Wikileaks: Kalimashi, Berisha i shkaktoi Shqipërisë 30 mln euro dëme për synime elektorale

0
570

Ambasada në dokumentat dërguar Departamentit të Shtetit zbulon se qeveria i shkaktoi kosto shtesë  të mëdha me vetëdije shqiptarëve të varfër nga dëshira e saj për t’u rizgjedhur.

Në 17 prill të vitit 2009 ambasada zbulon se vetë presidenti i Bechtelit, kompanisë që ndërtoi rrugën Durrës-Kukës, Majkëll Adams, është përpjekur të bindë Sali Berishën të mos e hapë tunelin e rrugës Durrës-Kukës në 27 qershor, dy ditë para zgjedhjeve, pasi kjo mund të ishte e rrezikshme dhe mund të rriste koston e rrugës të paktën me 15 milionë euro të tjera.

Sipas një zyrtari të lartë të Bechtel, ministri Olldashi dhe drejtori i përgjithshëm besonin se hapja e tunelit duhej shtyrë për në tetor, por askush nuk kishte guximin t’ja çonte këtë mesazh kryeministrit.

Bechtel thotë se e kuptonte presionin në të cilin ndodhej Berisha, duke ju referuar deklaratës së Edi Ramës i cili pak ditë më parë kishte akuzuar kryeministrin se kishte gënjyer me afatet e rrugës dhe që ajo tani do të inagurohej nga një kryeministër socialist.

Ashtu siç u parlajmërua nga zyrtarët e Bechtel hapja e parakohshme e tunelit më vonë çoi në shembjen e tij, që i kushtoi buxhetit jo 15 milionë euro, por gati dyfishin e kësaj shume.

Ambasada shkruan se kostoja e rrugës u rrit nga shumë arsye, një prej të cilave ishte dëshira e Sali Berishës për të patur një tunel të drejtë në të gjithë shtrirjen e tij, ndryshe nga sa ishte projektuar që tuneli të ishte i drejtë vetëm në 500 metrat e para nga të dy anët.

Ironikisht, shkruan ambasada, pak kohë më vonë qeveria nuk pranoi të rriste shpenzimet për sigurinë e rrugës duke mos pranuar të ndërtojë gardhet rrethuese të sigurisë, çka lejon fshatarët e zonës dhe gjënë e gjallë të lëvizin lirshëm në rrugë me automjetet që ecin me 120 kilometër në orë.

 

WikiLeaks: Hashim Thaçi i ankohet SHBA-së për Berishën

Vizita dhe ndikimi i politik i Sali Berishës në Kosovë, e ka shqetësuar kryeministrin Hashim Thaçi. Në një bisedë private me zyrtarë të ambasadës amerikane në Prishtinë, më 13 gusht 2009, Thaçi është shprehur i shqetësuar nga “përzierja në politikën e Kosovës” që sipas tij bën kryeministri i Shqipërisë.Kështu thuhet në një dokument të fshehtë diplomatik, pjesë e dosjes së UikiLeaksit, që është dërguar nga Ambasada amerikane në Departamentin e shtetit Amerikan.Dokumenti disponohet nga gazeta e kosovare “Koha Ditore”, e cila sot ka botuar një shkrim mbi këtë çështje.“Në një bisedë private menjëherë pas takimit, Thaçi i tha të ngarkuarit me punë se ishte i shqetësuar nga përzierja e kryeministrit Sali Berisha në politikën e Kosovës”, thuhet në dokument, që flet për takimin e Thaçit me të ngarkuarin me punë në ambasadë, Michael Murphy.Takimi i Thaçit me zyrtarin amerikan kishte ndodhur disa ditë pas pritjes që Sali Berisha i kishte bërë Ramush Haradinajt, në Tiranë, me të cilin nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi mes Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas dokumentit diplomatik, Thaçi kishte përmendur se Berisha planifikon një vizitë në Prishtinë në vjeshtë të atij viti, dhe për ëktë është shprehur se “ai do ta mirëpriste një vizitë të Berishës në Kosovë për të diskutuar marrëdhëniet bilaterale, por nuk kishte dëshirë ta shihte atë duke bërë fushatë në Kosovë për LDK-në, apo për AAK-në”.

Atëkohë, PDK-ja e Thaçit ishte në koalicion qeverisës me LDK-në, ndërisa AAK-ja ishte në opozitë.

Për më tepër, Thaçi kishte ishte shprehur se përzierja nga Shqipëria në politikën kosovare paraqiste “kërcënim” për Kosovën, ndërsa ka kërkuar ndërhyrje amerikane te Berisha, duke theksuar se “Kosova është një shtet i pavarur, dhe jo krahinë e Shqipërisë”.

“Thaçi tha se përfshirja shqiptare në politikën në Kosovë paraqet një kërcënim për Kosovën dhe kërkoi nga ambasada që të kundërshtojë një përfshirje të tillë”, thuhet në dokument. “Ai po ashtu kërkoi nga Qeveria e SHBA-së që, përmes ambasadës në Tiranë, t’i kërkohet Berishës që të përmbahet nga deklarata apo veprime që ngrenë frikë në rajon nga panshqiptarizmi”.

Në komentin që përmbyll dokumentin sekret, i ngarkuari me punë Murphy shton se “pajtohet që përfshirja e politikanëve nga Republika e Shqipërisë (dhe nga Kosova) në garat jashtë vendeve të tyre është problematike dhe nuk ndihmon”.

“Edhe pse dyshojmë që nëse Berisha do të mbështeste PDK-në, Thaçi do të ishte më pak i shqetësuar për kërcënimin nga politika panshqiptare për Kosovën dhe rajonin, ne po ashtu besojmë se do të mund të ishte e dobishme t’i përkujtojmë bashkëbiseduesit tanë në rajon për dëmin potencial që manovrat e tyre afatshkurta politike mund të kenë në interesat tona afatgjata të përbashkëta”, thuhet në dokument.

Sali Berisha e vizitoi Kosovën dy muaj më vonë, me 6 tetor 2009, ku u prit nga kryeministri Thaçi, dhe gjatë qëndrimit tha se bashkimi kombëtar i shqiptarëve do të ndodhë në Evropë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu