“Xoxe”, “gjuetia e shtrigave” në vendet e Lindjes komuniste

0
368

Shaqir Vukaj

Përsëritja e skenarit shqiptar në vendet e tjera të ish-bllokut komunist nën drejtimin e Moskës


Në Bullgari, figura e Dimitrovit ishte absolute dhe askush nga udhëheqja bullgare nuk mund të krahasohej me të, por gjendja shëndetësore e tij po rëndohej çdo ditë, dhe grupet rivale përgatiteshin për të ardhmen.

Pikërisht në ketë periudhë filloi të ashpërsohej lufta për pushtet midis dy grupimeve kryesore, atij “moskovit” (ku bënin pjesë ata që gjatë luftës kishin qenë në Moskë), dhe grupit tjetër (që gjatë luftës kishte qëndruar në Bullgari, në ilegalitet), ku më i spikaturi ishte anëtari i Byrosë Politike dhe Sekretar i K Q Trajçe Kostov.


Në maj 1948 dhe janar 1949, atasheu ushtarak sovjetik në Sofje, mbi “bazën e të dhënave nga burime bullgare” informonte Moskën për ekzistencën e një grupi në udhëheqjen bullgare dhe në ushtrinë bullgare, ku më të spikaturit ishin T. Kostovi, A. Jugovi, G. Cankovi, të cilët propagandonin se Bullgaria “është çliruar më forcat e veta dhe se me forcat e veta” mund të ndërtojë shtetin, madje se “ajo mund të ecë në rrugën e vet”. Përkeqësimi i shëndetit të Dimitrovit, dhe largimi i tij për mjekim në BS, krijoi mundësi për grupin “moskovit” e konkretisht për V.


Kollarovin (që pretendonte të zinte vendin e Dimitrovi), të eliminonte Kostovin, megjithëse ai vlerësohej si kuadri “më i arsimuar, me inteligjent dhe më me autoritet” në udhëheqjen bullgare, Ai, i mbështetur nga grupi “moskovit” arriti të përjashtonte Kostovin nga Byroja Politike dhe ta shkarkonte nga detyra e zv/kryeministrit, nëpërmjet tjerave me pretekstin se “ketë e dëshirojnë shokët me përgjegjësi në KQ të PK të BS”.


Pavarësisht se Kremlini deshi ta shkarkonte këtë ngarkesë nga vetja, dhe nëpërmjet një letre, deklarohej se kjo është punë e PKB, madje porosiste që me këtë letër të njihej edhe vetë Kostovi, siç del nga dokumentet arkivore, kur shtrohej problemi për pasardhësin e Dimitrovit, Moska mbështeste Kollarovin, si përfaqësues i grupit “moskovit”. Kështu që Moska, i dha liri të plotë grupit “moskovit” për të shmangur Kostovin. Tërheqë vëmendjen një fakt interesant.


Gjatë gjithë fushatës për dënimin e Kostovit nga marsi deri në qershor, masa dërmuese e komunistëve dhe popullit bullgar nuk bindej për akuzat që ngriheshin kundër tij, dhe haptazi apo në heshtje mbronte Kostovin (krejtësisht ndryshe kishte ndodhur me Koçi Xoxen e grupin e tij në Shqipëri).


Mbas arrestimit të tij, në qershor 1949, Moska mori situatën krejtësisht në duart e saj, madje për drejtimin e hetimeve dhe hartimin e akt-akuzës, specialistë sovjetikë shkuan në Sofje, dhe për përfundimin e akt-akuzës shkoi atje zv/ministri i Ministrisë së Sigurimit të B S. Akt-akuza u hartua siç donin të dërguarit e Moskës, dhe është tepër kuptimplotë fakti se ajo u shkrua në gjuhën ruse…


Kostovi akuzohej për “veprimtari kriminale kundër B. Sovjetik dhe popullit bullgar, punë minuese kundër Dimitrovit për të zënë vendin tij e për tu venë në krye të P K dhe qeverisë bullgare, për të realizuar kështu shkëputjen nga B. Sovjetik” (ndryshe prej akuzave kundër Koçi Xoxes). Sipas akt-akuzës, si rezultat i veprimtarisë së Kostovit “rreziku nacionalist kishte marrë përmasa të gjera dhe mund të çonte ne shfaqjen e titizmit në Bullgari”.


Moska mori përsipër edhe “sigurimin e posaçëm” për zhvillimin e procesit gjyqësor, duke dërguar në Sofje tre regjimente sovjetike, të cilët, siç tregojnë dokumentet “mbasi binte nata e deri në mëngjes, ruanin Komitetin Qendror, Kuvendin Popullor, radio Sofjen, burgun politik etj.”, të veshur të gjithë me uniforma bullgare Me 14 dhjetor gjykata bullgare dënoi me vdekje (varje) Kostovin, tre vetë me burgim të përjetshëm, tre të tjerë me njëzet vjet burgim etj.


Gjithsej kaluan nëpër procese gjyqësore mbi 1000 vetë, si dhe u bënë spastrime masive në aparatet e partisë dhe shtetit. Pavarësisht nga përpjekjet e Moskës për “internacionalizimin” e këtij procesi, nuk u arrit që ai të shërbente si “shembull” për spastrime masive brenda radhëve të partive të tjera të Europës Lindore. Këtë, në një masë të caktuar do ta luante procesi ndaj Rajkut në Hungari.


Dukej se edhe në Hungari situata po zhvillohej sipas “variantit” Kostov. Por në rastin e Rajkut, problemi qëndronte ndryshe. Në mars 1948, në KQ të PK të BS-së ishte përgatitur një material mbi “Gabimet nacionaliste në udhëheqjen e PK hungareze si dhe mbi influencën borgjeze në shtypin komunist hungarez” ku akuzoheshin Sekretari i Parë i KQ të PKH, M. Rakoshi, ministri i mbrojtjes M. Farkashi (figura e dytë në PKH) dhe Revaj (Sekretar i KQ) se “injorojnë BS” se kanë “tendenca nacionaliste” etj. Në saj të manovrimeve e makinacioneve, brenda pak muajve Rakoshi arriti t’i spostonte akuzat tek Rajku. Ky i fundit, si njeri me kulturë dhe përvojë, gëzonte autoritet të madh si brenda vendit ashtu dhe në lëvizjen komuniste ndërkombëtare dhe mund të ishte konkurrenti kryesor i tij.


Në muajin gusht, me pretekstin se Rajku nuk është mik i BS-së, udhëheqja hungareze e liroi nga detyra e ministrit të brendshëm dhe e emëroi ministër të jashtëm, që linte të dyshoje se ai mund të ishte “viktima” në udhëheqjen hungareze, çka fillimisht ishte diçka e papritur për Moskën.


Siç rezulton nga dokumentet e arkivave sovjetike të kësaj periudhe, Moska ishte pozicionuar në mbështetje të Rakoshit, i cili, mbas lufte kishte hyrë në Budapest me “karvanin moskovit” (kështu quhej ajo pjesë e udhëheqjes hungareze që gjatë luftës kishte qenë në Moskë), në ndryshim me Rajkun, i cili ishte kthyer nga kampet naziste të përqëndrimit.


Për këtë shërbeu edhe një material që ndodhej në Byronë Informative, në të cilin ishin shkruar gjëra komprometuese për Rajkun (aty kishte karakteristika për të gjithë veprimtarët e shquar të lëvizjes komuniste ndërkombëtare). Është interesant fakti se të njëjtat akuza bënte Rakoshi për të në një material që përgatiti për Moskën, çka sipas studiuesve rusë, edhe për përgatitjen e dokumentit per Byrosë Informative kishte qenë dora e tij.


Në maj 1949 Rajku u arrestua. Siç rezulton nga dokumentet sovjetike, në procesin hetimor ndaj tij, ku implikuan shumë hungarezë e të huaj, u përdor dhuna, torturat e metoda të padëgjuara, dhe vet procesi “u ngatërrua krejtësisht” aq sa, siç do të deklaronte më vonë shefi i sektorit te hetimeve në Ministrinë e Brendshme hungareze, Deçi “askush nuk mund te kuptonte, ku ishte e vërteta dhe ku gënjeshtra”.


Duke qenë se hetimet ishin futur në rrugë pa krye, me kërkesë të udhëheqjes hungareze, shkuan në Budapest specialistë sovjetikë. Siç njoftonin ata Moskën, “deponimet për çështjen e Rajkut, kërkojnë verifikime të hollësishme, mbasi hetimet janë zhvilluar me metoda jo të rregullta, ku janë përdorur gjerësisht masa dhune dhe kërcënime….Hetimet rakordoheshin dhe udhëhiqeshin direkt nga Rakoshi…..”.


Po sipas tyre, Rakoshi donte që nga Rajku të pranohej se ata (Rajku dhe shokët e tij) “përgatiteshin ta vrisnin atë, se ata janë spiunë të ango-amerikanëve, të lidhur me Titon dhe se ata (Tito etj.) kanë dashur të bënin në Bullgari, duke u mbështetur tek Kostovi, atë që kanë dashur të bënin në Hungari duke u mbështetur tek personi i Rajkut”.


Dokumentet e arkivave ruse, vërtetojnë se në këtë periudhë, Rakoshi, duke dashur të “internacionalizonte” problemin e Rajkut, u bë nismëtar për zbulimin e “një rrjeti spiunazhi ne vendet e demokracisë popullore”.


Edhe akt-akuzën e hartoi vet Rakoshi dhe e dërgoi në Moskë per aprovim. Për të bindur Moskën për drejtësinë e akt-akuzës, ai shkoi në Moskë ku u prit nga Stalini. Pak ditë më vonë, ai i dërgoi Stalinit një letër ku ndërmjet tjerave e njoftonte se kryetari i gjyqit do të kërkonte dënimin me vdekje për shtatë vetë, por ai mendonte se janë shumë dhe se mjafton të dënohen tre vetë, Rajku dhe dy te tjerë…..Dhe kështu u bë.


Krahas këtyre u dënuan dhe 136 vetë të tjerë. Zhvillimet në Evropën Lindore treguan se “çështja Rajk” i shërbeu udhëheqjes sovjetike për të “internacionalizuar” përndjekjet e persekutimet brenda partive komuniste, ku Rakoshi ka qenë tepër aktiv. Këtë e favorizonte atmosfera ideo-politike brenda lëvizjes komuniste në prag të mbledhjes së Byrosë Informative në nëntor të vitit 1949 dhe aprovimi i Rezolutës për Jugosllavinë.


Në këtë situatë të tensionuar, Rakoshi që pretendonte rolin e njëshit për “pastërtinë së radhëve”, duke shfrytëzuar “çështjen Rajk” i dërgoi udhëheqësve të partive komuniste një listë me emra personash, gjoja si të përfshirë ne “çështjen Rajk” ku përfshiheshin 526 vetë, nga të cilët 353 çekosllovakë, 71 austriakë, 40 gjermanë, 33 rumunë, si dhe bullgarë, sovjetikë, francezë, e deri australianë…..


Periudha 1949-1951 pothuajse në të gjitha vendet e Evropës Lindore, mund të karakterizohet si periudha e “gjuetisë së shtrigave”.


Kësaj periudhe i përkasin arrestimi Sekretarit të Përgjithshëm të PK Polake Gomulka dhe disa të tjerëve, arrestimi i anëtarit të Byrosë Politike të PK Rumune, Patrashkanu e të tjerëve, arrestimi në Çekosllovaki i “grupit nacionalist sllovak” me në krye Husakun, Klementis etj. (rreth 80 vetë) etj.


okumentet e shumta të arkivave ruse, tregojnë se për të gjitha këto arrestime, një rol tepër të rëndësishëm ka luajtur M. Rakoshi, i cili me letra e informacione për udhëheqjen sovjetike e udhëheqjet e partive te vendeve të tjera të Evropës Lindore, vazhdonte të akuzonte personalitete të këtyre partive, sepse siç shkruante ai, gjatë procesit të Rajkut, “janë vërtetuar lidhjet e tyre me agjenturat e huaja, roli i tyre kundër udhëheqjes së këtyre partive” etj.


Duke ndjekur këtë logjikë, në maj të vitit 1951, në Hungari u arrestuan ministri i brendshëm J. Kadar, ai i jashtëm D. Kallai etj. dhe kudo ishte dora e Rakoshit.


Siç tregojnë dokumentet e shumta, në të gjitha këto arrestime e persekutime, Moska ka luajtur një rol të rëndësishëm, në mos kryesorin. Duke ndjekur zhvillimet e mëvonshme, mbas vdekjes së Stalinit dhe ardhjes në pushtet të Hrushovit, pothuajse të gjithë këta janë rehabilituar, dhe ajo që tërheqë më shumë vëmendjen është fakti se në vitin 1956 Vladislav Gomulka nga burgu u bë sekretar i parë i KQ të PK Polake, po në vitin 1956, Janosh Kadari, i cili sapo kishte dalë nga burgu u bë Sekretar i parë i KQ të PK Hungareze.


Në vitin 1968, mbas pushtimit të Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik, Gustav Husaku (i dënuar me burgim të përjetshëm) u bë sekretar i parë i KQ të PK Çekosllovake, dhe të gjitha këto, përsëri me ndërhyrjen direkt të Moskës. Mbas kësaj periudhe, akuzat për “trockizëm”, “nacionalizëm borgjez”, “titizëm” “bashkëpunim me agjenturat e huaja ” etj. filluan ta humbitnin efektin e tyre.


Për të vazhduar ndjekjet, persekutimet, ndarjen e shoqërisë në “tanët” dhe “armiqtë” duhej gjetur diçka tjetër. Për këtë u sajua fushata antisemitiste në B. Sovjetik, që filloi me “çështjen e mjekëve” e që u shtri pothuajse në të gjithë shoqërinë sovjetike. Një fushatë e tillë, do të fillonte dhe në vendet e Evropës Lindore.


Në ndryshim me dënimet e Kostovit në Bullgari, Rajkut në Hungari dhe dënimet e shumë të tjerëve, arrestimi dhe dënimi i Sllanskit në Çekosllovaki është i lidhur pikërisht me këtë fushatë antisemitiste, (përsëri asgjë të përbashkët me rastin e K. Xoxes).


Duke ecur nën shembullin sovjetik, për të luftuar “agjenturën amerikano-sioniste brenda partisë” edhe në Poloni, Hungari dhe sidomos në Rumani u organizuan disa proces gjyqësore dhe u dënuan kuadro të rëndësishëm të udhëheqjeve të këtyre vendeve. Por fushata antisemitiste në Çekosllovaki mori përpjesëtime të jashtëzakonshme dhe përfshiu pothuajse të gjithë shoqërinë çekosllovake.


Siç thamë më sipër, në periudhën 1950-1951, në Çekosllovaki ishin arrestuar dhe dënuar një numër i konsiderueshëm kuadrosh, por midis tyre nuk ishte ndonjë figurë e lartë. Për të justifikuar dështimet, rënien e nivelit te jetesës, rënien e popullaritetit të udhëheqjes çekosllovake etj. duhej goditur një figurë shumë e rëndësishme.


Dhe jo rastësisht u zgjodh Sllanski, Sekretar i përgjithshëm i PKÇ, figura e dytë mbas Godvaldit ne udhëheqjen çekosllovake, i cili për më tepër ishte hebre, pra që mund të konsiderohej si “më i përshtatshmi”. Për arrestimin e tij “ndihmuan” Rakoshi i Hungarisë, disa prej kuadrove të udhëheqjes çekosllovake, si dhe këshilltarët sovjetike që punonin në M P Brendshme çekosllovake, që, per tu dalë në pah puna e tyre, kërkonin të organizonin në Pragë një proces të ngjashëm me ata të Kostovit dhe Rajkut.


Siç del nga dokumentet, per arrestimin e Sllanskit ka pas shumë hezitime, si nga Godvaldi ashtu dhe nga Stalini, dhe për të arritur deri aty janë zhvilluar shumë biseda, takime, janë shkëmbyer shumë telegrame e letra. Për këtë kanë shkuar në Pragë specialistë te M P Brendshme te B S, madje atje ka shkuar dhe një anëtar i Byrosë Politike të K Q të B S. Përfundimisht ai u arrestua në tetor 1951, dhe arrestimi i tij ishte prologu i një vale të re ndjekjesh e persekutimesh. Te dhënat flasin per arrestimin e rreth 3000 vetëve, përfshijë sekretarë te KQ të PKÇ, ministra, qindra kuadro të mesme etj.


Organizatorët e procesit përpiqeshin të bindnin shoqërinë çekosllovake (dhe të vendeve të tjera komuniste) për ekzistencën e një rreziku të jashtëzakonshëm, duke e lidhur atë me kërcënimin sionist në rritje, mbas fillimit të lidhjeve të shtetit Izraelit me SHBA. Plenumi i KQ të PKÇ, mbajtur në shkurt 1952, e përcaktonte sionizmin si “kanali i ri” nëpërmjet te cilit depërtojnë tradhtia dhe spiunazhi ne Partinë Komuniste”, ndërsa “antisemitizmi si mbrojtje nga veprimtaria minuese, diversioniste dhe spiunazhi amerikan”. Sllanski së bashku me 10 vetë të tjerë (pothuajse të gjithë hebrenj) u dënuan me vdekje, dhe të gjithë u ekzekutuan pak ditë mbas gjyqit.


Por “çështja Sllanski’ nuk u mbyll me kaq. Në kuadrin e fushatës antisemitiste dhe luftës kundër nacionalizmit, u bë ndryshimi i plotë i strukturave te partisë dhe shtetit çekosllovak, që u shoqërua me eliminimin e shumë kuadrove, të të gjitha kategorive, të larta, të mesme e të ulëta. Në përfundim duhet thënë se Kostovi, Rajku dhe Sllanski me të gjithë shokët e tyre që u dënuan në ato vite, më vonë, u rehabilituan, ku përsëri Moska ka luajtur rol të dorës së parë.


Por pavarësisht nga ndërhyrjet e presionet e Moskës ndaj udhëheqjes shqiptare, i vetmi që mbeti deri në fund i pa rehabilituar dhe me damkën e tradhtarit dhe agjentit të Beogradit ishte Koçi Xoxe

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu