Zgjedhjet serbe, Adem Grabovci: U respektua Kushtetua

0
619

Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë edhe në territorin e Kosovës është bërë sipas Kushtetutës dhe standardeve evropiane. Kështu vlerësojnë në Partinë Demokratike të Kosovës, e cila ka shumicën në Kuvend.

Adem Grabovci, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, deklaroi gjatë së hënës se më 6 maj u respektua Kushtetuta e Kosovës dhe e drejta e caktuar me këtë dokument që qytetarët me dy nënshtetësi të mund të votojnë.

“Kemi lejuar një të drejtë që respektohet kudo, ata që kanë dyshtetësi janë lejuar të votojnë për presidentin dhe parlamentin, ndërsa të tjerat u janë pamundësuar. Këtu nuk ka shkelje të asnjë rezolute”, deklaroi Grabovci.

Sipas Grabovcit, po punohet që në një të ardhme Kosova të organizojë zgjedhjet për udhëheqje lokale në komunat veriore të Kosovës.

Por, në lëvizjen Vetëvendosje deklarojnë se Kushtetuta e Kosovës, një rezolutë e Kuvendit të Kosovës dhe sovraniteti i saj u shkelën me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin kosovar.

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha gjatë së hënës se Rezoluta e Kuvendit të Kosovës e datës 15 mars, përmes së cilës obligohej qeveria që të mos lejonte mbajtjen e zgjedhjeve serbe, nuk u respektua nga ekzekutivi.

“Ajo detyronte qeverinë që në rast të mbajtjes së zgjedhjeve, që të merrte masa për t’i ndaluar. Kjo nuk ka ndodhur, prandaj dhe Parlamenti duhet të kërkojë llogari nga qeveria, pasi ajo ka qenë e detyruar t’i ndalonte këto zgjedhje”, tha Konjufca.

Për më tepër, sipas Konjufcës, qeveria e Kosovës do të duhej të dorëhiqej, ndërsa angazhimi i OSBE-së në këto zgjedhje, sipas tij, nuk kishte bazë legale.

Deklaratat e dy zyrtarëve, atij të PDK-së dhe Vetëvendosjes, u bënë pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit ku u vendos që seanca e ardhshme e legjislativit të mbahet më 10 maj.

Me kërkesë të disa deputetëve në interpelancë pritet të paraqitet zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, që udhëheq bisedimet Kosovë – Serbi, ku do të raportojë lidhur me fatin e të zhdukurve në raport me këto bisedime në Bruksel. /TCH/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu