Zgjedhjet në PDK-, sipas “planit të të fortëve”

0
695

(E plotësuar) Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovë (PDK), Jakup Krasniqi, është i pakënaqur me procesin e deritashëm të zgjedhjeve të brendshme në partinë më të madhe në vend. Në një prononcimin të shkurtër për “Zëri”, Jakup Krasniqi, ka thënë se ka shumë çështje që kanë të bëjnë me zgjedhjet e brendshme, e në të cilat sipas tij, duhet të përgjigjen “të fortit” e PDK-së.

“Janë disa zhvillime që duan përgjigje të duhur, edhe ajo do të ndodhë në kohën e duhur”, ka thënë ai, duke mohuar se dikush brenda partisë do ta “qesë nga loja” atë gjatë zgjedhjeve të brendshme.

Ndërkaq, i pyetur nëse paraburgimi i nënkryetarit të parë të PDK-së, Fatmir Limaj, do t’i shërben krahut të kryetarit të partisë, Hashim Thaçi, që t’i eliminojë personat e afërt me Limajn, Krasniqi ka thënë se situata në të cilën ndodhet Limaj është shumë më e rëndë se që shihet. “Fatmiri ka probleme të tjera që gjithsesi janë të vështira dhe nuk kisha dëshiruar as armikun ta shihja në një gjendje të tillë”, ka thënë ai.

Por, pavarësisht nga kjo, analistët politik thonë se paraburgimi i Limaj është duke i ndihmuar jashtëzakonisht shumë liderit të kësaj partie, Hashim Thaçi që t’ia fusë tërësisht nën kontroll partinë gjatë procesit të zgjedhjeve të brendshme që ka nisur kohë më parë.

Ata vlerësojnë se sikur të ishte i lirë ish-ministri i Transporteve, Limaj, i cili njihet si kundërshtari më i ashër i Thaçit brenda partisë, procesi i zgjedhjeve të brendshme në partinë më të madhe në vend nuk do të shkonte tërësisht sipas “skenarit” të të parit të partisë.

Publicisti Shkëlzen Gashi thotë se Limaj është paraburgosur me qëllim që krahu kundër tij në PDK t’i ketë “duart e lira” për të bërë, siç thotë ai, çfarë të duan në PDK.

“Përveç Limajt kundërshtar tjetër të brendshëm e ka edhe Jakup Krasniqin të cilin besoj që do ta eliminoi sikurse Limajn, por atë nuk mund të kapë për krime të luftës ose për korrupsion, por do ta përgatisë një skenar në mënyrë që ta përjashtojë edhe mos të ketë kundërshtar brenda partisë”, thotë Gashi.

Edhe analisti politik, Avni Zogiani, thotë se nuk është e rastësishme që Limaj është paraburgosur në kohën kur pritet të zgjidhen organet e reja të partisë.

“Po flasim për nënkryetarin e parë të partisë, i cili nuk është në gjendje me qenë në parti edhe kur të merret parasysh edhe fakti që ai ka qenë rival i Thaçit, ma merr mendja që kemi të bëjmë me një moment shumë të përshtatshëm për kryeministrin që mos të ketë asnjë fitues brenda partisë”, thotë ai.

Sipas tij, fakti që Kuvendi i PDK-së është shty për një kohë të gjatë, dhe nuk është mbajtur në mënyrë të rregullt, është tregues se ai është përshtatur sipas “plan-programit” të krahut të Thaçit.

Ndryshe nga kjo, Basri Musmurati nga PDK-ja, i cili është i ngarkuar me organizimin e zgjedhjeve të brendshme ka deklaruar për “Zëri” se deri më tash i tërë procesi ka shkuar si është më së miri.

“Procesi zgjedhor të kuvendeve (nëpër degë) ka shkuar shumë mirë, ashtu siç është paraparë me norma statusore dhe ka qenë pa probleme. Ndërkaq, nëpër seksione dhe nëndegë gati se është kryer plotësisht. Unë besoj brenda ditës së sotme (e mërkurë) dhe nesër (e enjte) të gjitha seksionet dhe nëndegët në Kosovë i zgjedhin organet e tyre. Përgjithësisht procesi ka shkuar fort mirë, bile më mirë sesa që unë e kam përgatitur dhe menduar”, ka thënë ai.

Musmurati ka bërë të ditur se të mërkurën kanë nisur zgjedhjet në degën e PDK-së në Malishevë, ku janë zgjedhur tridhjetenjë anëtar të Këshillit, të cilët në ditët në vijim do ta zgjedhin kryesinë, dhe më pas kryesia e zgjedhë kryetarin e degës.

Kuçi s’flet për Limajn e Thaçin!

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, nuk ka pranuar të komentojë të mërkurën rreth lidhshmërisë që mund t’i ketë paraburgosja e Limajt me procesin e zgjedhjeve të brendshme në parti. I pyetur nëse paraburgosja e nënkryetarit Limaj i konvenon Hashim Thaçit që t’i eliminojë përkrahësit e Limajt nga partia, Kuçi është përgjigjur shkurt duke theksuar se “nuk i komenton gjërat e tilla”.

 

Nga Jeton Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu