Zogu, Hoxha dhe 100-vjetori i Pavarësisë

0
652

Historiani i njohur, Xhelal Gjeçovi, në një analizë ekskluzive për ‘Shekullin’ komenton dy figurat më të diskutuara historike, atë të Ahmet Zogut dhe Enver Hoxhës. Në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë, Gjëçovi përmes një vështrimi prej historiani, sjell në vëmendje të lexuesve momentet më pikante të historisë moderne të Shqipërisë, faktorët shoqërorë që ndikuan mbi mbretërinë dhe diktaturën e proletariatit si dhe faktet historike që fatmirësisht janë të zbardhura dhe të dokumentuara. Sa i përket ndërtimit të varrezave të Familjes Mbretërore, profesor Gjeçovi shprehet se taksapaguesit shqiptarë nuk kanë asnjë detyrim për të financuar ndërtimin e tyre, ndërkohë që sipas Gjeçovit, Enver Hoxha duhet të ketë një monument në vendlindjen e tij sikurse qeveria Berisha ia ka ngritur Ahmet Zogut në Burrel. E gjitha kjo, për të treguar një paanshmëri në vlerësimin e dy personazheve që udhëhoqën vendin në momente të rëndësishme. Në rubrikën ‘Extra’, gazeta sjell komentin e plotë të historianit:

Pa hyrë në problemet e brendshme të regjimit që ndërtoi Ahmet Zogu, në plagët e rënda që krijoi qeverisja e tij, do të mjaftonte një shikim i qetë, pa pasione e pa paragjykime, i dy-tre momenteve që lidhen me raportet e jashtme, me marrëdhëniet që mbreti ndërtoi me fqinjët, me Jugosllavinë e Pashiçit në fillim e më pas dhe me Italinë Fashiste të Musolinit, të cilat i sollën dëme të pariparueshme vendit, për të arritur në përfundimin, pra dhe për të sugjeruar që me këtë figurë duhet bërë kujdes. Së pari, rikthimi në pushtet me ndihmën e Beogradit, që angazhoi para, armë dhe forca ushtarake të verbra, serbe e ruso- bjellogardiste, të shpartalluara nga Ushtria e Kuqe dhe të strehuara në Jugosllavi, i kushtoi shtrenjtë, shumë shtrenjtë vendit: shkeljen e pavarësisë e të integritetit si vend sovran, invadimin me forca mercenare të mbledhur anë e kënd; vrasje, masakra çnjerëzore, djegie, shkatërrim e rrënim total të gjithçkaje, ngado që kaluan këto hordhi; e sikur të mos mjaftonin këto, dhënia Jugosllavisë e Shën Naumit dhe një pjese të Vermoshit, të njohura si toka shqiptare dhe nga Konferenca e Ambasadorëve, më 1913, si shpërblim për këtë aventurë, që bëri të mundur kthimin e mbretit në pushtet, ishte padyshim një veprim i dënueshëm, i pajustifikueshëm, në asnjë kohë e në asnjë rrethanë. Së dyti, lëshimet e favoret që iu njohën më pas fqinjit tjetër përtej detit, Italisë fashiste, në vitet 1926 dhe 1927, në dëm të sovranitetit të vendit, vetëm për të siguruar shtyrjen e afatit të borxheve marramendëse dhe marrjen e borxheve të tjera, për të mbushur arkën e boshatisur të shtetit, për të mbuluar korrupsionin dhe shpenzimet për jetën luksoze të oborrit. Koncesionet që iu njohën në këtë rast, me këto pakte, ajo i shfrytëzoi për të korruptuar zyrtarë të lartë të shtetit e të ushtrisë, për të rritur ndikimin në jetën shoqërore, politike e kulturore dhe për të përgatitur kushtet për pushtimin e vendit. Dhe së fundi largimi i padenjë pikërisht ditën e agresionit fashist, duke e lënë vendin pa drejtim, pa organizim e pa mbrojtje; janë akte të rënda, janë veprime e qëndrime që flasin vetë, që nuk kanë nevojë për komente; një vepër e rëndë, tepër e rëndë, që nuk mund të hiqet e nuk mund të shlyhet lehtë nga historia, nga memoria historike e shqiptarëve. Megjithatë, gjykimi mbi këtë figurë komplekse nuk mendoj se duhet të ndalet këtu. Kjo do të ishte një pozitë e njëanshme dhe e padrejtë, pasi dhe përkundrejt këtyre fakteve, të cilat nuk mund të mohohen, mendoj se ndër figurat që kanë kontribute në çështjen e pavarësisë, renditet dhe ish-mbreti Zog, ashtu sikurse dhe ish-udhëheqësi komunist Enver Hoxha, qoftë dhe për faktin se ata, së bashku, e kanë qeverisur këtë vend për gati dy të tretat e gjithë kohës së pavarësisë. Konkretisht, Ahmet Zogu për gati dy dekada, kurse Enver Hoxha për gati gjysmë shekulli. Në rrethana të tilla, mendoj se është rasti që atyre  t`u njihen kontributet në këtë çështje, në çështjen e pavarësisë, sigurisht aq sa kanë qenë ato. Nuk ka dyshim se, si ish-mbreti Zog, ashtu dhe ish-udhëheqësi komunist Enver Hoxha, janë dy figura të mëdha, dy shtetarë  të mëdhenj për kushtet e vendit. Ata kanë kontribute, kanë vlera e shërbime, që nuk mund t`u mohohen, ashtu siç kanë dhe probleme; madje, në disa aspekte e në disa drejtime, të rënda e shumë të rënda. Po kush nuk ka pasur e nuk ka gjëra të tilla, kur qëndron gjatë në pushtet? Prandaj bota e qytetëruar  priret drejt rotacionit, ilaç që shëron e parandalon sëmundjet që sjell qëndrimi gjatë në pushtet. Sigurisht ata, që të dy ishin diktatorë, që e qeverisën këtë vend, siç qeveriset në diktaturë, me ligje të rrepta e me dënime të ashpra, me ndalim të çdo mendimi, organizimi  e veprimi, që mund të rrezikonte pushtetin e tyre. Të dy i likuiduan pa mëshirë kundërshtarët politikë; secili me mënyrat e me metodat karakteristike për kohën e tij. Por, kur theksoj meritat në çështjen e pavarësisë, për ish-mbretin kam parasysh hapat e rëndësishëm që u bënë në kohën e tij, në ndërtimin dhe kompletimin e institucioneve të shtetit dhe të një legjislacioni me frymë perëndimore  (pavarësisht se funksionimi e  zbatimi në praktikë la shumë për të dëshiruar, për shkak të korrupsionit të pushtetarëve e të injorancës së tyre), në vendosjen e autoritetit të pushtetit qendror dhe të ligjit, në të gjithë territorin e vendit, duke u dhënë fund përçarjeve, tendencave partikulariste të sundimtarëve të vegjël injorantë, çifligarë e  bajraktarë, që kërkonin të qeverisnin feudet e tyre, pronat dhe çifligjet e tyre, sipas rregullave që i vendosnin vetë, pa pyetur për ligjin, për pushtetin qendror dhe për detyrimet ndaj tij. Natyrisht këto hapa çuan në forcimin e në konsolidimin e pavarësisë shqiptare, krijuan premisat për realizimin e saj dhe kjo meritë atij i duhet njohur. Por, ai nuk është themelues i shtetit shqiptar,  siç përpiqet ta paraqesë propaganda qeveritare; nuk e bëri ai shtetin shqiptar, siç shprehet kryeministri këto ditë.

Lufta partizane solli pavarësinë e plotë

Shteti shqiptar lindi me 1912 dhe themelues janë  Ismail Qemali dhe bashkëpunëtorët e tij. Ata ngritën institucionet e para të shtetit shqiptar. Zogu natyrisht vuri një gur në themelet e tij. Agresioni fashist ishte një provë për shtetin dhe institucionet që ndërtoi Zogu. Shkrirja e tyre, rrënimi i shtetit brenda disa orëve, tregonin se ato ishin ende të brishta, të pakonsoliduara si duhet. Në rrethanat e krijuara, pushtimi i vendit do të bënte diferencën dhe në aspekte të tjera, me ata që do të vinin fill pas tij, me ata që do mbushnin zbrazëtinë e krijuar me largimin e mbretit e të qeverisë së tij. Ndryshe nga Zogu, që iu shmang rrezikut duke u larguar nga vendi, Enver Hoxha mori përsipër rrezikun dhe u përball me të. Ai udhëhoqi një luftë fitimtare patriotike nacionalçlirimtare kundër dy fuqive më të mëdha agresore të kohës: Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste. Në përfundim të kësaj lufte, vendi për herë të parë në histori do të njihte një pavarësi reale, me sovranitet të plotë e me kufij të paprekshëm, të pacenueshëm, të garantuar, por dhe një ndryshim e një përparim të madh, sidomos në disa fusha të rëndësishme, si arsimi, kultura, shkenca, shëndetësia etj., për rrjedhojë dhe një zgjim e një emancipim të përgjithshëm si popull e si komb. Natyrisht, në veprimtarinë e tij rëndojnë probleme të mprehta, siç janë shoqërizimet ekstreme, që çuan në shpronësimin e pronarëve të ligjshëm, në likuidimin total të pronës private, izolimin gradual të vendit e sidomos lufta e klasave, me goditjet e paprera, majtas e djathtas, që ua rëndoi jetën shtresave të tëra në vend, të atyre që sot quhen të persekutuarit politikë të regjimit komunist.

 

Vlerësimi i pabarabartë

Në një moment të tillë historik, siç është njëqindvjetori i pavarësisë, lënia e tyre mënjanë, apo akoma më keq, vlerësimi i njërit dhe denigrimi i tjetrit, nuk do të ishte një qëndrim i drejtë. Për rrjedhojë, nuk besoj se do të mirëpritej në opinionin publik, i cili është mjaft i ndjeshëm ndaj trajtimit e ndaj vlerësimit që u bëhet figurave historike në përgjithësi, e veçmas dy figurave të mësipërme. Mendoj se do të ishte në dobi të qetësimit e të forcimit të situatës politike në vend, përgjithësisht të unitetit e të bashkëjetesës së qytetarëve të këtij vendi, që të kapërcehej ky ngërç (nëse mund të shprehemi kështu) dhe dy figurave të mësipërme t`u njiheshin kontributet që kanë, të paktën në çështjen e pavarësisë, sigurisht në masën e duhur, pa tam-tamet që ne shqiptarët jemi mësuar t`i përdorim me vend e pa vend. Në këtë rast, klasa politike, sidomos ajo që drejton vendin, do të fitonte pikë, do të tregonte se është vërtet realiste, e mençur, e emancipuar dhe e vendosur të shikojë përpara, sigurisht pa harruar dhe të kaluarën, por jo duke mbajtur kokën prapa, jo duke u gozhduar pas saj.

 

Bust edhe për Enverin

Për  të qenë korrekt me historinë, për ish-mbretin do të ishte e mjaftueshme shtatorja e ngritur në qytetin e Burrelit, vendlindjen e tij, dhe heqja dorë nga ndërtimi i mauzoleut për Nënën Mbretëreshë, që mund të jetë një dëshirë e një preokupim i ligjshëm i familjes mbretërore, pra çështje private e saj,të cilën ajo mund ta realizojë me shpenzimet e veta. Shoqëria dhe shteti nuk kanë asnjë obligim në këtë çështje. Aq më shumë kur kemi parasysh, që ish-mbreti, para se të ikte, mbushi arkat me arin që ndodhej në Bankën e Shtetit Shqiptar ,pasuri e shqiptarëve dhe jo e tija.

Ndërkohë për Enver Hoxhën mendoj se pushteti lokal në Gjirokastër duhet të bëjë atë që bëri Burreli për Ahmet Zogun. Nuk është e drejtë që njëri të ngrihet ne piedestal dhe tjetri të denigrohet e të mohohet totalisht. Po të bëhet referendum, a e mendon njeri rezultatin? Zgjidhjet adekuate, në këtë rast, sigurisht në përshtatje me kohët që jetojmë, gjenden kur ekziston vullneti. Gjirokastritët më çudisin me qëndrimin e tyre. Është koha për t`u zgjuar. Kjo nuk do të thotë të ushqejmë e të nxisim nostalgjitë për një sistem, nga i cili nuk vuajti pak ky vend dhe as për të ndërmarrë veprime jo demokratike. As njërën dhe as tjetrën nuk e dëshiron e nuk e mbështet njeri, pasi nuk sjellin asnjë dobi. Por kjo nuk na e heq të drejtën për të kërkuar respekt e vlerësim për historinë e për figurat historike të së kaluarës, për atë që bënë, aq sa bënë në dobi të vendit e të pavarësisë .Unë kam çmuar iniciativën e matjanëve kur ngritën shtatore për ish-mbretin Zog dhe e vendosën në qendër të qytetit të tyre. Nuk e dinin ata vallë se, krahas meritave, ish-mbeti kishte edhe jo pak probleme? Por , pavarësisht tyre, sidomos në një përvjetor si ky, është rasti që ata të respektohen e pse jo dhe të nderohen për aq sa bënë, kurse të tjerat janë objekt i punës së historianëve e jo i opinionit publik, e aq më pak i opinionit politik.

koment

Xhelal Gjeçovi

Kriteret e një gjykimi të drejtë

Këtë vit, si asnjëherë tjetër, është diskutuar gjatë për ish-mbretin Zog dhe shkak për të u bë trajtimi që qeveria dhe propaganda qeveritare nisën t`i bënin kësaj figure, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë; prirja për ta vënë atë në një rang me Ismail Qemalin, madje dhe mbi, të për t`i dhënë kështu një vend, një dimension e një rol që s`e ka pasur, s`e ka luajtur përgjithësisht në histori, e aq më pak në çështjen e pavarësisë. Në trajtimin e kësaj figure mendoj se duhen mbajtur parasysh tri gjëra, pa të cilat nuk mund të arrihet në një gjykim objektiv. Së pari, ish-mbreti nuk mund të gjykohet sot me mendësitë e vjetra të regjimit të kaluar, që çuan në mohimin total, për vite të tëra, të kësaj figure kombëtare; së dyti, ai nuk mund të gjykohet as me shijet e me interesat meskine të pushtetarëve të sotëm, që duan ta përdorin figurën dhe influencën e tij, aq sa e ka, për qëllime politike. Së fundi, ai nuk mund të trajtohet as nën ndikimin e efekteve negative, që shkaktojnë në këtë rast veprimet e pamatura të qeverisë. Mënyra të tilla inatçore shikimi nuk i vlejnë askujt. Figurat historike duhen parë me gjakftohtësi, me objektivitet, pa paragjykime; veprimtaria e tyre duhet gjykuar në raport me kohën kur kanë jetuar, kur kanë vepruar, me ato problemë që ka pasur vendi, me qëndrimin ndaj tyre, me përpjekjet e bëra për zgjidhjen e tyre, me progresin e me ndryshimin që ata kanë sjellë, të cilat në analizë të fundit reduktohen në një çështje, në një pyetje konkrete: si e mori vendin kur erdhi në pushtet dhe s`i e la atë kur iku nga pushteti? Sot, me të drejtë, për ish-mbretin ka një vlerësim e një qëndrim tjetër, objektiv, i pasqyruar në punime e në botime të shumta të autorëve tanë dhe të huaj. Në to, ish-mbretit i njihen meritat që ka, madje dhe në çështjen e pavarësisë, merita të cilat sigurisht nuk mund t`i mohohen. Por është e gabuar, e sigurisht, dhe e dëmshme, prirja për ta vendosur ish-mbretin në piedestal, për t`i dhënë një dimension që nuk e ka pasur përgjithësisht në histori, e sigurisht as në çështjen e pavarësisë; duke e vënë në një rang me Ismail Qemalin apo dhe mbi të. Ekstremet gjithnjë puqen, në kuptimin që ato nuk i bëjnë mirë historisë, por as vetë figurave historike. Akoma më e dëmshme bëhet një prirje e tillë, kur shikon që ajo vjen nga politika, nga politika e një vendi që mbahet si demokratik, pasi praktika të tilla janë karakteristike për regjimet totalitare që i imponohen historisë, me qëllim që ta përdorin për qëllime politike. Në këtë rast, nuk mbahet parasysh se ne jemi një vend i vogël, me një popull që e njeh dhe e çmon historinë, për rrjedhojë orvatje e ndërhyrje të tilla zor se kalojnë lehtë, zor se pranohen e mirëpriten në opinionin publik.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu