Lideri i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë Zoran Zaev ka bërë të ditur se i ka siguruar nënshkrimet e nevojshme të deputetëve për të marrë mandatin nga Presidenti për krijimin e Qeverisë së re.
Zaev, që po qëndron në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës, tha se ka harmonizuar qëndrimet me partitë politike shqiptare, përfshirë edhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
“Tanimë kemi siguruar nënshkrimet e nevojshme të deputetëve për të marrë mandatin. Besoj se ka mbetur një pjesë e vogël për t’u biseduar rreth formimit të Qeverisë së Maqedonisë, sepse çështjet kruciale, siç është platforma e Qeverisë së re, platforma e Lidhjes Social Demokrate, platforma e partive politike shqiptare, Ligji që rregullon përdorimin e gjuhëve tanimë janë harmonizuar”, ka theksuar Zaev.
Zaev tha se ka mbetur që të ulet me kryetarët e partive të tjera për të diskutuar rreth ndarjes së dikastereve ministrore dhe kuadrin që do të jetë pjesë e qeverisë së re .
“Besoj se brenda 10 apo 15 ditëve Maqedonia do ta ketë qeverinë e re të kryesuar nga social demokratët”, tha Zaev.