Zbulohet financimi i “Xhihadit” të shqiptarëve- paratë vinin nga bizneset e besimtarëve

0
389

Sipas prokurorisë së Krimeve të Rënda, financimi bëhej kryesisht nga besimtarë myslimanë, të cilët zotërojnë biznese në Tiranë dhe rrethe, shkruan “Gazeta Shqiptare”

Zbardhen detaje rreth mënyrës sesi financohej ‘celula’ terroriste në Tiranë, e cila rekrutonte dhe dërgonte për xhihad në Siri besimtarë myslimanë. Sipas prokurorisë së Krimeve të Rënda, financimi bëhej kryesisht nga besimtarë myslimanë, të cilët zotërojnë biznese në Tiranë dhe rrethe. Paratë dorëzoheshin cash dhe jo në bankë, për të shmangur dyshimet e policisë, me qëllim që të mos bëheshin objekt vëzhgimi, pasi në këtë mënyrë do të zbuloheshin.

“Për dhjetë muaj kemi vëzhguar me agjentë të infiltruar të gjitha veprimet e të dyshuarve. Kemi arritur të provojmë me pamje filmike dhe me foto momentet kur të dyshuarit takoheshin, si dhe dorëzonin paratë te njëri-tjetri. Burimi i parave janë bizneset e besimtarëve”, tha një burim i prokurorisë. Organi i akuzës ka hedhur dritë dhe mbi mënyrën sesi rekrutoheshin dhe dërgoheshin në Siri besimtarët. Në dosjen e prokurorisë, ndodhen disa video të filmuara në ambientet e xhamive nga agjentët e infiltruar të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Antiterrorit. Në video shfaqen të dyshuarit, kryesisht dy imamët e vetëshpallur i Unazës së Re dhe asaj të Mzezit, duke bërë thirrje për xhihad.

Infiltrimi

Agjentë të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Antiterrorit për afro dhjetë muaj kanë vëzhguar hap pas hapi të dyshuarit si pjesëtarëve të celulës terroriste. Të infiltruarit kanë mundur të hyjnë në ambientet e brendshme të xhamive, pasi janë hequr si besimtarë. Në këtë mënyrë, kanë mundur të sigurojnë prova të pakundërshtueshme, ku imamët e vetëshpallur bënin thirrje për xhihad. Gjithashtu, kanë filmuar dhe fotografuar momente të ndryshme, kur shkëmbeheshin paratë dhe sapo siguroheshin financimet, besimtarët në shumë raste dhe me familjet e tyre, gra e fëmijë dërgoheshin drejt Sirisë. Rezulton se të paktën 50 besimtarë janë dërguar në Siri për tu bërë pjesë e luftimeve. Sipas prokurorisë rruga që ndiqej për të mbërritur në Risi, ishte përmes Aeroportit të Rinasit me destinacion Turqinë. Prej andej, kalonin në Siri, me shumë gjasë me identitete të ndryshuara.

Operacioni

Operacioni për kapjen e të dyshuarve për terrorizëm u zhvillua përgjatë mëngjesit të së martës, në disa qytete njëkohësisht. Policia i arrestoi dy imamët e vetëshpallur, atë të xhamisë së Unazës së Re Genci Balla dhe ai i xhamisë së Mzezit, Bujar Hysa, në momentin kur kishin shkuar për të kryer ritin e faljes. Në pranga përfunduan dhe gjashtë besimtarë, njëri prej të cilëve u ndalua në mbrëmjen e po asaj dite. Gjatë kontrolleve në banesat e të dyshuarve u bllokuan armë, libra që nxisin urrejtjen fetare, si dhe dokumente identiteti në gjuhën arabe. Sipas prokurorisë Balla konsiderohet organizatori i rekrutimit dhe dërgimit të besimtarëve myslimanë në Siri.

“Genci Balla është i njohur në qarqet radikale të vendit si një ndër teologët më të spikatur të rrymës “Tekfiriste”. Balla është një ndër teologët më radikalë që propagandon Islamin e dhunshëm, nxit urrejtjen ndaj besimtarëve dhe besimeve të tjera, nxit frymën e përçarjes brenda komunitetit mysliman, si dhe është një nga frymëzuesit dhe organizatorët kryesorë në rekrutimin, organizimin dhe dërgimin e besimtarëve myslimanë Shqiptarë për xhihad luftarak në Siri”, thuhet në dosjen e prokurorisë./Gazeta Shqiptare/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu