Zbatimi i IBM, përkufizon sovranitetin e Kosovës

0
644

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar një mbledhje, në të cilën kryeministri Hashim Thaçi, ka njoftuar kabinetin qeveritar me zhvillimin e takimit të tretë me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në mesë të Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi ka theksuar se edhe në këtë takim, çështja e parë që është diskutuar ka qenë zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin integruar të kufirit.

“Kjo çështje e përkufizon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, tha Thaçi.

“Implementimi i marrëveshjes për menaxhimin integruar të kufirit konsideroj se është një e arritur dhe sukses i madh i dialogut. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të fillojë më 10 dhjetor, në orën tetë të mëngjesit, në Jarinjë dhe në Merdar, ndërsa në dy pikat tjera kufitare, në Bërnjak dhe te Dheu i Bardhë, do të fillojë zbatimi deri më 31 dhjetor”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Kryeministri ka bërë ftesë të gjithë qytetarëve, në veçanti pjesëtarëve të komunitetit serb, që të kuptojnë drejtë procesin pasi, sipas tij, kjo marrëveshje është në interesin e të gjithë qytetarëve, në interesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë

“Implementimi i kësaj marrëveshje e ka mbështetjen e plotë të mekanizmave ndërkombëtar, EULEX-it, KFOR-it dhe pëlqimin e plotë të Qeverisë së Serbisë”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Pika tjetër e diskutimit në takim, ka thënë kryeministri Thaçi, ka qenë marrëveshja për hapjen e zyrave ndërlidhëse në dy kryeqytetet.

“Jemi pajtuar që në fazën e parë, zyrat ndërlidhëse të vendosen në ndërtesën e misioneve të BE-së në Prishtinë dhe Beograd. Javën e ardhshme Qeveria, pas konsultimeve edhe me presidenten do të emëroj një prej ambasadorëve aktual, si përfaqësues të Kosovës në Serbi”, ka thënë kryeministri Thaçi në fjalën e tij.

Mbrojta e trashëgimisë kulturore dhe fetare ka qenë temë tjetër e diskutimit në takimin e kryeministrit Hashim Thaçi me kryeministrin serb Ivica Daçiq. Kryeministri Thaçi ka prezantuar vendimin e Policisë së Kosovës për themelimin e njësisë së veçantë për mbrojtjen dhe ruajtjen e monumenteve kulturore, historike dhe religjioze. Njësia do të ketë në përbërje pjesëtarë të komuniteteve etnike të Kosovës, pra do të ketë përbërje multietnike.

Transparenca e financimeve shtetërore të Serbisë në Kosovë, ka qenë temë tjetër e diskutuar në takim. Kryeministri ka theksuar se është e drejtë e shtetit serbë që të interesohet dhe të mbështes pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë por është kërkuar që kjo ndihmë të jetë transparente dhe e mbikëqyrur edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë.

“Nuk kemi ende ndonjë marrëveshje përfundimtare për këtë çështje, sepse kjo lidhet drejtpërdrejt edhe me domosdoshmërinë e shpërbërjes së strukturave ilegale që do të jetë temë e veçantë në një nga takimet e radhës”, ka thënë kryeministri.

“Si gjithmonë, çështje që diskutohet në çdo takim, është çështja e personave të zhdukur”, është shprehur Thaçi në fjalën e tij.

Kryeministri ka vlerësuar se kjo është një nga plagët më të rënda për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës, andaj edhe do të intensifikojmë punë e komisioneve për këtë çështje, ndërsa presim që edhe bashkësia ndërkombëtare do të rris trysnin te autoritetet në Beograd, në mënyrë që Serbia të kryej obligimet e saj në zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

Takimi tjetër, i radhës, në mes të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë Ivica Daciq do të ndodh në javën e tretë të muajit janar.

Duke vazhduar traditën e informimit të spektrit politik dhe opinionit publik kosovar për diskutimet dhe për pajtueshmëritë për çështjet në dialog, kryeministri ka kërkuar që në një nga seancat e ardhshme të raportojë në Kuvendin e Kosovës. “Sot dhe nesër, por edhe në ditët e ardhshme do të kem takime me liderët e partive tjera politike, por edhe përfaqësuesit e shoqërive civile, duke i mirëpritur idetë, sugjerime, këshillat, por edhe mbështetjen e tyre”, ka përfunduar informatën e tij kryeministri Hashim Thaçi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu