“Zëri” ua zbuloi dallaveret

0
775

Drejtuesit e Komunës së Gjakovës kanë bërë keqpërdorime të mëdha, prandaj sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, ata përpiqen që me çdo kusht ta fshehin krimin që kanë bërë me tjetërsimin e pronave. Ata thonë se mënyra se si kanë reaguar zyrtarët komunalë të Gjakovës dëshmon se raportimi i “Zëri” për pronat është duke e zbardhur një të vërtetë.

Sipas tyre, komunarët do të duhej të “dorëzoheshin” para organeve të rendit, dhe jo të mobilizohen për t’i blerë gazetat gjithandej Gjakovës, sikurse që kanë bërë të hënën duke pretenduar që në këtë formë do ta mbajnë të mbyllur informatën.

Drejtori i Organizatës për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet – Çohu, Avni Zogiani, thotë se çështja e pronave është bërë biznes shumë profitabil për njerëzit e pushtetit.

“Besoj që komunarët e Gjakovës kanë bërë para të mjaftueshme për ta blerë një gazetë. Meqenëse merren me patundshmëri, patundshmëria në Kosovë është njëra prej bizneseve shumë të rëndësishme. Por unë mendoj që fakti që kanë dalë ta blejnë gazetën vetëm sa i ka rritur më shumë dyshimet se ato që janë raportuar me të vërtetë kanë qenë faktike dhe ata janë të involvuar në këtë biznes”, thotë Zogiani.

Ai thotë se kërcënimet e kryetarit të Gjakovës, Lekajt, se do ta padisë gazetaren që e ka shkruar artikullin, janë tendencë e tij që ta mbulojë skandalin e pronave.

“Gjithmonë kur mungojnë argumentet këta (komunarët) mundohen ta amortizojnë gjetjen e hulumtimeve me kërcënime për padi, të cilat në raste të rralla, ose më mirë me thënë hiç nuk realizohen”, nënvizon ai.

Edhe drejtori i lëvizjes FOL, Petrit Zogaj, thotë se sikur të hulumtohen shumica e komunave do të rezultonin se janë bërë keqpërdorime me prona.

“Ajo që është parë dje (e hënë) është njëra prej lajmeve të këqija që bëhet me pronën në përgjithësi, por me pronën publike në veçanti, nga kryetarë të caktuar, nga pushtete të caktuara nëpër komuna. Fakti që “Zëri” e ka publikuar një shkrim i cili ka qenë objektiv dhe faktik e ka traumatizuar pushtetin lokal në Gjakovë dhe për këtë ata e kanë blerë “Zërin” në mënyrë kolektive, duke u munduar ta mbulojnë komplet skandalin”, thotë ai.

Zogaj thekson se duke e blerë, përkatësisht hequr nga tregu një gazetë, pushtetarët kanë bërë veprim që vjen në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Ka qenë tendencë jashtëzakonisht e ulët që cenon lirinë e informimit të qytetarëve të Gjakovës për atë që e ka publikuar “Zëri”. Sikur mos të ishin të vërteta ato që i ka publikuar “Zëri”, me siguri që zyrtarët komunalë do të ndjeheshin komodë dhe nuk do të tentonin që ta blejnë gazetën”, nënvizon ai.

Ndërkaq, gazetari dhe analisti politik Nexhmedin Spahiu thotë se skandali i pronave në Gjakovë flet për një gjendje, siç thotë ai, shumë trishtuese të qeverisjes komunale.

“Fakti që është zbuluar një skandal në një komunë nuk do me thënë që në komuna tjera situata është më e mirë..”, thotë ai.

Spahiu: Lekajt i dhemb e vërteta!

Gazetari Nexhmedin Spahiu thotë se “Zëri” e ka bërë punën siç duhet, duke raportuar për një skandal të madh, pavarësisht se komunarët e Gjakovës në mënyrë të organizuar e kanë “zhdukur” gazetën nga tregu në Gjakovë.

“Po të ishte e pavërtetë, sigurisht që kjo do të demantohej edhe nuk do të ishte vepruar kështu. Por problemi është se e vërteta dhemb. Kjo tregon që kjo gazetë e ka treguar të vërtetën, prandaj edhe ka ndodhur kjo që ka ndodhur”, nënvizon ai.

 

Nga Jeton Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu