VV’ja kërkon marrëveshje të re për postin e kryeministrit

0
721

Visar Ymeri

Përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) të Isa Mustafës, edhe Lëvizja Vetëvendosje (VV) e Albin Kurtit ka kërkuar arritjen e një marrëveshje të re në mes të bllokut LDK-AAK-Nisma dhe VV.

Deputeti i kësaj lëvizjeje, Visar Ymeri, ka thënë për “Epokën e re” se Vetëvendosje! do të jetë pjesë e bisedave për ta plotësuar marrëveshjen e 10 shtatorit me arritjen e dy marrëveshjeve të tjera. “Ne nuk jemi bërë bashkë në VLAN-in për emrin e përveçëm të kryeministrit tonë, por që ta heqim Thaçin dhe këtë regjim nga pushteti. Në këtë drejtim ne jemi unikë, kurse sa iu përket posteve, Vetëvendosje! nuk ka qenë pjesë e asaj marrëveshjeje të 10 qershorit kur janë ndarë postet në mes të LAN-it. Mirëpo, do të jemi pjesë e bisedave për ta plotësuar marrëveshjen e 10 shtatorit me edhe dy marrëveshje të tjera: Një për programin qeverisës të qeverisë së re, tjetra për postet në qeveri që do ta zbatojnë atë program, përfshirë këtu edhe postin e kryeministrit”, ka deklaruar Ymeri.

Edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka vlerësuar se partitë e bllokut duhet të bëjnë një marrëveshje të re, me të cilën do t’i përcaktonin përgjegjësitë e reja qeverisëse dhe objektivat qeverisëse. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka zhvlerësuar edhe marrëveshjen tonë sa iu përket përgjegjësive. Tash duhet, mbi marrëveshjen e deritanishme, të bëjmë një marrëveshje të re, me të cilën do t’i përcaktojmë përgjegjësitë e reja qeverisëse dhe objektivat qeverisëse. Në këtë marrëveshje do të përcaktojmë se cili, në rrethana krejtësisht të reja, do të jetë kandidat për kryeministër nga ky koalicion. Ne nuk jemi të lumtur që duhet të bëjmë një marrëveshje të re, sepse ky nuk ka qenë vullneti ynë, por kjo është pasojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Natyrisht se çdo marrëveshje ka për bazë themelore fuqinë e subjekteve politike, përkatësisht numrin e deputetëve. Ky është edhe qëndrimi i LDK-së për marrëveshjen e re dhe pozitën e kryeministrit”, ka thënë Mustafa në një intervistë për “Epokën e re”.

Duke iu kundërpërgjigjur kësaj deklarate të Mustafës, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ali Lajçi, ka thënë se LDK-ja me këtë kërkesë ndoshta është duke bërë taktikë për të shkuar kah PDK-ja. Ai ka thënë se një marrëveshje e re në mes të bllokut, për çfarë ka deklaruar Mustafa, nuk është shtruar në organet e partisë, por Lajçi ka thënë se personalisht nuk e përkrah Isa Mustafën për kryeministër. Po ashtu, ai ka thënë se AAK-ja, pas propozimit të Mustafës për marrëveshje të re mes bllokut, ndihet e tradhtuar dhe ka bërë me dije se puna e bllokut, pas lëvizjes së LDK-së me bllokun, është e kryer. “Nuk e kemi shtruar këtë çështje në AAK, por dëgjohet se LDK-ja po lëviz. Mirëpo, mendoj se është dekomponim i marrëveshjes në qoftë se LDK-ja mendon ashtu. Nuk e kemi diskutuar ende, por nëse është ashtu, atëherë do të jetë një tjetër qasje. Kjo është jashtë formulës dhe jashtë marrëveshjes. Kjo ndoshta është taktikë e LDK-së për të shkuar kah PDK-ja”, ka theksuar Lajçi.

Ndërsa anëtari i Kryesisë së Nismës për Kosovën, Fitim Selimi, duke i komentuar kërkesat për marrëveshje të re, ka thënë se çdo kërkesë e tillë apo ambicie duhet t’i nënshtrohet vlerësimit të gjithanshëm të partnerëve brenda bllokut. “Është një bllok që ka të njëjtin synim dhe çdo kërkesë duhet realizuar në pajtim më të gjithë. Përndryshe, është normale dhe legjitime që të shtrohen kësi kërkesa apo të dalin ambicie të kësaj natyre, por natyrisht se ato duhet t’i nënshtrohen vlerësimit të gjithanshëm të partnerëve të bllokut. Koalicioni nuk është bërë për të dështuar, por për ta gjetur vetveten secila palë tek njëri-tjetri në mënyrë që të ekzistohet fuqishëm si një bashkim i cili dëshiron ta ndryshojë situatën”, është shprehur Selimi për “Epokën e re”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu