(E plotësuar) Lëvizja Vetëvendosje përfundoi protestën, të mbajtur në përkrahje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Në fjalimin e tij, kryetari i kësaj lëvizje Albin Kurti tha se në bisedimet mes Thaçit e Daçiqit është falur Presheva, duke shtuar se kjo protestë është kundër koalicionit Thaçi-Daçiq.
***
Mijëra protestues i janë përgjigjur thirrjes të Lëvizjes Vetëvendosje për të marrë pjesë në protestën e solidarizimit me popullin shqiptar, i cili jeton në Luginën e Preshevës.
Protestuesit, pas një marshute nëpër rrugët e Prishtinës, në këto momente janë nisur drejt Teatrit Kombëtar në kryeqytet, ndërsa dëgjohen brohoritjet: “Me hajna s’ka bashkim”, “Lugina do drejtësi jo hipokrizi”. “Lugina është e jona”. “Thaçin e japim, Luginën se japim” “Qeveri shko në veri, mati forcat me Serbi” etj.
Protestuesit po mbajnë flamuj kombëtarë dhe të UÇK-së, si dhe parulla të ndryshme.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se me anë të protestës kërkojnë respektimin e të drejtave civile dhe kthimin e lapidarit me emrat e dëshmorëve të UÇPMB-së, në vendin e mëparshëm.
Kërkesat e Vetëvendosjes, në këtë protestë janë respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Luginë, kthimi i lapidarit, ndërprerja e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, kthimi i plotë i reciprociteti me Serbinë, si dhe shtrirja e sovranitetit në tërë vendin. /Zëri/
Arrestohet dy aktivistë të VV-së
Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, siç raporton Vetëvendosje, ka ndaluar autobusin me protestues që po vinte nga Prizreni dhe “kanë arrestuar Karanfil Haxhillarin dhe Agron Limanin”.