Wikileaks, Krasniqi cilësohet si një politikan nacionalist

0
696

Prishtinë, 11 shtator – Gjendja në veri të Kosovës nuk ka ndryshuar aspak as pas 25 korrikut, ditës kur Policia Speciale e Policisë ndërmori aksionin e saj për vënien e kontrollit në pikat doganore 1 dhe 31.

Sipas të gjitha gjasave, gjendja nuk pritet të ndryshojë as pas 16 shtatorit, datë kjo e caktuar nga Qeveria e Kosovës për t’i dërguar policët dhe doganierët kosovarë në këto dy pika doganore.Kështu është shprehur në një intervistë dhënë gazetës “Zëri”, i pari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Kryekuvendari i Kosovës thotë se nuk pret shumë ndryshim të gjendjes në terren, për shkak se sipas tij, qasja e Brukselit përmes EULEX-it në veri nuk është shpresëdhënëse. Ai nuk e përjashton mundësinë e hapjes së bisedimeve për një status special për pjesën veriore të vendit. Bisedimet e deritashme, Krasniqi i quan humbje kohe.

Krasniqi duke i komentuar disa nga kabllogramet e zbuluara nga Wikileaks, ka thënë se këto kabllograme ndonëse zbulojnë disa prapaskena dhe anë të errëta të politikanëve, megjithatë janë në interes të publikut.

Ai thotë se opinioni publik tani e ka më të qartë pasqyrën e politikanëve kosovarë dhe mund të kërkojë më shumë përgjegjësi nga ta.

Në dokumentet e Ambasadës Amerikane, të cilat janë publikuara nga Wikileaks, Krasniqi cilësohet si një politikan nacionalist, por me të cilin njeriu mund të merret vesh. Në këto publikime ambasada besonte se Krasniqi në mandatin e tij të parë si kryetar i Kuvendit do të ishte më efikas se të tjerët.

Sot, megjithatë duket se nuk i ka punët mirë me kryetarin e partisë Hashim Thaçi dhe as me ambasadorin amerikan, Christopher Dell, i cili tha se SHBA-të më nuk do të bashkëpunojnë me të shkaku i refuzimit të Krasniqit për të dërguar te Gjykata Kushtetuese një kërkesë të EULEX-it, që kërkonte sqarim nëse deputetët kanë imunitet apo jo.

Krasniqi thotë se nuk do t’i pushojë asnjëherë kritikat ndaj Thaçit, qoftë për veprimet e këqia në parti, qoftë për veprimet në qeveri.
“Nuk besoj që dikush mund të më eliminojë politikisht, thot Krasniqi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu