Zëvendësministrat që “zhvatën” buxhetin pa punuar asgjë

0
462

Ministra Balosha

Në 19 Ministri, sa janë aktualisht në Qeverinë e Kosovës, janë të punësuar edhe 39 zëvendësministra. Shumica e tyre kurrë nuk kanë bërë asnjë punë, madje disa nga ta nuk i njeh askush. Mirëpo, edhe përkundër kësaj, ata kanë marrë paga të majme nga buxheti i shtetit, sipas deklarimit të pasurisë pagat e tyre sillën nga 1.200 deri në 1.800 euro. Express ka llogaritur mesataren e këtyre pagave me 1.500 euro. Nga kjo llogaritje ka dalë se brenda një muaji këta persona marrin nga buxheti i shtetit mbi 58 mijë euro. Kurse, brenda një viti del se këta zëvendësministra kanë marrë prej arkës së shtetit vetëm për pagat e tyre mbi 700 mijë euro. Njohës të ekonomisë thonë se numri kaq i madh është veç ngarkesë për buxhetin. Sipas tyre, përveç pagave ata kanë shpenzuar edhe derivate e telefona pa kontroll.

Pozitën e detyrës e kanë mjaft të lartë, por punë bëjnë shumë pak. Disa nga ta ndoshta e përfundojnë mandatin pa lënë asnjë gjurmë të punës. Janë këta zëvendësministrat e Qeverisë së Kosovës, që janë emëruar në këto detyra sa për sy e faqe.

E, duket se edhe kot vazhdojnë t’i marrin pagat nga Buxheti i Kosovës. Se zëvendësministrat janë emëruar vetëm për t’i rehatuar militantët e partive, e thonë edhe njohësit e ekonomisë. Ata madje po thonë se këta njerëz nuk kanë kryer asnjë punë, përveç që kanë marrë paga të majme dhe kanë shpenzuar derivate e telefona pa kontroll.

Agron Demi nga Instituti GAP, që ka bërë më herët edhe një hulumtim për rritjen e numrit të ministrave e zëvendësministrave në Qeveri, thotë se një nga gjërat më të vështira për t’u kuptuar sot është numri i zëvendësministrave.

“…sipas formularëve të paraqitur në AKK, del se numri i zëvendësministrave është 39, çka është një numër tepër i madh i zëvendësministrave, të cilët i kushtojnë shtetit me buxhet për paga, mëditje, zyrë, telefon, asistentë, këshilltarë politikë, dreka zyrtare, karburante për vetura, etj.” – ka thënë Demi.

Demi ka treguar se para disa muajve GAP ka rekomanduar që Qeveria e re nuk duhet të ketë më shumë

se 13 ministri. Dhe për këtë, siç tregon ai, kanë dhënë edhe rekomandimet konkrete se cilat ministri të shuhen e cilat ministri të shkrihen në një.

“Për shembull: kemi propozuar që Ministria e Kthimit dhe Komuniteteve të shuhet dhe funksionet e saj të mbulohen nga Zyra për Komunitete në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Ministria e Diasporës të shuhet dhe funksionet e saj të mbulohen nga MPJ dhe MASHT. Të ketë vetëm një ministri të zhvillimit ekonomik. MAPL të shkrihet në MAP, etj. Po ashtu, kemi rekomanduar që numri i zëvendësministrave të ulet në 13 deri 15 zëvendësministra”.

Drejtori i GAP-it po ashtu thotë se zëvendësministrat nuk kanë pasur detyra të qarta. Sipas tij nëse shikohen shpenzimet e tyre për dreka zyrtare e karburante, në shumë raste ata zëvendësministra kanë shpenzuar më shumë se sa vetë ministri. Sipas tij, ka disa ministri të cilat kanë deri në tre zëvendësministra, por detyrat e tyre janë të pa specifikuara.

Në 19 Ministri, sa janë aktualisht në Qeverinë e Kosovës, janë të punësuar edhe 39 zëvendësministra.  Sipas deklarimit të pasurisë pagat e tyre sillën nga 1.200 deri në 1.800 euro. Express ka llogaritur mesataren e këtyre pagave me 1.500 euro. Nga kjo llogaritje ka dalë se brenda një muaji këta persona marrin nga buxheti i shtetit mbi 58 mijë euro. Kurse, brenda një viti del se këta zëvendësministra kanë marrë prej arkës së shtetit vetëm për pagat e tyre mbi 700 mijë euro. këtu nuk janë llogaritur pagesat për asistentët e tyre, shoferët, shpenzimet e derivateve dhe telefonit, mëditjet, reprezentacionet e pagesat e sigurimeve dhe shpenzimet e tjera që e rëndojnë arkën e shtetit në mbi 2 milionë euro në vit.

Katër Ministri më nga tre zëvendësministra

Në Ministrinë e Forcës së Sigurisë janë zëvendësministra: Muhamet Latifi, Bejtush Gashi dhe Jasmina Vasiq. Edhe Ministria e Arsimit ka tre zëvendësministra. Këto poste në MASHT i mbajnë: Nehat Mustafa, Usmen Baldži dhe Serboljub Djokiç. Numër të njëjtë të zëvendësministrave ka edhe Ministria e Punëve të Brendshme. Në këtë institucion, më këto poste janë të “ngarkuar”: Izmi Zeka, Sasa Rasiq e Ismet Ibishi. Derisa, tre emra “eminentë” janë me këtë post edhe në Ministria e Kulturës. Ata janë: Hajdin Abazi, Gani Elshani dhe Gjergj Dedaj.

Dhjetë Ministri me nga dy zëvendësministra

Në Ministrinë e Administrim të Pushtetit Lokal, pozitën e zëvendësministrit janë duke e mbajtur, Basri Musmurati dhe Rifat Krasnic. Kurse, në Ministrinë e Shëndetësisë, në këto poste janë të meruar Shemsi Veseli e Kadir Hyseni, derisa Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka zëvendësministra Avni Kastratin dhe turkun Cuneyd Ustaibo. E tek Ministria e Infrastrukturës, si zëvendësministra janë duke e mbajtur postin edhe Emin Krasniqi e Banush Pacolli.

Edhe Ministria e Bujqësisë ka dy zëvendësministra, që lirisht mund të thuhet se rrallëkush mund t’i njohë: Xhabir Morina dhe Jashar Çukiqi. Në Ministrinë e Mjedisit, zëvendësministra janë: Shpëtim Rudi e Ferat Shala. Pozita të tilla në Ministrinë e Administratës kanë edhe Hajredin Hyseni e Nexhmedin Kastrati. Ndërkaq, tek Ministria e Diasporës, pozitën e të dytit të institucionit e mbajnë Nuredin Lushtaku e Qerim Bajrami. E tek Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, zëvendësministra janë Fatmir Shurdhaj dhe Berat Luzha, kurse në Ministrinë e Kthimit në këtë pozitë janë Husnija Beshkoviq e Semsit Kalajdzini.

Pesë Ministri me nga një zëvendësministër

E, më “kursimtare” në këtë aspekt janë treguar pesë institucione shtetërore. Këto Ministri kanë vetëm nga një zëvendësministër të emëruar. Ministria e Punëve të Jashtme, zëvendësministër Petrit Selimi. Në Ministrinë e Integrimeve Evropiane në këtë post është Refik Shaqiri. Kurse, tek Ministria e Financave, zëvendësministër është Naim Fetahu. E në atë të Zhvillimit Ekonomik, këtë detyrë e mban Gani Koci. Derisa në Ministri të Drejtësisë ky post i është besuar Abdyl Ymerit.

Ministrat dhe zëvendësministrat ndër vite

Në vitin 2004 në Qeverinë e Kosovës kanë qenë 13 ministra dhe 26 zëvendësministra. Në vitin 2005 kanë qenë 15 ministra dhe 30 zëvendësministra .Numri i njëjtë i tyre ka qenë edhe në vitin 2006 dhe 2007. Në vitin 2008, numri i ministrave ka qenë 17, derisa i zëvendësministrave 34. Edhe në vitin 2009 ka qenë numri i njëjtë i tyre. Kurse, në vitin 2010 kanë qenë 18 ministra dhe 36 zëvendësministra. Derisa, në vitet 2011, 2012 dhe 2013 numri i ministrave ka qenë 19 dhe i zëvendësministrave 38. E, në vitin 2014 numri i ministrave është 19, plus një pa portofol dhe 39 zëvendësministra.

Marre nga, Gazeta Express 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu