VV: Të ndalen bisedimet për veriun

0
768

Përplasja që ndodhi në datën 1 qershor në veri të Kosovës edhe një herë vë në pah brishtësinë e sigurisë në Kosovë, vlerëson Lëvizja Vetëvendosje.

Kërcënimi publik që shpërfaqin strukturat kriminale të Serbisë në Kosovë tregoi persistencë, pavarësisht lëshimeve që Kosova ka bërë përmes negociatave të padrejta e të pabarabarta me Beogradin, theksohet në një komunikatë të kësaj lëvizjeje.

Ky kërcënim publik, që shfaqet përmes barrikadave, përmes spastrimit etnik të shqiptarëve që jetojnë në ato fshatra, përmes dhunës direkte dhe vrasjes së banorëve siç ndodhi në rastin e Selver Haradinajt, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, nuk mund të paqtohet e nuk mund të zgjidhet përveçse duke shtrirë në ato zona kontrollin dhe sovranitetin shtetëror e institucional të Republikës së Kosovës.

“Ngjarjet e 1 qershorit konfirmojnë edhe një herë qëndrimin e drejtë të Lëvizjes Vetëvendosje se Kosova ka nevojë për ushtri të sajën. Janë disa aspekte të sigurisë që i përkasin policisë, por janë edhe ca të tjera që i takojnë ushtrisë. Policia ruan rendin publik, por integriteti territorial dhe mbrojtja e kufijve janë arsyeja pse ekzistojnë ushtritë. Kosova është i vetmi shtet në Ballkan që nuk ka ushtri. Dhe, Kosova është shteti më i rrezikuar në Ballkan, për shkak të apetiteve të Serbisë të cilat nuk janë teori konspirative, por janë shpallur haptazi. Shpallja dhe bërja e FSK-së ushtri do t’ia lehtësonte punën NATO-s”, theksohet në komunikatë.

Lëvizja Vetëvendosje, po ashtu e dënon sulmin mbi ushtarët e KFOR-it, dhe i dëshiron të lënduarve shërim sa më të shpejtë.

Ndërkaq, integrimi i veriut dhe bashkimi i Mitrovicës, sipas Vetëvendosjes, nuk duhet kuptuar vetëm si një çështje e lirisë së lëvizjes. “Kjo është një çështje vitale për sigurinë dhe mirëqenien e popullit të Kosovës, e për këtë arsye duhen shkatërruar strukturat kriminale të Serbisë, duhet shporrur MUP-i prej andej, ndërsa paralelisht nevojitet një plan gjithëpërfshirës i zhvillimit ekonomik”.

“Duhet kuptuar se integrimi i vërtetë dhe i qëndrueshëm nuk është vetëm integrimi institucional, por edhe ai shoqëror. E këtë të fundit e garanton veçse zhvillimi ekonomik i përqendruar në prodhim e në punësim”.

Vetëvendosje edhe një herë ka bërë thirrje që të ndalen bisedimet për veriun, përderisa atje janë në veprim strukturat ilegale shtetërore të Serbisë, sepse këto bisedime – sipas kësaj lëvizjeje – paraqesin inkurajim për ato struktura dhe për vetë Beogradin.

“Sa i përket serbëve lokalë që nuk janë të përfshirë në ato struktura, me ta është e kotë të bisedohet për sa kohë i kanë strukturat armiqësore e kriminale të Serbisë mbi kokë. Problemet në Kosovë nuk vijnë nga mungesa e dialogut, por nga apetitet e Serbisë”, përfundon komunikata e Vetëvendosjes.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu