Zvicër-Shqipëri: Mehmedi: S’e këndoj asnjërin himn

0
655

Më 11 shtator, Zvicra do ta pres Shqipërinë në ndeshjen eliminatore për Kampionatin botëror të vitit 2014 që mbahet në Brazil.

Pak javë para kësaj sfide që pritet me interesim të madh nga opinioni shqiptarë e zviceran dhe më gjerë kemi kontaktuar njërin nga pesë lojtarët shqiptar që mbron ngjyrat e helvetikëve.

Është ky Admir Mehmedi, futbollisti i Dinamo Kievit.

Ai në një bisedë ekskluzive për “Lajm” flet për emocionet që e presin në përballjen me kuqezinjtë.

Edhe ky sikurse bashkëlojtarët e tij Shaqiri, Behrami, Xhemaili, Xhaka, është vënë në siklet se si të sillen para se të dalin në mejdan kundër shqiptarëve.

“Është shumë normale të kesh emocione para ndeshjes me Shqipërinë. Për mua do të jetë një ndeshje speciale, sepse unë jam shqiptar dhe me prindër shqiptarë, por jam  futbollistë profesionist dhe në fushën e lojës duhet të sillem si i tillë. Të them të vërtetën kam dëshirë të shënoj gol në atë takim”, deklaroi Mehmedi.

Ai thotë se e kupton mllefin e tifozëve shqiptarë, por se nuk do të hidhërohet edhe nëse fyhet nga ata.

“I kuptoj tifozët shqiptar. E di se do të jenë të dëshpëruar që nuk luajmë për Shqipërinë, por për Zvicrën. Edhe nëse na vërshëllejnë nuk do të hidhërohem aspak”, theksoi ai.

Mehmedi e vlerëson lartë Shqipërinë, për të cilën thotë se aspak s’do të jetë lehtë.

“Shqipëria është e fortë dhe nuk do ta kemi lehtë të fitojmë tre pikët. Në Ukrainë kam pasur rastin të takohem me Jonuzin e Dallkun, dy lojtarët e Shqipërisë me të cilët kemi folur lidhur me këtë ndeshje, e cila siç thash pritet me interesim nga zviceranët dhe shqiptarët”, tregon Mehmedi.

Ky i fundit ka thënë se nuk do ta këndojë asnjërin himn.

“Para ndeshjes kur do të interpretohen himnet e të dyja vendeve unë kam vendosur të mos e këndoj asnjërin himn, pra do të hesht”, ishte i prerë në përgjigjen e tij sulmuesi shqiptar nga Maqedonia.

Ndeshja kualifikuese e 11 shtatorit mes Zvicrës dhe Shqipërisë do të luhet në Luzern, në stadiumin “Swissporarena”.

Zvicra e Shqipëria i takojnë Grupin E, ku bëjnë pjesë edhe Norvegjia, Sllovenia, Qipro dhe Islanda.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu