VV: Rezoluta e PDK-së për nënshtrim ndaj Serbisë

0
782

Grupet Parlamentare të PDK-së, AAK-së, KKR-së, SLS-së dhe Grupit 6+, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të mbajtur të hënën, sollën një Rezolutë që thuhet të jetë për ‘normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë’. Kjo Rezolutë do të diskutohet në Kuvendin e Kosovës të enjten që vjen.

Sipas zyrtarëve të Vetëvendosjes, pa dyshim që kjo Rezolutë ka për qëllim ta legjitimojë fillimin e dialogut politik me Serbinë dhe, ashtu siç thuhet në pikën e saj të katërt, të autorizohet ‘Qeveria e Republikës së Kosovës që të udhëheqë me këtë proces, me pjesëmarrje të Komisioneve të nevojshme të Kuvendit të Kosovës’.

“Ky dialog me Serbinë, pa kushte për Serbinë dhe për çështje që janë të Kosovës, është i padrejtë dhe i dëmshëm. Rezultati i tij do të jetë avancimi i Serbisë drejt BE-së dhe avancimi i veriut të Kosovës me Serbinë”, thotë Vetëvendosje.

Vetëvendosje thekson se në bazë të tekstit të shkruar në rezolutë, pranohet se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk janë normale, por nuk përmend asnjë arsye se pse këto marrëdhënie janë abnormale.

“E kaluara dhe e tashmja e Serbisë në Kosovë janë kriminale. Ata asnjëherë nuk e ndryshuan qëndrimin dhe qëllimin e tyre ndaj shqiptarëve. Dhe tash pushteti në Serbi, me koalicionin e zëvendësit të Sheshelit dhe zëdhënësit të Millosheviqit, është i linjës nazi-fashiste. Prandaj, është alarmues fakti që disa subjekte politike duan që Kosova ta lus prapë Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve”, thonë në Vetëvendosje, duke shtuar se “një këso Rezolute do të duhej ta miratonte Kuvendi i Serbisë dhe jo Kuvendi i Kosovës”.

Lëvizja Vetëvendosje ju bën thirrje edhe njëherë deputetëve të partive opozitare që, siç thuhet në një komunikatë të këtij subjekti politik, “të mos e ndihmojnë këtë Qeveri e cila kurrë nuk ka qenë më e dobët dhe kurrë nuk e ka dobësuar më shumë Kosovën”.

“Kosova nuk bëhet me sovranitet dhe integritet territorial duke dialoguar me Serbinë. Kosova nuk zhvillohet ekonomikisht duke u shitur pasuria publike. Kosova nuk mund të ketë ditë të mira me këtë Qeveri”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Në vijim, mund ta lexoni tekstin e plotë të Rezolutës së grupeve Parlamentare të PDK-së, AAK-së, KKR-së, SLS-së dhe Grupit 6+:

Legjislatura IV

Kuvendi,

Duke respektuar dhe kujtuar gjithmonë të kaluarën e hidhur dhe luftën e përgjakshme të popullit tonë për liri e pavarësi,

Të përkushtuar për të ndërtuar një të ardhme në paqe dhe harmoni me fqinjët tonë,

Të vendosur për të punuar bashkërisht në integrimin e shpejtë të Kosovës në Bashkim Evropian dhe në NATO,

Në bazë të nenit 65.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të nenit 6.1 të rregullores së Kuvendit, në mbledhjen plenare të mbajtur më_________, me propozim të Grupeve Parlamentare të PDK-së, AAK-së, KKR-së, SLS-së dhe Grupit 6+

REZOLUTË

Për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështet procesin për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane, Kosovës dhe Serbisë, në interes të zgjidhjes së problemeve në mes të dy shteteve, përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe të avancimit të agjendës evropiane për të dy shtetet dhe për rajonin.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës rikonfirmon parimin që ky proces midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë të lehtësohet nga BE dhe mbështetet fuqishëm nga SHBA-të.

3. Dialogu dhe rezultatet e tij duhet të jenë në pajtim me sovranitetin e Kosovës, subjektivitetin ndërkombëtarë, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm kushtetues të Kosovës.

4. Kuvendi i Republikës së Kosovës autorizon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të udhëheqë këtë proces, me pjesëmarrje të Komisioneve të nevojshme të Kuvendit të Kosovës.

5. Qeveria e Republikës së Kosovës është e obliguar të raportojë për procesin e normalizimit të relacioneve midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë në Kuvendin e Kosovës rregullisht.

6. Rezultati final i procesit të normalizimit të relacioneve midis dy shteteve do të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës.

 


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu