‘Zgjedhjet e shpejta i konvenojnë vetëm Hashim Thaçit’

0
865

Analisti politik Halil Matoshi komenton ngutinë për të shkuar në zgjedhje të reja parlamentare. Ai thotë se se Kryeministri është më i interesuari për zgjedhje të parakohshme parlamentare për shkak të fushatës që është duke e zhvilluar.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë vendosur të ndjekin nga pas PDK’në edhe kur bëhet fjalë për zgjedhje të shpejta parlamentare.

E, në fakt, duket se vetëm PDK është e gatshme për zgjedhjet të shpejta. Në zgjedhjet e fundit lokale dolën humbëse pothuajse të gjitha partitë e më së shumti pushtet humbi AAK ndërsa LDK’së i humbi kryetari në Prishtinë. Edhe Vetëvendosje doli keq në shumicën absolute të komunave. Ndërsa PDK mezi doli e para me numrin e komunave të fituara.

Të kthehemi te zgjedhjet nacionale.

Në kohën kur Kryetari i PDK’së është në kulmin e fushatës me vendime që kanë prekur xhepin e mësimdhënësve, pensionistëve, mjekëve, policëve, zjarrfikësve, paritë tjera, e sidomos LDK, ka mbetur krejt jashtë loje. Shtoja këtu edhe arrestimet në Komunën e Prishtinës si dhe rastin “Naser Osmani”.

Sidoqoftë, analistët e shohin situatën e krijuar si ideale për PDK’në për të shkuar në zgjedhje të reja nacionale para afatit kushtetues që është shtatori i këtij viti.

Halil Matoshi konsideron se nëse vendoset të shkohet në zgjedhjet në vjeshtë atëherë fushata e nisur nga Kryeministri do të harxhohet dhe rrjedhimisht do të dëmtohej PDK’ja.

“Nëse e shikojmë nga aspekti i investimeve në fushatë para fushatës, kjo që e ka bërë z. Thaçi në dy tre muajt e fundit, atëherë, PDK është ajo që do të ngutej për zgjedhje sepse nëse zgjedhjet mbesin për vjeshtë, atëherë, kjo parafushatë e z. Thaçi i shkon poshtë”, vlerëson Matoshi.

Ashtu siç e tha Lutfi Haziri, kohët e fundit, cak të hetimeve për krim dhe korrupsion kanë qenë zyrtarët e LDK’së dhe nuk kemi parë ndonjë aksion policor ose rast gjyqësor me ndonjë zyrtar të lartë të Qeverisë. Edhe kjo situatë, normalisht, që i shkon për shtati Partisë së Hashim Thaçit.

Si duket LDK po mundohet që për tri vite sa ishte në opozitë të thotë se arritëm suksesin historik – ia shkurtuam mandatin Qeverisë për tre muaj. Kjo mund të jetë edhe e vërtetë sa edhe mundësia që në këtë situatë PDK sërish të dalë e para dhe të udhëheq Kosovën edhe në katër vitet e ardhshme.

Halil Matoshi thotë se Kosova as nuk përparon e as nuk bien më poshtë nëse zgjedhjet mbahen në vjeshtë.

“Ngutia konsiston në faktin se tërë ky investim deri në vjeshtë mund të harrohet lehtë dhe pastaj z. Thaçi do të duhej t’ia niste prej fillimit. Prandaj, ngutia po duket se vjen kryesisht nga PDK’ja. Për dy tre muaj Kosova as nuk do të avancoi shumë dhe as nuk do të kthehet prapa. Por, do të mbetet me një status quo kështu siç është”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu