Xhovani Falkone, një hero i kohës sonë

0
563

Në një intervistë të realizuar në vitin 1985, hetuesi Xhovani Falkone do të shprehej: “E di se do ta paguaj me vdekjen time. Sigurisht, ata ende nuk më kanë vrarë. Nuk ia kanë arritur qëllimit. E kam ende të hapur llogarinë me Cosa Nostran”.
Tentuan në 19 qershor 1989, në vendin e quajtur Addaura, duke vendosur 50 kallëpe dinamiti, por dështuan. Dhe do të vinte 23 maji 1992…
Përse u vra Xhovani Falkone?
I shndërruar në kundërshtarin kryesor të Cosa Nostras siciliane, Falkone i kaloi 11 vjet e fundit të jetës së tij në luftë të hapur apo të fshehtë kundër krimit të organizuar, duke qëndruar në zyrën e tij-bunker në Pallatin e Drejtësisë në Palermo….
Në verën e vitit 1984, do të vinte ajo që do të konsiderohej si “goditja Falkone” në fushën e luftës kundër mafies.
Bëhet fjalë për takimin e tij me të penduarin e madh të mafies, Tomazo Busheta. Jo shumë i impresionuar nga Busheta do të ishte një koleg i Falkones, që e takoi mafiozin për herë të parë në një dhomë të Kuesturës së Romës. Do të kishte përfunduar aty gjithçka, me një shikim të shkujdesur të orës dhe një firmë në fund të procesverbalit të pyetjes, nëse Falkone nuk do të kishte nuhatur fluturimthi rastin që i kishte mbirë para syve…..
E kishte paralajmëruar Tomazo Busheta: “Në fillim do të mundohen të më vrasin mua, pastaj do t’ju vijë radha juve, deri sa t’ia arrijnë qëllimit”.
Në harkun e katër muajve nga takimi i parë ndërmjet Bushetës dhe Falkones, arkitektura e thellë e Cosa Nostras, e mbetur fshehur për më shumë se dy shekuj për autoritetet dhe publikun e gjerë, ishte zbuluar dhe bërë gati për një hetim gjyqësor të përgjegjësive.
Falkone përpiloi më pas 2.600 ballafaqime me prova të tjera të deklarimeve të Bushetës, nxori në dritë mbi 120 vrasje dhe kërkoi të vendoste brenda hekurave, kundër opinionit të kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, gjithë ‘kokën’ e Cosa Nostras.
Do të gjykoheshin për periudhën 1986-1987, 475 të pandehur, në më të madhin proces të mafies në histori. Maksiprocesi do të ishte një sipërmarrje sensacionale që do të shkatërronte përgjithmonë mitin e pathyeshmërisë së mafies.
Gjenia profesionale e Falkones konsistonte në kompozimin së bashku me Tomazo Bushetën, të një goditjeje të fortë të tërë mafies siciliane të kohës dhe jo thjesht një fotografim fragmentar të saj. Për të gjithë hetuesit dhe ekspertët, deri atë kohë mafia siciliane ishte një gjë tjetër, e formuar nga të tjerë persona dhe të tjera grupe. Ishte koalicioni i trafikantëve të mëdhenj të drogës, e përbërë nga pesë familje: Gambino-Bontade-Spatola-Inzerilo-Badalamenti që dominonin politikën dhe merkatot e paligjshme në Sicili, në Itali dhe në një pjesë të mirë të SHBA.
Në librin “La mafia imprenditrice” të Prof Pino Arlachi, sintetizohen njohuritë e akumuluara deri atë kohë nga hetuesit, përfshirë edhe Fal-konen dhe nuk ekzistonte asnjë gjurmë e familjes korleoneze me në krye Salvatore Riinen dhe Bernardo Provencanon, si një grupim kriminal thjesht djallëzor për aftësitë e manipulimit dhe egërsisë.
Zbulimi i kësaj familjeje dhe përfundimi i maksiprocesit shenjuan destinimin e mafies në Sicili dhe rrjetet e bashkëpunëtoreve të saj në Romë. Cosa Nostra nuk do të kishte më një goditje të tillë dhe konsekuenca të tilla, të cilat sollën më pas procese edhe për disa politikanë të nivelit të larte të akuzuar për bashkëpunim me të.
Informacionet e përftuara nga Busheta dhe përfundimet e mëvonshme të nxjerra nga Falkone, krijuan hapësira të rishkruhej historia e dhjetë vjetëve para maksiprocesit, si dhe t’i vihej zjarri shtyllës së madhe të mbështetjes për Cosa Nostran edhe jashtë Sicilisë.
Prof Pino Arlachi kujton: “Është e pamundur për mua të harroj një takim me Xhovani Falkonen në fund të muajit gusht 1984. Duhet të përgatiteshim për një mbledhje që do të bëhej në tetor, në Zyrën e Vjenës, të Kombeve të Bashkuara, ku të dy ishim këshilltarë të Zyrës së Antidrogës. E megjithatë, në fakt, përfunduam duke u marrë vetëm me Palermon. Falkone më bëri një ekspoze të të tria forcave në fushë: mafia humbëse e trafikantëve të mëdhenj, shumë nga të cilët tashmë ishin shfarosur, asaj fituese të korleonezëve dhe forcave të policisë që lëviznin me hamendje, sepse duke injoruar këta të fundit nuk njihnin tërësisht teatrin e veprimit.
Falkone kërkonte të transferonte në një kohë shumë të shkurtër për shefat e aparateve qendrore të hetimit, të dhënat që kishte përftuar nga Busheta, si për t’i verifikuar ato, ashtu edhe për të nisur një sulm të shpejtë.
U impenjuam kështu për dy ditë me radhë për të “përtypur”, studiuar në themel dhe transformuar në përfundime operative pafundësinë e të dhënave që ai kishte përftuar nga pyetja e Bushetës në muajt e mëparshëm, por vendimi final ishte të përdorej një pjesë modeste e materialeve informative, madje të përdorej pak e nga pak, në mënyrë që të mos zbuloheshin të gjitha letrat. Do të duhej kohë për të zgjeruar lëndën dhe të arrihej në një kuadër kompleks. Duhej të ecje gradualisht, sepse atë kohë mund të të lejohej një farë “luksi”, që sot është i pamundur. Gazetat nuk kishin ndikimin që kanë sot mbi çfarëdo veprimi të hetuesve. Hetimet “direkt në televizion”, nuk ishin atë kohë. Kronistët gjyqësorë “vareshin” nga prokurorët dhe jo si sot.
Procesverbalet e pyetjeve të Bushetës mbetën të panjohura për të gjithë për shumë kohë, sepse dorëshkrimet “konservoheshin” personalisht nga vetë Falkone. Një muaj më vonë filloi të vinte e pamenduara.
Nëpërmjet tri dallgëve të njëpasnjëshme të inkriminimeve dhe arrestimeve, Falkone goditi tri pjesë jetësore të sistemit mafioz sicilian: sipërmarrësit mafiozë të lidhur me krimin, me anë të një “blitz”-i të kryer më 29 shtator 1984, të padyshueshmit e borgjezisë së profesioneve dhe të shoqërisë së lartë lokale në fund të tetorit dhe ish-Kryetarin e Bashkisë së Palermos, Vito Cianciminon, së bashku me kushërinjtë Injacio dhe Nino Salvo, në muajin nëntor”.
Maksiprocesi përfundoi për Cosa Nostran në mënyrë shkatërruese. Në datën 16 dhjetor 1987, Gjykata e Asizit të Palermos dha 19 burgime të përjetshme dhe 344 dënime të tjera, duke konfirmuar parashikimet më të errëta të “njerëzve të nderuar”. Avokatët dhe të pandehurit kishin mbetur të ngurosur.
Kjo ngjarje do të ndërpriste një traditë të gjatë negative. Historikisht, në pak raste ishte arritur të vendoseshin nën akuzë grupe mafioze në kulmin e fuqisë së tyre, duke respektuar në të njëjtën kohë të drejtat civile. Rregulli i së kaluarës ishte represion i policisë, tepër i thjeshtë, ose inkriminim i familjeve të dorës së dytë, të cilat ia arrinin shpeshherë të dilnin “pa u lagur” për mungesë provash.
Në Palermo, përkundrazi, nuk u proceduan mafiozët të ashtuquajtur humbës, por ata që deri atë moment konsideroheshin fitues, të cilët posedonin tërësisht privilegje. Gjithçka u zhvillua para opinionit publik botëror. Të drejtat e secilit u respektuan në mënyrë skrupuloze. Të pandehurit u dënuan mbi bazën e hetimeve të kujdesshme, të realizuara nga hetues e prokurorë seriozë dhe kompetentë.
Deziluzioni dhe inati i “njerëzve të nderuar” u transformua në vitet e mëvonshme në një dhunë gjithnjë në rritje. Nga viti 1988 e deri në vitin 1991 u vërtetua një escalation i agresivitetit mafioz. Vrasjet mafioze u ngritën duke kaluar nga 226 në vitin 1988, në 377 në vitin 1989, në 557 në vitin 1990 dhe 718 në vitin 1991.
Po ashtu, si-kundër shprehet Prof Pino Arlachi, ndërkohë është radha e Xhovani Falkones të marrë një sinjal për “ndryshimin e muzikës”. Hetimet e tij ishin shndërruar në kërcënuese për Cosa Nostran. Në vitin 1988, mbas një debati të devijuar dhe disa shtyrjeve, mazhoranca e Këshillit të Lartë të Drejtësisë emëron në detyrën e shefit të hetuesisë në Palermo, prokurorin Antonino Meli, duke mbivlerësuar kriterin e moshës mbi atë të meritave dhe duke hedhur poshtë kështu kandidaturën e Falkones.
Më tej, në datën 19 qershor 1989, eskorta do të shmangte një atentat kundër hetuesit, të përgatitur në vilën në vendin e quajtur Addaura, ku Falkone po kalonte pak kohë pushim. Vetëm pak persona ishin në dijeni të lëvizjeve të tij atë ditë.
Deklarimet e Xhovani Falkones menjëherë pas atentatit do të ishin paralajmëruese: “Gjendemi përballë mendjeve të rafinuara që tentojnë të orientojnë të tilla veprime të mafies. Ekzistojnë mbase pika lidhjeje ndërmjet majës së Cosa Nostras dhe qendrave të errëta të pushtetit, që kanë të tjera interesa. Kam përshtypjen që është ky skenari më i besueshëm, nëse duam të kuptojmë me të vërtetë arsyet që e kanë shtyrë dikë për të më vrarë”.
Pyetjes së një gazetari, se si është e mundur të bënte një jetë të tillë të privuar nga gjithçka, ai i përgjigjet: “Është e vërtetë se jetoj një jetë të blinduar dhe të privuar nga ajo çfarë dëshiroj të kem në jetë. Por këtë ma detyron shpirti i shërbimit ndaj vendit”.
Me ardhjen e shefit të ri të hetimit në Prokurorinë e Palermos, si dhe transferimin e Paolo Borselinos në Prokurorinë e qytetit Marsala, veprimtaria e bërthamës antimafie të Falkones, do të vihet para pengesave të panumërta.
Pikërisht në këtë kohë, Falkones i vjen propozimi nga ministri i Drejtësisë, Klaudio Marteli. Ai do ta thërriste në Romë dhe t’i propozonte detyrën e drejtorit të çështjeve penale në Ministrinë e Drejtësisë.
Ishte një propozim që pranohet nga Falkone. Për të, zgjedhja për të lënë Palermon dhe për të shkuar në Romë në mes të armiqve të fundit, ishte e detyruar nga rrugëtimi i tij kundër vdekjes. “Duhet të shkoj në Romë për të shpëtuar jetën, nëse ia arrij edhe kësaj. Duhet të njoh nga afër armiqtë e mi. T’i “qetësoj” sadopak, mbasi kam nevojë për kohë. Koha luan në favorin tim, nëse qëndroj larg Palermos”, do t’i shprehej ai Prof Arlachit.
Ndërkohë, maksiprocesi nga apeli kalon në Gjykatën e Kasacionit dhe ndërhyrjet e Cosa Nostras së bashku me referentët e saj politikë, do të ishin edhe këtu evidente. Preferencat e tyre për gjyqtar relator do të ishin për një individ, i cili kishte gjykuar më parë një numër të madh çështjesh që lidheshin me Mafien. Dhe këto procese jo rrallë kishin përfunduar me pafajësi apo kthime për rigjykim.
Në këtë situatë dyshimesh, Kryetari i Gjykatës së Kasacionit, Antonio Brankaçio, me sugjerimin e Klaudio Martelit, kishte vendosur të fuste kriterin e rotacionit për kolegjet e Gjykatës, për sa i përket gjykimit të mafies. Sa më sipër solli për rrjedhojë që të ngarkohej si relator për gjykimin e maksiprocesit, një gjyqtar i pakorruptueshëm, si Arnaldo Valente.
Para se të bënte kërkesën për rotacion, Marteli kishte propozuar me insistimin e Falkones, “monitorimin” e vendimeve të Kolegjit të Parë Penal të Gjykatës së Kasacionit, për të verifikuar nëse jurisprudenca e këtij kolegji do të përmbante anomali apo gabime të pajustifikuara.
Të penduarit kanë treguar se “njerëzit e nderuar” kishin ndjekur hap pas hapi, falë një filli lidhës me Kasacionin, çfarëdo zhvillimi të ngjarjeve më të rezervuara. Ata e dinin ndikimin e Falkones mbi Martelin. Njihnin pozicionet e secilit gjyqtar të Kolegjit të Parë penal të Kasacionit, bënin tifo për njërin apo për tjetrin, ndikonin nëpërmjet protektorëve të tyre, për të shpejtuar apo vonuar emërimet apo përfundimet e mandatit.
Sidoqoftë, në 30 janar 1992 jepet vendimi që sanksionoi për një kohë, humbjen historike të Cosa Nostras, besueshmërinë e plotë të teorisë së Bushetës e të të penduarve të tjerë dhe qëndrueshmërinë e ndërtesës juridike të themeluar nga Falkone me shokë. Lufta e maksiprocesit u mbyll kështu me fitoren e pjesës së shëndoshë të shtetit.
Të penduarit e ditëve të sotme referojnë se “Riina ishte çmendur”, kur mësoi përmbajtjen e vendimit të dënimit. Kalimi në strate-gjinë e shkatërrim-shfarosjes ishte i menjëhershëm dhe urrejtja më e madhe kthehet kundër protagonistëve kryesorë të shpartallimit të Cosa Nostras: prokurorëve Borse-lino dhe Falkone. Vdekja e tyre e dhunshme do të duhej të demonstronte që fuqia shkatërruese e Cosa Nostras ishte e paprekshme.
Falkone ashtu si edhe Borselino ishin hetues klasikë, shërbëtorë të shtetit, të cilët synonin që ai të respektohej jo si një shtet ideal ose imagjinar, por si një shtet ashtu siç ishte. I pajisur me një aftësi të jashtëzakonshme për punë, me një memorie gjigante dhe një teknikë të zgjuar prej hetuesi, Falkone diti fillimisht të organizonte sigurinë personale, të rrethohej nga persona të kualifikuar, të tregohej shumë strikt në ushtrimin e detyrës. Nuk veproi asnjëherë me iniciativë pa qenë i siguruar se do t’ia dilte mbanë. Maksiprocesi apo operacionet “Pizza Conection”, Iron Toëer”, “Pigrim”, etj të kryera në bashkëpunim edhe me hetues zviceranë e amerikanë, ishin kryevepra të asaj që do të hynte në histori si “Metoda Falkone”.
Mund të përpiqesh të ndërtosh raportin e këtij hetuesi pragmatist, të larguar vendosmërisht nga abstraksionet ideologjike, të kujdesshëm në respektimin e normave, por të rezervuar me njërin apo tjetrin bos mafioz, të penduar ose jo. Gjatë marrjes në pyetje ata duhet të jenë të ndërgjegjshëm se kanë shtetin para tyre.
Cila ishte karta më e fortë e Falkones? Ai ishte sicilian, më saktë palermitan. Ai kishte jetuar jetën e tij i kredhur në kulturën mafioze të shpërndarë, ashtu sikundër çdo sicilian i zakonshëm. Njihte mirë leksikun dhe gjestet mafioze. I sigurtë se gjithçka është domethënëse në botën e Cosa Nostras, duke njohur në perfeksion mentalitetin mafioz, i bindur se në shoqërinë e konsumit ku vlerat luhaten drejt zhdukjes, normat mafioze mund të ofronin një farë zgjidhjeje, një marifet të cilit nuk i mungonte në dukje dinjiteti, ai kishte filluar të mësonte pak e nga pak, të respektonte bashkëbiseduesin, qofshin ata edhe kriminelë.
Interesante është ajo çfarë i shkruante i penduari Antonino Kalderone hetuesit Falkone, pas largimit të tij nga Italia në një destinacion të panjohur: “Zotëri. Nuk pata kohë t’ju thosha mirupafshim. Këtë dëshiroj ta them sot. Shpresoj që ju të vazhdoni luftën kundër mafies me gjendje shpirtërore si gjithmonë. U mundova t’ju jap juve kontributin tim modest, pa asnjë rezervë. Jam i shtrënguar të emigroj. Nuk besoj të kthehem. Mendoj se kam të drejtën të jetoj jetën time dhe në Itali kjo nuk është e mundur. Me respekt Antonino Kalderone”.
Falkone realizoi një hop cilësor në lufte kundër krimit të organizuar, duke aplikuar në vazhdimësi teknikat e dijet për të hetuar një qenie unike dhe komplekse – Cosa Nostran. Ai kishte kuptuar se mafia siciliane është një botë logjike, racionale, funksionale dhe e pamëshirshme. Ai e konsideronte një fenomen të padukshëm, por mendonte se, si të gjitha dukuritë e tjera njerëzore, kishte një fillim, por do të kishte edhe një fund. Është e domosdoshme të kuptohet, nënvizonte ai, se është një fenomen tmerrësisht serioz dhe i rrezikshëm, por nga ana tjetër, ndaj sa mund të fitohet duke impenjuar të gjitha forcat më të mira të institucioneve.
Ishte i pari prokuror në Itali, që arriti të marrë pohime nga të penduarit dhe të fusë filozofinë e tyre në hetimet. Në marrëdhënie me bashkëpunëtorët e drejtësisë, sikundër shprehet gazetarja Mercelle Padovani, Falkone ka dashur që përballë të ashtuquajturave “lehtësira” që shteti u ka ofruar mafiozëve të penduar, t’i marrë ata në mbrojtje nga hakmarrja transversale e Cosa Nostras. Ajo u vret atyre babanë, nënën, fëmijën dhe miqtë, si hakmarrje të prishjes së qetësisë.
Dhe Falkone me insistimin e tij ndikoi që të rregullohet me ligj veprimtaria e bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Ishte pikërisht ky element tepër i rëndësishëm në dorë të hetimit, që i dha goditje vendimtare organizimit kriminal.
Vepra e Falkones ishte një parantezë mjaft e rëndësishme. Hetuesi i shquar do të thoshte, se mafia si gjithë gjërat tokësore, herët ose vonë është e destinuar të mbarojë. Bashkëpunimi i Bushetes, por edhe i bashkëpunëtorëve të tjerë të drejtësisë, duke krijuar një të çarë të madhe në murin e heshtjes së Cosa Nostras, hapi një epokë të re të Antimafias. Epokën e shpresës.
Tek Falkone, Cosa Nostra shihte një simbol e pikërisht për këtë duhej të rrëzohej. Por më vrasjen e tij dhe dy muaj më pas edhe të bashkëluftëtarit të tij më të ngushtë, Paolo Borselinos, Antimafia do të njihte një epokë të re, të jashtëzakonshme dhe të papërsëritshme.
Palermo do të ndihej e ofenduar dhe e indinjuar. Falkone dhe Borselino do të identifikoheshin si djemtë e saj më të dashur. Shteti do të tregonte “thonjtë” e tij. Në nivelin legjislativ dhe në strategjinë institucionale do të reagohej me ashpërsi. Në krye të prokurorisë së Palermos emërohet Xhankarlo Kazeli, një prokuror i shkëlqyer që do të drejtonte me sukses për shtatë vjet me radhë.
Në 15 janar 1993 arrestohet Salvatore Rina e më pas, në harkun e tre vjetëve, të tjerë elementë të spikatur të kupolës mafioze dhe në Palermo Cosa Nostra fillon të hyjë në krizë.
Bilanci i sulmit të kryer nga Italia e pastër ndaj fortesës së keqbë-rësve, në të kun-dërt, ishte i tillë saqë sillte shpresa tepër të mëdha. Tendencat e kriminalitetit të madh dhe të vogël ishin për herë të parë pas rreth njëzet vjetësh, në rënie vertikale. Madje edhe reputacioni ndërkombëtar i vendit kishte ndryshuar. Italia dukej se nuk ishte më një vend i mafies, por në të kundërt, vend i antimafies. Xhovani Falkone dhe Paolo Borselino janë heronjtë e saj të admiruar nga të gjithë, janë heronj të kohës sonë.

 

Dr.Zamir Poda

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu