Zgjerohet “Bllaca”

0
795

EULEX arrestoi dhe paraburgosi katër persona në lidhje me rastin “Bllaca”. Shpresim Uka, Shaban Syla, Driton Hajdari e Sadik Abazi dyshohen se kanë kryer krime të rënda para më shumë se një dekade. Paralelisht me arrestimet, procesi gjyqësor po vazhdon.

Herët në mëngjesin e së martës, Policia e EULEX’it ka arrestuar edhe katër persona të tjerë lidhur me rastin “Bllaca”.

Shpresim Uka, Shaban Syla, Driton Hajdari dhe Sadik Abazi janë personat e arrestuar, të cilët dyshohen për vepra të rënda penale.

Ata dyshohen se më shumë se dhjetë vjet më parë, kanë kryer një vrasje dhe një tentim vrasje të rëndë.

Arrestimi i këtyre personave është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i EULEX’it, Nicholas Hawton, por pa dhënë shumë detaje.

Sipas tij, personat janë arrestuar në Prishtinë dhe në rrethinë, ndërkohë që prangat u janë vënë për shkak të rasteve të rënda që dyshohet e kanë ndodhur në vitet 1999 dhe 2000.

Derisa arrestimet u kryen pa ndonjë incident, gjatë pasdites të së martës, ata janë dërguar para gjyqtarit të Procedurës Paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Dëgjimi i tyre ka vazhduar për rreth tri orë, kurse operacioni, sipas zyrtarit të EULEX’it, është duke vazhduar dhe se rasti është drejtuar nga një prokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Përveç të tjerave, ata dyshohen edhe për kryerjen e veprave të tjera penale, për të cilat janë përmendur edhe në dëshminë që Nazim Bllaca e ka dhënë para hetuesve të EULEX’it.

Rasti “Bllaca” ka kohë që ka nisur, ndërkohë që deri më tash, përveç vetë Nazim Bllacës, janë marrë në pyetje edhe Fahredin Gashi, i njohur si Faruku.

Aktualisht, në lidhje me këtë rast është duke u marrë në pyetje dëshmitari i mbrojtur që mban shifrën “X”, kurse dëshmi pritet të japin edhe persona të tjerë të përmendur në CD’në e famshme të Nazim Bllacës.

Njëri prej të përmendurve në vetë deklarimin publik të Nazim Bllacës, është edhe Adem Salihaj, për të cilin ai ka thënë se kishte marrë urdhër nga ish-Shërbimi Informativ i Kosovës për ta vrarë.

Por prokurori i çështjes dhe avokatët mbrojtës kanë deklaruar se dëshmia e Salihajt nuk iu duhet dhe kanë vendosur të mos e thërrasin për t’u rrëfyer në gjykatë.

Në nëntor të vitit 2009, ishte Nazim Bllaca, i cili publikisht doli në media dhe deklaroi se ai është person që ka kryer vrasje, tentim vrasje dhe tortura dhe të gjitha i ka bërë duke zbatuar urdhra.

Ai madje ka përmendur edhe zyrtarë të lartë të ish-SHIK’ut prej të cilëve thotë se ka marrë urdhra, ku disa prej tyre aktualisht janë deputetë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike.

Aktakuza

Bazuar në urdhrin për fletarrest, të ngritur ndaj Shpresim Ukës, më 23 qershor 2011 nga gjykatësi i procedurës paraprake të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Viktor Hugo Pardal, që është gjykatës penal i EULEX-it, në nivel të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Uka, i lindur në Beograd, akuzohet për pjesëmarrje në një vrasje të rëndë. Sipas aktakuzës, në gusht 1999 në Prishtinë, në bashkëpunim me Faruk Gashin, Bekim Sylën, Sadik Abazin dhe Nazim Bllacën, Shpresim Uka ka dhënë ndihmë në vrasjen e Ibush Kllokoqit i cili është qëlluar për vdekje nga Nazim Bllaca, derisa Shpresim Uka ka vepruar si vozitës për ikje, Sadik Abazi ka folur me viktimën dhe të tjerët i kanë mbështetur veprimet dhe praninë e tyre. Sa i përket tentim vrasjeve, në aktakuzë shkruan se më 3 nëntor 1999, në Prishtinë (Bregu i Diellit), Shpresim Uka ka marrë pjesë në tentim vrasjen e Ismet Arifit në bashkëpunim me Nazim Bllacën, Sadik Abazin dhe Driton Hajdarin. Më 3 nëntor 1999, Sadik Abazi, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe Bekim Syla, kanë marrë pjesë në tentim vrasjen e Ismet Arifit duke shtënë disa herë mbi të në ndërtesën ku ai ka jetuar me të birin dhe gruan, megjithatë, plumbat nuk e kanë goditur viktimën. Përvec këtyre, sipas aktakuzës, me 20 korrik 2000 në Ferizaj, Shpresim Uka ka marrë pjesë në tentim vrasjen e Adem Salihajt në bashkëpunim me Driton Hajdarin, Sadik Abazin, Nazim Bllacën dhe Shaban Sylën në udhëzimet e Ekrem Jasharit dhe Azem Sylës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu