Zeqije Nuri: Ju tregoj ditën që vërshuan kriminelët e Napolon Zervës në Paramithi

0
771

Zeqije Nuri sot është rreth të 85-ve dhe jeton në një hyrje modeste të një pallati në qendër të Tiranës. Mësojmë se ajo është një nga dëshmitaret e masakrës së përgjakshme të forcave greke, të komanduara nga Napoleon Zerva, mbi popullsinë e pambrojtur çame. Bëhet e ditur gjithashtu se, nënë Zeqija ka njohur personalisht kryekriminelin e asaj masakre aq të përgjakshme, që do të ngelej e freskët në çdo kohë në histori, Napoleon Zervën. Ajo ka guxuar madje ta sfidojë atë. Atëherë ishte vetëm 18 vjeçe, kishte tre vjet e martuar, madje kishte dhe një vajzë dy vjeçe. Por si e përjetoi ajo momentin e sulmit grek mbi Çamërinë. Torturat dhe grabitjet e grave të pambrojtura. Si donin ta pushkatonin me foshnjën e vogël. Djegia e kunatës së gjallë dhe burgosja e saj. Gjithçka bëhet e qartë tashmë, në rrëfimin e vetë nënë Zeqijes.

Zonja Zeqije, ku jetonit në ditët që filloi masakra gjaka tare mbi banorët e Çamërisë?
Deri në qershorin e vitit 1944, kur do të na shpërngulte me dhunë kasta gjakatare e Napoleon Zervës, ne kemi jetuar në qytetin e Paramithisë në Çamëri. Mendoj se e dini që Paramithia dhe Parga ishin pikërisht qytetet ku filloi së pari dhe u ushtrua terrori më i përgjakshëm, që dhe sot kur e kujtoj më dridhet trupi. (fillon përlotet). Ç’të të them o bir. Nuk e di ata njerëz ku e gjetën atë kurajë dhe atë zemër që prenë dhe koka fëmijësh. Nuk e di o bir se si mundën ata njerëz me të cilët kishim banuar derë më derë, me të cilët kishim dhënë dhe kishim marrë, të mund të bënin atë që bënë. A kishin ata fëmijë vetë?! A kishin prindër, a kishin familjarë?! A i kishte bërë një nënë?! Nuk e di, por dhe ujkonja kur ka gjetur fëmijën e ka mbajtur pa e ngrënë. Më kanë thënë se dhe gjarpri nuk e ha fëmijën, ndërsa ata u morën edhe me një e dyvjeçarët. Mos o zot, se më bëre të kujtoj atë maskarallëk. (lotët që i rrjedhin çurkë nuk i mban dot pavarësisht se mundohet shumë me shami)
Pas nesh e pësoi dhe Filati që iu pushkatuan, masakruan dhe barbarizuan plot 80 burra.
Si ndodhi që u pushkatuan 80 djemtë e Filatit?
Them se te ne, në Paramithi dhe në Pargë, ishte masakra më e madhe se në zonat e tjera të Çamërisë sepse aty filloi kasaphana. Ndërsa në zonat e tjera, njerëzit, kryesisht burrat, patën kohë të merrnin masa dhe të largoheshin kur panë dhe mësuan se çfarë po ndodhte në qytetin tonë. Megjithëse nga kjo masakër nuk shpëtoi as Filati, ku çamët e atjeshëm fillimisht patën kohë për të ikur në Shqipëri.
Po dhe në Filat ndodhi gjakderdhje e madhe, pavarësisht se ata patën kohë të largohen nga shtëpitë e tyre, kryesisht burrat se mesa di. Ata nuk kanë pasur asnjë mundësi jetese, madje copëtoheshin me thika që në momentin që kapeshin, apo jo?
Është e vërtetë se ata, ndërsa mësuan për viktimat dhe makabritetin e fëmijëve dhe njerëzve tanë të Paramithisë që u erdhi e papritur, morën masa dhe ikën në Shqipëri. Por ata si ndenjën disa kohë në Shqipëri, kujtuan se i shpëtuan valës së përgjakshme. Pas kësaj, duke mos ditur se ç’bëhej me fëmijët e tyre dhe duke menduar se kishte kaluar vala e terrorit, filluan dalëngadalë të riktheheshin në shtëpitë dhe trojet e tyre. Por dhe atëherë pavarësisht se kishte kaluar një farë kohe nga ditët e Paramithisë, ndodhi e papritura. Sa u kthyen, ata e pësuan, siç të thashë më lart, me 80 djem, midis tyre edhe të vegjël e shumë të vegjël, të pushkatuar dhe masakruar deri aty sa i kanë bërë copa-copa në mes të rrugës. Pra, po ta përsëris mirë që të më kuptosh o bir, që kishte djem të mitur fare, që i vunë në rresht në mes të Filatit dhe pa iu dridhur dora fare grekut, i qëllonin kë me një plumb në kokë e kë me breshëri e kë duke e goditur me bajoneta apo me thika, ndërkohë që disa i vranë njëherësh. Atje e pësuan dhe dy dajat e mi të shkretë, që u therën në mes të sheshit të Filatit.
Ju lutem nënë Zeqije, si filloi dhe si u arrit deri në atë pikë sa të pritej koka e njeriut si të ishte e bagëtisë? Është e vërtetë që ju si Çamëri keni bashkëpunuar me Gjermanin siç ju kanë akuzuar forcat e Zervës?
E ç’gjerman do të shikonim dhe bashkëpunonim ne. Ku na pyeste gjermani dhe çfarë i duheshim neve gjermanit. I kanë llafe kot, se duan të justifikojnë tragjedinë më të madhe që mund të jetë bërë mbi njerëzit. E mësova dhe atë që ndodhi në Kosovë me njerëzit e Millosheviçit, por të jesh i bindur që ata nuk e arrijnë kurrë atë që shkaktoi greku te ne. Pastaj, ata filluan të na vrisnin shumë më parë se të fillonte ajo që njihet tani nga e gjithë bota si masakër. Sepse mua më kanë vrarë vëllain, ndërsa edhe burrit tim i vranë dy vëllezërit. Dhe kjo ka ndodhur jo afër, por plot një vit më parë se të fillonte masakra për të cilën po flasim me kaq hollësi.
Si ndodhi?
Ja, atë po të tregoj, ndërkohë që po të tregoj edhe atë që e quanin marrëdhënie tonën me gjermanin. Sepse në kishte gjerman të afruar me familjarët ishte shtëpia jonë, që banonin në të plot shtatë gjermanë.
Pse?
Ata ishin në shtëpinë tonë plot një vit më parë se të ndodhte masakra. Sepse që ta dish edhe një herë, masakra ndodhi kur ikën gjermanët. Por ata as na pyetën që do të vinin në shtëpi dhe as na respektuan, por na dhunuan aq sa rrinim si të huaj në shtëpinë tonë. Por ndodhi edhe ajo që, në atë kohë greku na vrau vëllezërit si mua ashtu dhe burrit tim Tahirit.
Mund të ma shpjegoni ju lutem, për faktin se duhet të dimë hollësisht atë që ka ndodhur. Së pari, si përfunduan gjermanët në shtëpinë tuaj?
Një vit më parë, ia behën në shtëpinë tonë 7 gjermanë dhe pa pyetur dhe pa u ndalur as për të salutuar hynë në oborr dhe që andej brenda në shtëpi. Panë dhomat me vëmendje të madhe duke kaluar sa në një derë në tjetrën. Në këtë kohë që ata po qarkonin në shtëpi ne nuk e dinim se çfarë donin dhe ku e kishin qëllimin. Më mbrapa, kur ikën, lanë njërin në shtëpi dhe thanë se do të rrinin në shtëpinë tonë. Ata kishin pikasur dhomën time dhe menduan të rrinin aty. Që nga ai moment nuk hymë më në dhomë. Ata duhet të kenë qenë të mëdhenj në detyrë, se kishin vendosur roje natën dhe ditën rreth shtëpisë.
Flinin të shtatë aty?
Po, të shtatë. Ditën rrinte një oficer dhe një kapter ndërsa në darkë vinin dhe të tjerët dhe kishin rregulluar krevatet që flinin.
Më falni nëse ju pyes disi në intimitet. Ju keni qenë 18 vjeçe, si nuse e re në atë shtëpi. Nga sa kam mësuar, keni qenë shumë e bukur, aq sa Napoleon Zerva ka kërkuar të martohej me ju. Ndërkohë që jo pak, por shtatë gjermanë kanë jetuar për një vit në shtëpinë tuaj, madje në dhomën tënde, ndërsa ti ishe shtëpiake duke bërë punët brenda shtëpisë gjithë ditën. Ka pasur rast të ndonjë ngacmimi ndaj teje?
Absolutisht jo. Asnjë fjalë. Asnjë shikim dhe asnjë provokim. Ishin tepër të rregullt në këtë drejtim. Nuk mendohej fare diçka e tillë.
Po ju në një farë mënyre paskeni bashkëjetuar me gjermanin, gjë që për të qenë i sinqertë më bën të dyshoj te propaganda zerviste se ju paskeni bashkëpunuar, ndërkohë që forcat e tij luftonin kundër tyre që kishin ardhur në atë vend si pushtues. Keni shpjegim të kundërt për sa po paragjykoj?
Nuk është fare e vërtetë, se të dish mirë ti, ata gjermanët nuk u vunë në të gjitha shtëpitë e paramithjotëve. Atëherë, përse masakra përfshiu mbarë Çamërinë? Ata erdhën vetëm në shtëpinë tonë, që me sa duket e pëlqyen për komandën, që të flinte aty. Por ushtarët gjermanë nuk kanë shkuar në shtëpitë e tjera, por kanë ndenjur në kazermat e tyre. Te ne bëhej shërbim nga ata natë e ditë, gjë që më bën të mendoj se ata kanë qenë me përgjegjësi. Neve nuk na pyetën fare dhe as donin të dinin. Por që të dal te sqarimi që të nisa që në fillim, ata jo që nuk donin të dinin për neve por na binin në qafë.
Si ju binin?
Së pari, nuk donin të dinin përse e kishim ndezur zjarrin por vinin kur ne kishim vënë për të ngrënë dhe hiqnin tenxheren tonë për të gatuar për vete. Pas kësaj ne rrinim pa ngrënë se nuk kishim ç’të hanim. Pra rrinim pa bukë. Por më e keqja ishte kur na vdiqën vëllezërit mua dhe burrit. Na i vranë grekët dhe kur ne qanim në oborr s’i sollën trupat e tyre të masakruar. Gjermanët këndonin dhe i binin fizarmonikës. Jo vetëm kaq, por ata na bërtisnin të mos qanim se nuk donin zhurmë. Madje, burrin tim Tahirin, që kishte dalë në bahçe dhe po qante dy vëllezërit që ia kishin masakruar kriminelët grekë, gjermanët shkuan dhe desh e vranë me pistoletë pas koke. Vetëm se u tha disa herë se ishte i zoti i shtëpisë që e lanë.
Si jua vranë vëllezërit?
Dy vëllezër të burrit dhe vëllain tim. Kishte vetëm pak ditë që gjermanët na kishin zaptuar shtëpinë, një dhomë të saj. Të thashë që as të pyesnin dhe as të përfillnin, madje të hiqnin tenxheren nga zjarri. Dy vëllezërit e burrit, të quajtur Sulejman dhe Hamit, së bashku me vëllain tim të quajtur Eqerem kishin një kope me bagëti, dele. Ishin rreth 700 krerë. Sulejmani ishte 39 vjeç i shkreti dhe tani para sysh e kam. Kishte dy fëmijë. Hamiti ishte vetëm 22 vjeç, ndërsa vëllai im Eqeremi ishte 25 vjeç. Atë ditë që i vranë kishin zbritur në shtëpi dhe si ndenjën ca u larguan për në stan ku i kishin përqendruar bagëtitë.
Sa larg ishte vendi ku i mbanin me shtëpinë?
Në dimër i çonin larg, në vende me kullota dimërore, ndërsa në verë i mbanin afër. Pra, sipas stinëve. Atë periudhë që po të tregoj, ishte qershori i ’44-ës, ato i kishin rreth 2 orë larg shtëpisë, në një vend që e mbaj mend si tani që quhej Seleni. Si kishin shkuar në stan ia kishin behur një grup i madh me grekë. Ushtarë apo partizanë grekë quaji si të duash, por ata ishin vetëm kriminelë dhe të pabesë dhe asgjë më shumë. Kur shkuan aty, ata njiheshin me vëllezërit tanë dhe u pritën mirë. Sulejmani që ishte më i madhi u tha që mirë se shkuan dhe të uleshin se do t’u bënin për të ngrënë. Therën bagëti dhe shtruan drekë, ku veç mishit vunë mjaltë, gjalpë, djathë të njomë e plot gjëra. Sulejmani i priti si vëllezër.
Sa grekë ishin?
Po duhet të kenë qenë 30 apo 40 veta. Kaq kemi mësuar se ishin. Pastaj si hëngrën mirë e mirë, u thanë se do të merrnin bagëtinë se iu duheshin. Sulejmani u tha se mund të hanin aty sa të donin madje të thernin edhe bagëti plot, por të gjithë tufën nuk mund ta lejonte. Pas kësaj, ai është ndjekur dhe është ekzekutuar. Kësaj i thonë që të të ekzekutojnë ata që u ke dhënë bukë. E këtë të bën greku mor bir. Nuk morëm vesh se ç’e bënë; edhe të vdekur nuk e gjetëm më asnjëherë Sulejmanin. E qamë ashtu, pa e pasur para as të vdekur.
Thatë se në stan ishin edhe vëllai tjetër i Sulejmanit, Hamiti dhe vëllai juaj Eqeremi?
Eh, të dy i vranë të pabesët. Vëllain tim e kishin ndjekur me vrap derisa e vranë mbi një ferrë (fillon të lotojë nga ndjeshmëria e tepërt, prej vuajtjeve që i kujtohen). E kishin hedhur mor bir mbi ferrë të mbuluar prej gjembave, aq sa i kishte mbetur lëkura e duarve nëpër gjemba. Nëna ia mblodhi lëkurën dhe e vendosi në një kuti shkrepëseje dhe e mori me vete edhe në Shqipëri. E mbajti derisa vdiq. Ajo derisa vdiq e mbante me vete dhe hapte herë pas here kutinë dhe qante mbi lëkurën e vëllait. Ndërsa Hamitin e gjetëm jo vetëm të vdekur, por ia kishin hapur kafkën e kokës dhe i kishin dalë trutë përjashta. Ishte një llahtari e vërtetë. Kur na thanë u lëshuam me vrap për të marrë kufomat. Ç’të të them. I vendosëm në oborr të dy kufomat, pra të Eqeremit dhe të Hamitit, se siç të thashë Sulejmanin nuk e gjetëm fare, as të vdekur.
Edhe ata që i vranë, nga Paramithia ishin?
Po, po, nga Paramithia. Ishin të njohur dhe me shumë prej tyre dikur kishin qenë shokë.
Nga i mësuat juve?
Po na treguan menjëherë se kush kishin qenë më kryesorët. Sepse ashtu siç kishte njerëz të këqij kishte dhe njerëz të mirë. Vetë paramithjotët na folën dhe na treguan edhe se si kishte ndodhur ngjarja, sepse shumë prej atyre djemve që kishin qenë në vendngjarje e treguan menjëherë.
Mund t’i kujtoni me emra për sa mësuat se kanë qenë në vrasjen e vëllezërve tuaj, meqenëse flitet për njerëz të Paramithisë. I mbani mend sot?
Ne i mësuam që në atë moment. Ishte Koço Dako, i cili u vra më mbrapa në provokacionet e gushtit në Gjirokastër; Dhimo Kasari; një djalë nga fisi Bollshi të cilit s’ia mbaj mend emrin se kanë kaluar vite, por që atëherë i mësuam më të shumtit menjëherë.
Por këtu në këtë subjekt ishte tragjedia tjetër, se në shtëpi ishte gjermani që nuk na linte të bënim nderet e vëllezërve pa jetë.
Pse, si vepronin?
Ata nuk na linin as të qanim dhe aq më shumë të merreshim me kufomat. Madje vinin në dhomën tonë ku ishim mbledhur për të vajtuar dhe na çonin nga vendi dhe na thonin se iu prishëm qetësinë dhe duhej të pushonim. E pra, ai gjermani që na akuzonin se bashkëpunonim, nuk na linte as të qanim të vdekurit e familjes që ishin tre djem azganë. Ju thatë se i kishim lënë në shtëpi kur ata e kishin zaptuar atë, por që nuk kishin hyrë kudo. Ata duhet të kenë qenë siç të thashë komandantët, sepse vetëm aty rrinin.
Si nuk ju linin? A e dinin ata se cilët ju kishin vdekur?
Trupat e pajetë ishin në oborr, ndërsa ata i binin fizarmonikës pa ua bërë syri tërr fare. Ata kërcenin me fizarmonikë ndërsa neve na dridhej trupi.
Dhe sa ndenjën aty?
Jua thashë që gjermanët ndenjën rreth një vit, deri në ditën që hynë kriminelët e rinj të kryekriminelit Napoleon Zerva. Ishte fillimi i qershorit 1944. Data duhet të ketë qenë 27 qershor në s’jam e gabuar, për shkak të më shumë se 65 vjetëve që kanë kaluar nga ajo kohë dhe saktësitë e mëdha sikur më bezdisin moshën e thyer që kam. E mbaj mend mirë që ishte ditë e martë ashtu siç mbaj që ishte fillim qershori, këtë për faktin se sa kishim korrë grurin dhe kishim hedhur bukën e re në hambar. Nuk e kishim provuar akoma kur erdhën të zinjtë të nxinin shpirtrat tanë. Se atëherë buka e re fillonte me ceremoni, madje edhe me festa familjare. Nuk prekej gruri i ri po s’u pagëzua në mënyrë festive. Ishte një farë mënyre respekti për djersën dhe për zotin që na mundësoi të mbushnim hambarët.
Si nisi saktësisht?
Natën kur do të hynin njerëzit e Zervës ikën gjermanët. Ata ikën që në pasdite dhe na thanë që do të na thernin grekët që do të vinin po të merrnim masa. Të iknim fare. Ne në të vërtetë nuk i morëm shumë seriozisht ato që na thanë. Nuk e di, por nuk më zinte gjumi dhe kisha dalë në ballkon. Ka qenë ora aty te 01 e natës kur ç’të të them, ç’më shikonin sytë. Shtëpia jonë ka qenë në të dalë të Paramithisë ku më tutje vjen shpati me ullinj apo ullishtja e Karakojit që i thonë. Ishte nxirë vendi nga ushtarët. Ata ishin ulur dhe ecnin ashtu të ulur për të mos u kuptuar. Afroheshin këmbadoras si pulat. Por nuk ishin një e dy, por mizëri. Të paktën kështu mu dukën mua. I ke parasysh ato milingonat që mbulojnë trungun e një lisi të prerë që nxin çdo gjë? Ashtu dukeshin dhe ata.
Vepruan menjëherë?
Zotëruan qytetin. Mëngjesi shikoheshin kudo ushtarët e Zervës që nuk linin mëdyshje se diçka e rëndë do të ndodhte. Gjithsesi ditën e parë nuk vepruan. Të gjithë ishim të terrorizuar. Nuk kishim bërë asnjë gabim dhe të vetmin mëkat që kishim se ishim myslimanë. Pra nuk ishim kaurë. Ndërsa më mbrapa u dëgjua shumë se bashkëpunuam me gjermanin. Edhe të donim të bashkëpunonim nuk na donte gjermani ne, por ajo që ndodhi mbi ne ishte një pastrim i pastër ndaj atyre që nuk ishin kaurë. Pasi ata nuk pyetën të theksova as foshnjat dhe jo më të mendonin për të mëdhenjtë. Pse foshnjat ishin bashkuar me gjermanin? E që ta kisha fjalën te mëngjesi i asaj dite të 27 qershorit menduam të gjithë se çfarë mund të bënim. Im shoq Tahiri atë ditë u nis në Janinë për ti shpëtuar asaj që pritej.
Po ju thoni se kuptonim, por nuk ishim të saktë se çfarë do të ndodhte?
Nuk kishte dyshim që ata do të fillonin terrorin. Nuk kishte dyshim se do të vrisnin burrat, por nuk e mendonim se do të merreshin dhe me gratë dhe fëmijët. Prandaj rendën burrat të shpëtonin me këmbë. Mirëpo Tahiri ndërsa do të niseshin u pendua që po na linte vetëm dhe desh u kthye. Më mirë që s’u kthye se nuk do të ishte i gjallë më.
E thoni me garanci këtë?
Po, po me bindje të plotë. Nuk ngeli i gjallë as një burrë duke filluar me hoxhën e priftin e deri te burri më i largët, madje dhe te ata që kishin qenë pari e qytetit. Jo vetëm i ekzekutuan, por i masakruan të gjallë derisa jepnin shpirt. Kështu që Tahiri nuk do të jetonte po të kishte ndenjur siç bëri planin më mbrapa. Por ishin dy miqtë e tij të quajtur Musa Breberi dhe Muharrem Prrenjasi ata që e detyruan.
Si e detyruan?
Në fillim ai e vendosi me ta që do të iknin së bashku në Janinë. Pastaj nga dreka kur e ktheu planin ata i thanë që pa ty ne nuk kemi ku shkojmë, por hajde me ne se para se të të vras kauri do të të vrasim ne se e dimë që nuk do të shpëtosh. Dhe kështu iku. Ndërsa unë që në mëngjes, që zbarkuan forcat e Zervës siç të thashë në fillim që ditën e parë nuk vepruan, por verifikuan edhe vunë shtetrrethim duke kontrolluar gjithçka. Unë me porosi të vjehrrës për ti shpëtuar ndëshkimit që në mëngjes u nisa për te shtëpia e kushëririt tim, i cili kishte pasur marrëdhënie të mira me grekët. Pra, jepte e merrte me ta dhe menduam se aty nuk do të na ndodhte gjë.
Nënë Zeqije, kemi thënë që duhet të flasim me emra dhe mbiemra me qëllim që të kuptohet se ngjarjet që po tregohen janë saktësisht të vërteta. Pra, si quhej kushëriri yt ku shkuat?
Quhej Qazim Rexhepi. Unë aty vajta me gocën time vetëm dy vjeçe mbase kushedi se nuk e preknin shtëpinë e tij. Unë isha siç të thashë vetëm 18 vjeçe. Atje gjeta dhe nënën time. Për çudi në drekë erdhën paria, apo drejtuesit e ushtarakëve që kishin zbarkuar për gjakun çam në qytet. E më e madhja ishte se bashkë me ta ishte dhe vrasësi i vëllait tim dhe i vëllezërve të burrit që të shpjegova që i vranë një vit para masakrës forcat e Zervës kur donin tu grabisnin bagëtinë.
Kush ishte ky?
Ky ishte Vasillaq Kokori. Ne e dinim emrin, por si fytyrë nuk e njihnim. Madje në një rast kur hyri te porta ai i tha të zotit të shtëpisë për nënën time se kush është kjo zonja. Qazimi i tregoi që është filania. Ajo i tha që jam nëna e Eqerem Katit që ma vrau Vasillaq Kokori. Por ai ishte vetë Vasillaq Kokori. Ai si e dëgjoi që tha kështu iu përgjigj se nuk ta kam vrarë unë djalin. Dhe iku. Kjo u trondit kur pa vrasësin e të birit që do drekonte me kushëririn tonë. Por nuk ishte thënë që të mbroheshim aty. Sepse kjo ishte veç një utopi. Gjaku i dalë nga tehu i thikës së grekut o bir, mbushi rrugë dhe rrugica. Kudo ku shkoje shikoje kufoma fëmijësh dhe burrash. Grash dhe vajzash. Si kam shpëtuar nuk e di. Kanë dashur të më vrasin disa herë. Më kanë çuar mbi varrin e hapur shokët e klasës sime dhe më kanë ulur kokën mbi të për të më goditur me pistoletë pas koke, ndërkohë që vajza dyvjeçare ishte lebetitur. Ata vetëm njerëz nuk ishin por çdo gjë mund tju thoje. Unë ula kokën dhe prisja të më qëllonin, por ishte vetëm kujtesa e vjehrrës që u tha se kishte fshehur dhe diku ca flori që na lanë.

(Vijon nesër)

Nga, Fatos Veliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu