Williamson i vendosur: Hetime të paanshme e të pavarura

0
706

Prokurori i ekipit hetues të EULEX-it, John Clint Williamson, i cili punon në hetimin e akuzave për trafikim organesh në Kosovë, dhe shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt, janë takuar sot me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hajredin Kuçi, dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

Zëdhënësi i Williamsonit, Joao Sousa, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se gjatë takimit, Williamson ka përsëritur vendosmërinë e tij për hetime të paanshme dhe të pavarura, të cilat do të zbulojnë të vërtetën e akuzave që përmban raporti i Këshillit të Evropës.

Sousa ka theksuar se mandati i ekipit hetues të EULEX-it është që të hetojë dhe, nëse vërtetohen akuzat, të ndjekë penalisht individët që janë përgjegjës për krimet e pretenduara në raportin e Dick Martyt.

“Williamson ka thënë se është në dijeni për spekulimet për të ardhmen e ekipit hetues. Megjithatë, ai ka vënë në dukje se puna hetimore vazhdon ende dhe se është heret të paragjykohet rezultati”, ka thënë Sousa.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë pas takimit se Qeveria është e interesuar që të ndihmojë drejtësinë dhe të vërtetën, si dhe të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë, gjithnjë duke respektuar juridiksionin e vendit, por edhe duke ruajtur, siç ka thënë ai, imazhin e luftës së drejtë.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Williamson ka takuar edhe përfaqësuesin special të UNMIK-ut, Farid Zarif, përfaqësuesin special të BE-së, Samuel Zhbogar, dhe shefin e EULEX-it, Bernd Borchardt.

Përndryshe, në Kosovë po diskutohet për formimin e një tribunali ndërkombëtar për Kosovën pas 14 qershorit, kur edhe pritet transformimi i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX.

Një tribunal i tillë me prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë dhe me seli jashtë Kosovës do të merrte përsipër hetimin e krimeve të luftës në periudhën 1998-1999, si dhe hetimin e krimeve të supozuara politike, kërcënimeve dhe vrasjeve të dëshmitarëve gjatë periudhës 2000-2001.

Amerikani John Clint Williamson është emëruar kryeprokuror i ekipit hetues të EULEX-it në gusht të vitit 2011. Vitin e kaluar, ai ka thënë se pret që hetimet për trafikim organesh në Kosovë të përfundojnë deri në fund të 2014-ës.

***

Dy dhoma për “krimet” e UÇK-së, Williamson sot në Kosovë

Prishtina është pajtuar që nuk ka më asnjë mundësi ta kundërshtojë krijimin e tribunalit, i cili do të gjykojë krimet e mundshme të UÇK-së. E gjithë lufta tani po bëhet që ky tribunal të përbëhet nga dy dhoma, njëra e vendosur në Kosovë dhe tjetra në një shtet tjetër, mëson “Zëri” nga burime vendore e ndërkombëtare.

Dhoma e vendosur në Kosovë është kërkuar nga autoritetet kosovare që të merret me të dyshuarit  se kanë kryer krime, ndërsa dhoma e veçantë e vendosur jashtë Kosovës do të merret ekskluzivisht me dëshmitarët e mbrojtur. Në fakt, Prishtina është pajtuar për krijimin e një dhome të veçantë jashtë Kosovës pasi e dinë që ankesa më e shpeshtë e faktorit ndërkombëtar që dëgjohet në raport me Kosovën është dështimi për të mbrojtur dëshmitarët.

“Duke e pasur parasysh që bashkësia ndërkombëtare e ka bërë të ditur që dëshmitarët e mbrojtur asnjëherë nuk kanë qenë të sigurt në Kosovë, atëherë ne kemi dalë me propozimin që ky tribunal të ketë një dhomë të veçantë jashtë Kosovës dhe i cili do të merret kryekëput me dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur”, ka thënë një zyrtar i lartë qeveritar i Kosovës, në kushte anonimiteti.

Megjithatë, mësohet se ky propozim nga Kosova nuk po gjen mbështetje nga i gjithë faktori ndërkombëtar. As vetë Bashkimi Evropian nuk është unik në lidhje me propozimet për tribunalin, diçka që rrezikon dërgimin e kësaj çështjeje në OKB.

Deri më tash vetëm Britania e Madhe është kundër krijimit të tribunalit për krimet e mundshme të UÇK-së. Gjermania po kundërshton duke gjetur arsyetim problemin se kush do ta financojë krijimin dhe punën që do bëhet në atë tribunal, ndërsa Spanja “frikësohet” që nëse aprovohet krijimi i tribunalit atëherë me këtë pranohet shtetësia e Kosovës. Tribunalet e veçanta për krime lufte krijohen vetëm për shtete.

SHBA: Rregullojeni vetë para se tribunali të shkojë në OKB

Qëndrimin më të ashpër janë duke e mbajtur amerikanët të cilët nuk e kundërshtojnë krijimin e tribunalit, por gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë për këtë temë, ndryshe tribunali do të krijohet nga OKB.

“Nëse kjo ndodh, atëherë ky do të ishte dëmi më i madh që do t’i bëhej Kosovës. Deri më tash janë raste të rralla kur OKB ka krijuar tribunale për krime lufte, siç ishte ai për ish-Jugosllavinë. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që ky tribunal të mos tejkalojë ‘kufijtë’ e Evropës”, ka thënë një zyrtar tjetër i qeverisë kosovare.

Mundësia më e madhe për të evituar dërgimin e kësaj çështjeje në OKB, pala kosovare duhet ta miratojë në Kuvendin e Kosovës krijimin e këtij tribunali, sa më shpejt që është e mundshme. Ende nuk ka vendim final nëse kjo do të ndodhë në këtë mandat apo do të pritet, derisa të fillojë punën parlamenti që do të dalë nga zgjedhjet e reja të sivjetme.

Williamson sot në Kosovë

Në tetor të vitit 2011, shqiptarët në Ballkan, sidomos politikanët ishin të bindur se shumë shpejt dhe përfundimisht Task-Forca e BE-së që nisi hetimin e akuzave të Dick Marty-t, do t’i japë fund të gjitha akuzave për trafikim organesh, krime lufte apo trafiqe të tjera që thuhet se janë kryer nga ish-pjesëtarë të rëndësishëm të UÇK-së.

Bile disa nga delegatët shqiptarë nga Tirana dhe Maqedonia votuan pro nisjes së këtyre hetimeve pasi që ata thoshin se shqiptarët nuk kanë çfarë të fshehin në këtë rast.

Mirëpo, një amerikan, tash po e verifikon të kundërtën. Clint Williamson i ka bindur jo vetëm SHBA-të se ka dhënë arsye për krijimin e një tribunali, i cili do të hetonte disa prej krerëve kryesorë të UÇK-së. Bile puna ka shkuar deri aty sa flitet për akuza shumë të rënda të cilat do të trajtohen nga tribunali i veçantë për krimet e mundshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Clint Williamson do ta vijë në Kosovë të martën për t’u takuar me përfaqësues ndërkombëtarë, ndërsa i vetmi prej kosovarëve që do të takohet me të është Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë. “Zëri” nuk ka arritur të kontaktojë me ministrin Kuçi, deri në orët e vona të së hënës.

 

Nga: Arbana Xharra & Artan M. Haraqija


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu