jemi të gatshëm edhe nëse e sjellin në Kuvend  nesër, e mërkurë,  në një mbledhje të jashtëzakonshme.

Prandaj, duhet të jemi dhe jemi në gjendje gatishmërie këto ditë, në mënyrë që ta kundërshtojmë ratifikimin e kësaj varësie ndaj Serbisë”, tha Ahmeti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu