Zvicera kërkon testimin e të kthyerve nga Kosova për COVID-19

0
360

Sezoni festiv po u shkakton autoriteteve zvicerane shumë telashe tash e disa javë. Kjo për faktin se shumë persona kanë festuar bashkë me familjet e tyre dhe gjasat për t’u rritur numri i të infektuarve janë shumë të mëdha. Dëmet, siç shkruan mediumi zviceran NAU, do të shihen ditëve në vijim.

Ndonëse masat anti-COVID në Zvicër ishin të rrepta, duke mos lejuar mbledhjen e më shumë se 10 personave në një vend, shteti po përballet me probleme shkaku i emigrantëve, në veçanti të atyre nga Kosova, transmeton “Zeri.info”.

Mediumi zviceran NAU shkruan se diaspora e madhe kosovare ka udhëtuar në vendlindje në numër të madh dhe kjo, siç shkruan ky medium, është vënë re nga fluturimet e shumta nga dhe në aeroportin e Prishtinës.

Vetëm më 2 janar pothuajse 50 aeroplanë u nisën nga kryeqyteti kosovar për në aeroportin e Bazelit, ndërsa më 3 janar ishin edhe 25 të tjerë. Ditëve të fundit edhe disa dhjetëra aeroplanë nga Prishtina kanë ateruar në pistën e aeroportit të Cyrihut.

Megjithatë, NAU shkruan se kjo nuk paraqet ndonjë problem, pasi Kosova nuk është në listën e karantinës që nga fundi i shtatorit. Mijëra të kthyerit nga Prishtina do të lejohen të kthehen në vendet e tyre të punës dhe t’i takojnë miqtë e tyre që nga sot:zeri.

Por është pikërisht kjo që po i shqetëson disa njerëz.

Këshilltarja nacionale Sandra Sollberger, e cila është pjesë e komitetit drejtues të partisë SVP (Partia Popullore e Zvicrës), ka bërë thirrje për teste të shpejta për të kthyerit.

“Njerëzit kthehen nga festimet e tyre familjare nga një vend që ka nivele të larta të infektimeve me koronavirus”, tha ajo, ndërsa shtoi se qeveria federale po ndërmerr “një rrezik jashtëzakonisht të madh”.

Por një gjë është e sigurt: numri i të infektuarve me koronavirus është më i ulët në Kosovë sesa në Zvicër. Sipas të dhënave të mbledhura më 28 dhjetor, në Kosovë kishte 235 të infektuar për 100.000 banorë në 14 ditë. Kjo shifër në Zvicër ishte rreth tri herë më e lartë.

Megjithatë, NAU thotë se është e paqartë se sa të besueshme janë këto shifra. “Një problem i madh me pandeminë në Kosovë është njerëzit po e fshehin sëmundjen”, tha për “Deutsche Welle” mjeku Ilir Arifi, nga Bavaria.

Infeksioni shoqërohet me një ndjenjë turpi. Ekziston frika se familja e të infektuarit mund të stigmatizohet ose edhe dikush ta humbasë vendin e punës.

Sido që të jetë, kërkesa e SVP-së për teste të shpejta (rapide) në këtë rast mund të jetë e vonuar. Nëse diçka ka lëvizur në këtë drejtim do të shihet të mërkurën.

Këshilli Federal do të mblidhet për takimin e parë zyrtar të këtij viti. Megjithatë, fokusi me gjasë do të jetë në masat shtesë të brendshme, por edhe për mungesën e furnizimit me vaksinë. /Zëri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu