Xhemajli: S’krahasohen komandanti e ‘njeriu i Velanisë’

0
941

Prekaz, Skenderaj, 8 mars – “Përpjekjet që bëhen sot për të vënë në vijë komandantin legjendar dhe njeriun e Velanisë  janë dështime tjera të politikës”, ka thënë në përmbyllje të manifestimit “Epopeja e UÇK-së”, Muharrem Xhemajli, përfaqësues i shoqatave të dala nga lufta, shkruan sot Koha Ditore.

Ndezja e zjarreve dhe flakadanëve në Prekaz dhe në të gjitha vendet e betejave të luftës së UÇK-së, ka shënuar përfundimin e manifestimit tradicional treditor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, të mërkurën mbrëma. Manifestimi i kushtohet rënies heroike të komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe 56 anëtarëve të tjerë të familjes Jashari dhe bashkëluftëtarëve tjerë të tij, të cilët para 14 vjetësh, për 3 ditë e net u rezistuan sulmeve të forcave serbe.

Sipas skenarit tashmë tradicional, në orën 18:00, kur fillon të bjerë terri nga Kullat e Jasharëve dhe nga bunkeri i komandantit Adem Jashari në pyllin karshi lagjes Jashari, ndizen flakadanë të shumtë, zjarri i të cilëve simbolizon ndezjen e shkëndijave të lirisë, të para 14 vjetësh. Të rinj e të reja, të veshur me uniforma të UÇK-së dhe të tjerë me veshje kombëtare, me flakadanë në duar, nisen në drejtim të kompleksit të Varrezave të Dëshmorëve. Ndërkohë është ndezur një zjarr i madh, flaka e të cilit është shpërndarë gjithandej, si simbolikë e kushtrimit për luftë të Adem Jasharit, të cilit i ishin përgjigjur shumë burra e gra shqiptare. Ndezja e këtij zjarri është pasuar nga ndezja e zjarreve të tilla në të gjitha fushëbetejat e luftës së UÇK-së, anekënd Kosovës.

Ndërkaq në sheshin që mban emrin e Adem Jasharit në Skenderaj, është mbajtur një program artistik në praninë e Rifat Jasharit, përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, udhëheqjes komunale të Skenderajt dhe të mijëra qytetarëve. Para të pranishmëve ka folur vetëm Muharrem Xhemajli, përfaqësues i shoqatave të dala nga lufta, i cili pasi ka përmendur një për një emrat e gjithë të rënëve në Betejën e Prekazit, para 14 vjetësh, tha se “e mbajmë të freskët lavdinë për të gjithë dëshmoret e Kosovës”. Sipas tij, mitit të Jasharëve nuk iu desh shumë kohë, por ai u ngrit vetvetiu që të nesërmen e rënies së tyre dhe ai dhe familja e tij u bënë shpejt pjesë e çdo familjeje shqiptare. Një pjesë e fjalimit të Xhemajlit ka pasur edhe ngjyrim politik. Duke folur për komandantin Adem Jashari, ai tha se Adem Jashari ishte përballur me mohimin e politikës ditore të Prishtinës deri në rrethimin e Kullës së Jasharëve më 5 mars. “Mallkimet dhe përpëlitjet që vinin nga andej (Adem Jashari v.j.) i kishte fshirë me mantelin e tij të luftës”, tha Xhemajli. Ai theksoi se “Ademi Jashari kishte fatin që duke i takuar popullit të cilit i ishte betuar, kishte ecur në rrugën e tij, e cila ishte e pakrahasueshme me rrugëtimet e pafund herë gjysmë sllave, herë gjysmë përçarëse të politikes së atëhershme të Prishtinës”. “Përpjekjet që bëhen sot për të vënë në vijë komandantin legjendar dhe njeriun e Velanisë (Ibrahim Rugova v.j) janë dështime tjera të politikës”, ka përfunduar Xhemajli.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu