Zbardhet projekti i CIA në 1949: Si do ndërhyhej në Tiranë

0
757

Dokumenti i Shërbimeve Sekrete Amerikane: Projekti i CIA në ’49 për rrëzimin e regjimit të Tiranës.

“Operacionet nga Greqia, por duhet bindur ajo për të hequr dorë nga pretendimet territoriale”

TOP SEKRET 21 mars, 1949

Për: PILIGRIM

Nga: CICERO

OPERACIONI SHQIPTAR

Për të rrëzuar qeverinë aktuale dhe zëvendësimin e saj me një qeveri të pëlqyer prej nesh, mbetet shumë për t’u bërë në terren, përpara se ne të ndërmarrim hapa konkretë. Ne duhet të koordinojmë veprimet tona në momentin kur Ushtria kombëtare greke është fitimtare në Epir dhe kur një qeveri greke në Athinë nuk është duke shfryrë më zemërim kundër Shqipërisë. Kjo kërkon pritje, si dhe shumë punë. Unë mendoj se duhet të jetë e qartë se nëse ne do të provokojmë një ndryshim me dhunë tani në Shqipëri, kur një pjesë e madhe e Greqisë Veriperëndimore nuk është akoma nën autoritetin e qeverisë së Athinës, atëherë rrezikojmë të përhapim rrezikun të cilin Shqipëria e përfaqëson sot për ne, nëpërmjet transferimit të një vakumi pushteti të vogël në një zonë më të madhe. Sa qartësisht është kundër interesave tona kjo gjë, provohet nga fakti që KOMINFORMI po përpiqet që të zmadhojë një vakum pushteti të vogël (Greqia e lirë) në një zonë më të madhe vakumi pushteti (Maqedonia). Jam i sigurt se është po ashtu e qartë se një ushtri fitimtare në Epir dhe një qeveri armike në Athinë, kundrejt Shqipërisë në propagandën e saj, nuk përbëjnë konditat të cilat do të lehtësonin veprimet tona. Ne duhet që, duke punuar për një zgjidhje të situatës në Greqi, të bëjmë të mundur bashkimin e refugjatëve shqiptarë. Përderisa në vendet demokratike grupet e ndryshme politike shqiptare do të harxhojnë energjinë duke luftuar njëra – tjetrën, ne nuk mund t’u ofrojmë shqiptarëve në vendin e tyre një shfaqje më të mirë se ajo që ata kanë sot, me përjashtim të një ndryshimi të vogël që vjen duke përfshirë ndryshimin e një qeverie që mban pushtetin nëpërmjet dhunës dhe metodave policore me një tjetër qeveri, e cila për shkak se ka një bazë të vogël mbështetësish, përdor po të njëjtat metoda. Brenda Shqipërisë ne duhet të përqendrohemi rreth një programi “zbutës”, kryesisht nëpërmjet medias dhe transmetimeve radiofonike nga a) “Zëri i Amerikës”, b) “Radio Athina”, me një linjë propagandistike shumë të ndryshme nga ajo që ka sot c) Projekti i radios në Thesalonik.
Në të njëjtën kohë, duhet të rrisim infiltrimet nga kufiri i Greqisë nëpërmjet organizatave tashmë operacionale, si dhe atyre që do të krijohen në të ardhmen.
E fundit, ne duhet të ndajmë mendjen tonë përfundimisht se çfarë ekzaktësisht duam në Shqipëri dhe të përgatitemi që tani për “vazhdimësinë e projektit”, në mënyrë që të mos përballemi me surpriza të pakëndshme në rastin e një suksesi të operacioneve tona.
Secila nga pikat e mësipërme janë shqyrtuar me përpikëri dhe duken të pranueshme në paragrafin tjetër. Disa prej rekomandimeve janë të përfshira gjithashtu. Pika e fundit është e një natyre që duhet të diskutohet në Washington, pasi nuk ka arsye të ngrihet këtu në këtë dokument. Më poshtë diskutohen disa nga pikat më të rëndësishme të situatës aktuale.
FAKTORI GREK
Forcat kombëtare greke
Ushtria kombëtare greke është e organizuar në 8 divizione këmbësorie, 3 brigada të pavarura, 4 grupe komandosh, si dhe 96 batalione të Forcës Kombëtare. Nga këto, 55 janë të përbëra nga rekrutë, ndërsa të tjerat nga Garda Kombëtare. Gjithashtu, Ushtria kombëtare greke disponon mënyra të ndryshme mbështetëse si artilerinë, korpusi i inxhinierëve, regjimente të koracuara, sinjalistika, si dhe shërbimet e logjistikës. Totali i njohur i Ushtrisë greke është 197.000 veta, nga të cilët 39.496 janë personel administrativ dhe trajnues të qendrave stërvitore dhe shkollave ushtarake, katedë të shkollës ushtarake, trajnues të oficerëve në rezervë, si dhe ushtarë në kampet bazë të stërvitjes, si dhe personel i klasifikuar si Y ( personel që mungon me arsye për shkak të plagosjeve, sëmundjeve etj.) Po kështu, ekziston një forcë prej 2000 vetash në dispozicion të komandantit të Përgjithshëm. Njësitë luftarake të Ushtrisë kombëtare greke përfshijnë komandën, krahun e këmbësorisë dhe njësitë ndihmëse, diku rreth 133.804. Korpuset dhe njësitë që nuk marrin pjesë direkt në luftime janë 23.700 veta. Ushtria mbështetet nga 7.200 veta të Forcave Ajrore, Flota 14.300, Xhandarmëria 23.00 veta, ndërsa Policia Civile 8.000.
Menjëherë pasi gjenerali Papagos u emërua si komandant i Përgjithshëm në janar, morali i trupave është rritur shumë. Kjo rritje e moralit erdhi nga disa faktorë. Gjenerali Papagos pati shumë fat në betejën e Follorinës, kur ai i mundi mjaft keq banditët. Operacioni i pastrimit të Peloponezit po shkon mjaft mirë. Ai ka urdhëruar që kudo ku është e mundur, trupat luftuese të tërhiqen dhe të bëjnë pushim.
BANDITET
Gjenerali Papagos, në përshkrimin e 5 shkurtit që u bëri taktikave dhe objektivave të banditëve tha se objektivi kryesor i tyre nuk ishte marrja e pushtetit me forcën e armëve, por që të krijonin një situatë të patolerueshme për popullsinë nëpërmjet shkatërrimeve, duke krijuar kështu kushtet e një mosbesimi të thellë të popullsisë në aftësitë e liderëve kombëtarë, si dhe të qeverisë në imponimin e rregullit dhe ligjit. Në këtë mënyrë, banditët do të bënin të mundur që me humbjen e besimit dhe uljen e moralit të arrinin atë që nuk e bënin dot nëpërmjet forcës së armëve. Gjenerali shtoi po kështu se Komanda e Përgjithshme e banditëve mendon se koha punon në favorin e tyre dhe ata (banditët) shpresojnë se me kohë të gjitha këto të këqija të shtohen. Për të arritur këto objektiva, banditët kanë krijuar baza kudo në terren dhe prej andej sulmojnë rrugët e komunikimit, si dhe fshatrat duke krijuar kushte që popullsia lokale të mos ndihet e sigurt dhe të zhytet në mizëri. Këto taktika të gueriljeve janë të vështira për t’u ndaluar në një terren kaq të thellë malor.
Forca e banditëve, në janar të 1948-s ishte 21.500 veta. Në janar të 1949-s, forca e tyre ishte 25.000 veta, e mbështetur nga një forcë rezervë prej 6000 vetash, e vendosur në Shqipëri, Jugosllavi dhe Bullgari. Për këto forca kemi raporte se kanë me vete 2 topa malorë 105 milimetra, 24 topa malorë 75 milimetra, 4 topa malorë 65 milimetra, 24 topa kundër tankeve dhe kundërajror 30 milimetra.
Banditët janë shumë mirë të pajisur me armë të vogla dhe municione për to. Kjo forcë banditësh është e mbështetur nga një forcë e organizuar në brendësi të territorit, e quajtur Njësitë e Mbrojtjes Civile, si dhe pjesëmarrës vullnetarë apo jo vullnetarë në radhët e tyre. Në zonat e kufirit banditët mbajnë baza brenda territorit grek, që shërbejnë si pika sulmi apo pika tërheqjeje në rast nevoje nga Shqipëria, Jugosllavia apo Bullgaria. Disiplina (bazuar kryesisht ne metoda terroriste) në të gjithë territorin e aktivitetit të tyre ( por varet edhe nga zonat) është kryesisht e mirë në fillimin e këtij viti. Banditët planifikojnë, sipas të dhënave të robërve të kapur por të konfirmuara edhe nga gjenerali Papagos, që të rrisin numrin e sulmeve, të cilat të ulin moralisht më shumë popullsinë lokale, të rrisin numrin e refugjatëve, si dhe të rikapin zonën e Thesalisë dhe Rumelisë, pas pastrimit nga ana e Ushtrisë kombëtare në 1947-n dhe 1948-n.
Gjatë javëve të fundit morali i banditëve u ul shumë, si rezultat i operacioneve të suksesshme të Ushtrisë kombëtare greke në Peloponez, por edhe si rezultat i konfuzionit që paraqiti Komanda e Lartë e banditëve dhe që solli zhgënjimin e shumë grekëve, vullnetarëve ndërkombëtarë apo komunistëve kur plani për ndarjen e Greqisë u zbulua për opinionin e gjerë.
SITUATA USHTARAKE
Gjenerali Papagos, në ekspozenë e tij më 5 shkurt vendosi objektiva të qarta të Ushtrisë kombëtare, duke bërë të mundur që nëse këto objektiva plotësohen, atëherë faza e parë e kushteve për fillimin e operacionit në Shqipëri të jenë plotësuar.
QENDRIMI I QEVERISË GREKE
Qeveria greke i qëndron mendimit se lufta midis Shqipërisë dhe Greqisë, e filluar më 28 tetor 1940, legalisht vazhdon edhe sot. Ajo ( qeveria greke) nuk humbet asnjë rast për të shprehur zemërimin e saj kundër Shqipërisë, si dhe të theksojë kërkesat territoriale kundër saj. Dëshiron të shkëpusë nga Shqipëria dhe për t’ia bashkangjitur Greqisë një territor në perëndim të kufirit ekzistues, afërsisht sa një e pesta e Shqipërisë së sotme. I transmeton pikëpamjet e saja vazhdimisht në radio dhe në momente të caktuara, i vendos ato në gojën e ministrave apo gazetarëve të caktuar. Qeveria greke nuk bën asnjë dallim midis qeverisë shqiptare dhe shqiptarëve. Në vazhdim të këtij qëndrimi, ajo ( qeveria greke) i trajton shqiptarët në Greqi jo më mirë se trajtimi që u bëhet armiqve gjatë kohës së luftës. Kam mësuar se çdo shqiptar që ka qenë refugjat në Greqi dhe tashmë është larguar prej andej ndihet mjaft i fyer dhe armiqësor ndaj qeverisë greke. Si shembull i sjelljes mjaft neglizhuese dhe armiqësore ndaj këtyre shqiptarëve, po sjell rastin e një grupi shqiptarësh, të cilët para disa muajsh u dërguan në Itali nën një program të Kombeve të Bashkuara, të cilët u lanë në mëshirë të natyrës, pa një strehë në kokë deri sa u larguan për në Itali. Si rezultat i kësaj sjelljeje të vazhdueshme armiqësore nga Greqia kundrejt Shqipërisë, si dhe pretendimet e saj për aneksimin e Jugut, shqiptarët jashtë dhe brenda Shqipërisë nuk ka dyshim që e konsiderojnë Greqinë armike të tyre. Nën këto kushte, do të ishte shumë e vështirë për çdo shqiptar të ndershëm dhe me reputacion të punonte për të çliruar vendin e tij nga Greqia. Shqiptarët që janë akoma në Greqi janë më të ndjeshëm ndaj qëndrimit të Greqisë dhe si rrjedhim nuk mund të jenë pozitivë për të ndihmuar. Në fakt, shumë shqiptarë në Greqi e konsiderojnë qeverinë greke jo si anti-komuniste, por si anti-shqiptare. Për këtë kanë të drejtë.
Ne duhet sa më parë të modifikojmë qëndrimin zyrtar grek, nëse do të duan që të krijojmë një atmosferë në harmoni me synimin tonë për ndryshimin e qeverisë në Shqipëri. Kjo gjë duhet të bëhet edhe sepse shqiptarët mendojnë, gabimisht, se ky qëndrim i qeverisë greke ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në fakt, Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre dhe i kanë informuar grekët se ne nuk i mbështesim ata në pretendimet e tyre territoriale ndaj Shqipërisë. Amerika i konsideron këto pretendime si etnikisht të pabazuara, strategjikisht më shumë pak vlerë dhe historikisht pa bazë.
Megjithatë, duket se ne mund të sjellim një ndryshim të mjaftueshëm në qëndrimin e qeverisë greke nëse do të përdorim ndikimin e disa prej seksioneve të Ambasadës sonë në Athinë. Për këtë qëllim, ambasadori ka udhëzuar shefin e Seksionit Politik që në takime informale me zyrtarë të Ministrisë së Jashtme ta ngrejë çështjen e qëndrimit grek ndaj Shqipërisë, si dhe ta ripërsërisë qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj pretendimeve territoriale. Në këto biseda duhet të këmbëngulet vazhdimisht që qëndrimi anti-shqiptare i qeverisë greke të kthehet në një qëndrim plotësisht të qartë anti-komunist shqiptar. Ambasadori gjithashtu ka udhëzuar shefin e USIS-it për të përdorur influencën e tij në “Radio Athina|, me qëllim që transmetimet e drejtuara ndaj Shqipërisë të jenë të një karakteri që do të ndihmojë projektin tonë. Më këtë qëllim shpresoj të arrijmë një marrëveshje me “Radio Athinën” që për sa u përket transmetimeve për Shqipërinë, të përdorin materiale të cilat do të transmetohen edhe nga “Zëri i Amerikës”. Kështu që do të arrijmë të vendosim themelin e punës sonë dhe Greqia t’i bëjë kërkesat e saja në një moment tjetër, si dhe publiku ta pranojë këtë tërheqje nga këto pretendime. Nëse kjo mënyrë e të vepruarit do të japë rezultatin e dëshiruar, atëherë kemi përmbushur fazën e dytë të konditës së parë të perifrazuar në përmbledhjen time për të vazhduar në mënyrë të suksesshme operacioni kundër Shqipërisë. Nëse kjo mënyrë e të vepruarit nuk jep rezultatin e dëshiruar, atëherë duhet të përdorim metoda me të ashpra.
(vijon të dielën tjetër)

Dosja e panjohur e operacioneve sekrete

Autorët e projektit: Frank Wisner, drejtues i Drejtorisë Sekrete dhe James Angelton, shefi i Kundërzbulimit.

Ndërhyrja ushtarake që parashikonin amerikanët në Shqipëri
Në Arkivin Kombëtar Amerikan në Avenunë Pensilvania, Washington D.C. gjendet tashmë i deklasifikuar për studiuesit një prej thesareve me të rëndësishme të historisë shqiptare të Luftës së Ftohtë. Prej vitit të kaluar, rreth 10 mijë dokumente të deklasifikuara hedhin dritë për herë të parë mbi operacionet e Shërbimeve Sekrete Amerikane ndaj regjimit komunist të Enver Hoxhës. Dokumentet në fjalë i përkasin periudhës kohore 1949 -1955, periudhë kur një prej shërbimeve sekrete më të fuqishme të botës përgatiste në fshehtësi të plotë operacionet klandestine ndaj vendit më të vogël dhe më të varfër të bllokut komunist, Shqipërisë. Gjithsesi, operacionet sekrete amerikane duhen parë në kontekstin e tyre historik dhe politik. Jo më larg se 5 vite nga fillimi i Operacioneve klandestine kundrejt Shqipërisë, oficerët e OSS-së, pararendësja e CIA-s, ishin përkrah Enver Hoxhës në marshimin e fitores në bulevardin e Tiranës. Brigadat komuniste marshonin në këtë paradë të armatosur nga forcat aleate dhe të trajnuar nga një sërë oficerësh të shërbimeve sekrete britanike dhe amerikane. Flamuri sovjetik qëndronte në krah të flamurëve amerikanë dhe atij britanik në marshimin e madh, ndërsa avionët amerikanë “Halifax” fluturonin mbi Tiranë duke shpërndarë fletushka në mbështetje të çlirimtarëve. Çfarë kishte ndryshuar në 5 vitet e fundit? Përgjigja më e mirë duhet parë në ngjarjet e mëdha që po ndodhnin në Greqi, si dhe shkëputja e Titos nga kampi komunist. Greqia ishte mbërthyer në një luftë të ashpër civile, ku komunistët grekë kërkonin të merrnin pushtetin, ashtu si shokët e tyre të idealeve në Shqipëri dhe Jugosllavi. Zbulimi britanik dhe ai amerikan ishin mjaft të shqetësuar për atë që po ndodhte në Greqi, pasi një fitore komuniste mund të ishte një shembull mjaft negativ për vendet e tjera me një shumicë popullsie me simpati komuniste, si Italia fqinje. Në fakt, sovjetikët mbeten në dukje besnik Marrëveshjes së Moskës dhe Jaltës mbi ndarjet e territoreve të influencës në një Europë të pasluftës. Megjithatë, Shërbimet Sekrete Sovjetike, nëpërmjet KOMINFORMIT zhvillonin një punë të madhe në favorin e komunistëve grekë, duke shpresuar që të ndryshonin raportin e influencës në Greqi. Viti 1948 ishte një vit shumë i rëndësishëm për faktorin komunist në botë. Jugosllavia komuniste, në dukje një aleat besnik i sovjetikëve, vendosi shkëputjen nga kampi socialist. Një goditje shumë e rëndë për imazhin komunist dhe me sa duket, nga dokumentacioni historik i kohës, sovjetikët nuk e gëlltitën lehtë këtë tradhti të kryer nga një prej ish-nxënësve të Shkollës së Partisë së Moskës. Stalini personalisht u interesua për një zgjidhje të menjëhershme të këtij problemi, deri edhe në eliminimin fizik të Titos. Të gjitha këto zhvillime që po ndodhnin në Ballkanin e pasluftës kanë qenë faktorët kryesorë që sollën edhe formimin e idesë së operacioneve ndaj Shqipërisë. Shqipëria, një vend shumë i varfër dhe i vogël, mund të ishte një vend ideal ku shërbimet britanike dhe ato amerikane të mund të eksperimentonin rrëzimin e qeverive komuniste nëpërmjet operacioneve klandestine. Në fakt, kishin qenë britanikët ata që në 1941 kishin financuar operacionet kundër Ushtrisë italiane në Shqipëri, duke fermentuar edhe një lëvizje anti-italiane, e cila solli si rrjedhim një shtrirje të gjerë të luftës guerile dhe formimin e formacioneve ushtarake partizane. Ishin pikërisht britanikët, të cilët propozonin përsëri një plan të ngjashëm me synim Shqipërinë. Disa prej oficerëve që kishin vepruar në Ballkan, nën ombrellën e SOE-së, tashmë ishin pjesë e Shërbimit Sekret Britanik MI6 dhe si rrjedhim arritën të bindin autoritetet britanike për të projektuar një plan për rrëzimin e qeverisë Hoxha, e cila 5 vite me parë kishte ardhur në pushtet me ndihmën e madhe të anglezëve. Sipas dokumentacionit në dispozicion, shikohet qartë se nismën për operacionet klandestine ndaj Shqipërisë e kanë marrë britanikët, të cilët kërkonin me çdo kusht të ruanin influencat e tyre në Ballkan dhe veçanërisht në Greqi. Greqia për britanikët mbetej pika më e rëndësishme e influencës së tyre dhe për ruajtjen e saj.
Dokumenti që botojmë sot është një prej indikacioneve të para të oficerëve të Zbulimit amerikan, të cilët kishin filluar të vëzhgonin mundësinë e përgatitjes së një operacioni, me synim Shqipërinë komuniste. Duhet theksuar një fakt shumë interesant, që do të ndriçohet plotësisht në numrat e ardhshëm të ciklit “Dokumentet e CIA-s për Shqipërinë” se me operacionet shqiptare janë përfshirë disa prej emrave legjendarë të Shërbimeve Sekrete Amerikane dhe themelues të CIA-s. Emrat e Frank Wisner, drejtues i OPC-së, Drejtorisë Sekrete brenda CIA-s, James Jesus Angelton, shefi i Kundërzbulimit të CIA-s apo Carmel Offie, tregojnë rëndësinë shumë të madhe që CIA i kishte dhënë Shqipërisë. Rrëzimi i qeverisë komuniste nëpërmjet operacioneve klandestine do të ishte eksperimentimi i parë pas Luftës që Agjencia e Zbulimit Amerikan do të planifikonte dhe do të zbatonte për disa vjet me radhë. Ky eksperiment do të përsëritej shpesh në vitet në vazhdim në Kore, Vietnam dhe Amerikën Latine, apo në përpjekjen e famshme për të rrëzuar Fidel Kastron në Kubë.

 

Nga AURON TARE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu