Xhaferi: KE në një vijë me BDI-në për UÇK-në

0
831

Shkup, 11 tetor- Zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi në një prononcim për “Zhurnal plus” tha se kërkesa e raportit të Komisionit Evropian (KE) ku thuhet se duhet të gjendet zgjidhje për viktimat përputhet me kërkesën e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për zgjidhjen e statusit të ish pjesëtarëve të UÇK-së dhe invalidëve të luftës.

“Edhe në programin tonë qëndron se duhet të rregullohet me ligj statusi i invalidëve të UÇK-së dhe familjarëve të të rënëve gjatë konfliktit të vitit 2001. Është qëndrim edhe i raportit tonë që e ka lëshuar qeveria dhe tani është edhe kërkesë e Komisionit Evropian që kjo çështje duhet të zgjidhet për të gjitha palët”, tha zv/kryeministri Musa Xhaferi.

Në raportin e shpallur nga KE për Maqedoninë u tha se çështja e kompensimit të viktimave dhe të dëmtuarve në luftën e vitit 2001 duhet të zgjidhet në mënyrë të dyanshme dhe në bazë të Marrëveshjes së Ohrit dhe raportit të cilin e ka përgatitur Qeveria. Komisioni Evropian, madje ka vlerësuar përgatitjen e raportit nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, i cili jep një pasqyrë të saktë për nivelin e zbatimit të këtij dokumenti kornizë dhe për sfidat që qëndrojnë përpara këtij procesi.

KE ka vlerësuar se ky raport i SIMO-s përbën një mjet të rëndësishëm për të përforcuar dialogun mes komuniteteve dhe se kjo praktikë duhet të vijojë dhe tutje, së bashku me rekomandimet që duhet ndjekur deri në fund.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu