Xhaka e respekton Shqipërinë

0
641

Koha po ecën dhe përballja ndërmjet Zvicrës e Shqipërisë po afrohet. Njëkohësisht, emocionet te pesë futbollistët shqiptarë të ekipit helvetik secilën herë po shtohen. Aktualisht më i emocionuari duket të jetë Granit Xhaka. Pasi vendosi që para takimit mos ta këndojë himnin e asnjërit shtet, mesfushori kosovar thotë se respekti që e ka për Shqipërinë nuk e lejon të festojë, nëse veç ia del të shënojë gol në portën kuqezi.

Ditët po kalojnë, e përballja mes Zvicrës e Shqipërisë po afrohet, derisa emocionet secilën herë e më shumë po shtohen te pesë futbollistët shqiptarë, të cilët i mbrojnë ngjyrat e ekipit helvetik.

Përballja mes helvetikëve dhe kuqezinjve do të zhvillohet më 11 shtator në Luzern, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin botëror Brazili 2014.

Siç dihet, selektori i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld për këtë takim në skuadrën e tij i ka ftuar pesë futbollistët shqiptarë me nënshtetësi zvicerane – Xherdan Shaqirin, Valon Behramin, Blerim Xhemajlin, Admir Mehmetin e Granit Xhakën.

Që të pestët e kanë pranuar se me emocione të veçanta do të luajnë kundër ekipit shqiptar. Por, më i emocionuari duket të jetë mesfushori kosovar i Borussia Monchengladbach, Granit Xhaka, i cili disa herë ka deklaruar se mburret me faktin që është shqiptar.

Kjo dhe fakti që njëkohësisht i mbron ngjyrat e Zvicrës, para disa ditësh e kishte shtyrë Xhakën që të vendosë për mos ta kënduar himnin e asnjërit shtet para fillimit të sfidës Zvicër – Shqipëri.

E për prishtinasin kjo nuk ka mjaftuar. Ai tashmë ka vendosur që mos të festojë nëse ia del që të shënojë gol në portën kuqezi më 11 shtator.

“Respekti im për Shqipërinë dhe kombin shqiptar nuk më lejon të festoj, nëse veç shënoj gol në atë takim”, ka deklaruar Xhaka për portalin gjerman, RP.Online.

Pavarësisht kësaj, Xhaka ka pranuar se do t’i duhet ta ndihmojë maksimalisht Zvicrën që t’i fitojë pikët e plota nga kjo sfidë.

“Ne do të luajmë kundër Sllovenisë dhe Shqipërisë. Për mua si shqiptar i Kosovës, kjo është diçka shumë e veçantë. Jemi disa shqiptarë në Kombëtaren e Zvicrës. Por unë dëshiroj ta fitojmë ndeshjen. Kjo pasi unë luaj për Zvicrën, dhe kjo është kryesorja”, ka theksuar Xhaka.

Në kualifikimet për Botërorin Brazili 2014, në të njëjtin grup me Shqipërinë e Zvicrën, garojnë edhe Norvegjia, Sllovenia, Islanda e Qiproja. Me këtë të fundit, kuqezinjtë do ta luajnë ndeshjen e parë si vendas më 7 shtator, derisa katër ditë më vonë, i pret Zvicra.

Fakti që për helvetikët do të luajnë pesë shqiptarë, ka bërë që kjo ndeshje të zgjojë interesim jo vetëm në trojet shqiptare dhe në Zvicër, por edhe më gjerë. Derisa pesëshja shqiptaro-helvetike me emocione po e pret këtë takim, futbollistët e Shqipërisë thonë se kjo sfidë për ta është e njëjtë thuajse si çdo ndeshje tjetër.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu