VV turqve: Larg duart nga KEK-u

0
410

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një letre të hapur, ka shprehur shqetësimin e saj rreth zhvillimeve të fundit lidhur me privatizimin e rrjetit të distribucionit dhe shpërndarjes së KEK-ut.

Vetëvendosje thotë se distribucioni i energjisë elektrike, ku përfshihet rrjeti por edhe tregu i saj, janë pasuri publike e Kosovës.

“KEK-u është një ndërmarrje publike e ndërtuar dhe e mirëmbajtur nga populli i Kosovës përgjatë 50 viteve të fundit. Rrjeti i distribucionit është një monopol natyror që nuk e lejon konkurrencën, si i tillë nuk mund të vendoset në duart e interesave private. Për ndërtimin, mirëmbajtjen, menaxhimin dhe zhvillimin e kësaj prone publike kanë paguar tatime, kanë dhënë kontribute të drejtpërdrejta, kanë derdhur djersën dhe kanë dhënë mundin dhe sakrificën e tyre me qindra mijëra qytetarë të Kosovës”, thuhet në letrën e Vetëvendosjes.

Më tej, kjo Lëvizje thotë se kjo ndërmarrje duhet të mbetet publike sepse, sipas tyre, “furnizimi me energji elektrike është kusht themelor për mirëqenien e qytetarit dhe të shoqërisë”.

Vetëvendosje thotë se do bëjë të pamundurën që ky privatizim të ndalet, pasi që, sipas tyre, procesi i deritashëm i privatizimit të Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike është një proces krejtësisht jo legjitim dhe jo demokratike, i cili udhëhiqet nga një qeveri jo legjitime dhe të zgjedhur në një mënyrë jo demokratike.

Subjekti politik opozitar, Vetëvendosje, thotë se kjo Qeveri ka ardhur në pushtet duke e deformuar votën e qytetarit. Ata citojnë raportin e ENEMO[1], ku, sipas tyre, thuhet se “38% të votave të qytetarëve gjatë procesit të fundit zgjedhor të vitit 2010 kanë qenë të vjedhura, keqpërdorura dhe dhunuara kryesisht nga partia në pushtet”, e që, sipas Vetëvendosjes, “ky fakt e bën Hashim Thaçin kryeministër të votës së vjedhur e jo të vullnetit të qytetarëve”.

Vetëvendosje thekson se i tërë procesi i zhvilluar deri tash për privatizimin e KKDFE-së është zhvilluar prapa shpinës së publikut, dhe nuk ka pasur asnjë legjitimitet madje as formalo-institucional.

Sipas tyre, vendimi i qeverisë për privatizim i arritur në vitin 2008 është vendim që i paraprinë themelimit të kompanisë, ndërkohë që miratimi që Kuvendi i Republikës së Kosovës i bën këtij privatizimi është vetëm në parim, pa u themeluar kompania dhe madje pa e pasur as idenë më të vogël se çka do të shitet, e aq më pak sa do të shitet.

Të dyja këto vendime, sipas Vetëvendosjes, janë nxjerrë në vitin 2008, pra katër vite para momentit kur ju jeni shpallur fitues të tenderit.

Vetëvendosje dyshon edhe në procesin e tenderimit rreth legjitimitetit të prokurimit, duke qenë se, realisht, sipas tyre, “ky privatizim ka qenë privatizim një burimor, me kompaninë e dytë pjesëmarrëse në proces të painteresuar fare për garë”.

“E drejta për qasje në energji elektrike cenohet nga ky proces privatizimi i udhëhequr nga qeveria Thaçi, në llumin e së cilës tashmë po notoni edhe ju. Privatizimi nuk ka rezultuar as me rendiment më të lartë e as më efikas për ish-ndërmarrjet publike të Kosovës të cilat janë shitur me çmime qesharake dhe ofenduese. Nga procesi i privatizimit në Kosovë kanë humbur vendet e tyre të punës mbi 70,000 punëtorë. Nga i njëjti proces, sot me mijëra punëtorë punojnë në kushte të mjerueshme të punës, me orare të stërzgjatura, me kontrata të shkurtra dhe me rroga minimale, ndërkohë që llogaritë personale të pushtetarëve që kanë drejtuar këto procese kanë ardhur duke u fryrë vazhdimisht. Me privatizimin e KEK-ut qeveria Thaçi po kryen krimin ekonomik të radhës”, thuhet më tej në letrën e hapur të Lëvizjes Vetëvendosje.

 

Vetëvendosje thekson se ky privatizim nuk përkrahet nga shumica e aktorëve të prekur nga ky proces. “Privatizimi i distribucionit po kundërshtohet sot nga punëtorët, organizatat e shoqërisë civile, subjekte të ndryshme politike, dhe mbi të gjitha ky proces po kundërshtohet nga pronari i vetëm legjitim i kësaj prone publike: populli i Kosovës. Fakti që ju keni pranuar të bëheni pjesë e aferave të qeverisë Thaçi, ju bën ju bashkëfajtorë të këtij krimi ekonomik, për të cilin do të mbaheni përgjegjës”, theksohet në letrën e hapur të Vetëvendosjes.

Lëvizja Vetëvendosje, si forcë politike e organizuar në një aleancë të gjerë me qytetarët, “do ta hetojë këtë proces, si nga ana proceduriale, ashtu edhe nga ana politike – me të ardhur në pushtet”.

“Qëllimi ynë do të jetë zhbërja e këtij privatizimit, në rast se ky ndodh, por edhe e dënimit ligjor të cilësdo shkelje, padrejtësie, dëmtimi apo vjedhje që i bëhet popullit të Kosovës dhe aseteve e pasurive strategjike që publiku zotëron”.

 

Subjekti politik opozitar, Vetëvendosje, përmes kësaj letre, dhe pas reagimeve të sindikatave dhe shoqërisë civile, thotë se “ju nuk mund të luani më rolin e një aktori të painformuar mbi këtë proces të padrejtë privatizimi”.

“Ka ardhur momenti që ju të mendoheni mirë para se fatin e kapitalit tuaj ta lidhni me fatin politik të qeverisë kriminale Thaçi dhe në një projekt i cili kundërshtohet nga shumica e popullit të Kosovës”.

“Prandaj, me këtë letër ju bëjmë thirrje të tërhiqeni nga ky proces. Nëse ju nuk tërhiqeni nga ky proces, dhe vendosni të vazhdoni më tej me shfrytëzimin e punëtorëve, me shpronësimin e dhunshëm të popullit dhe me cenimin e të drejtës sonë për zhvillim, ne nuk kemi për t’ju kursyer në përpjekjen tonë për shtet të së drejtës”, përfundon letra e hapur drejtuar dy kompanive turke, “Çalik” dhe “Limak”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu