Zyrtari i PDK-së ndërton bazën e AKI-së

0
675

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kur lidhin një kontratë sekrete, bëjnë marrëveshje me njërën nga kompanitë që gjenden në “listën e bardhë”, ku hyjnë ndërmarrjet e përgjegjshme që kontraktohen vazhdimisht nga administrata amerikane. Kosova nuk e ka një listë të tillë të kompanive, sikurse nuk ka as ligj për prokurime speciale.

Në kundërshtim me modelin amerikan, Qeveria e Kosovës ia ka besuar ndërtimin e bazës së Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) një kompanie private, për të cilën edhe vetë kreu i AKI-së e pranon se nuk ka shumë kontrata me institucionet shtetërore.

Kompania “Ing Engineering”, nga Suhareka, në gusht të vitit të kaluar ka lidhur me Ministrinë e Administratës Publike një kontratë 5 milionë euroshe për ndërtimin e bazës së Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Për, këtë nuk ka pasur një procedurë të hapur të prokurimit publik, por është përdorur procedura e negociuar.

Bashkim Smakaj, drejtor i AKI-së, e arsyeton këtë me ruajtjen e sekretit shtetëror. “AKI i ka kërkuar Qeverisë që të përjashtojë Ligjin e Prokurimit, në këtë kontratë publike. Kërkesa është miratuar. Ministria e Administratës Publike, përkatësisht Departamenti i Inxhinieringut, në gusht të vitit të kaluar, ka nisur procedurat për ndërtimin e bazës së AKI-t”, ka thënë Smakaj.

Ministria e Administratës Publike, sipas tij, ua ka dërguar ftesat pesë kompanive nga të cilat është përzgjedhur “Ing Engineering” nga Suhareka.

“Kompanisë i është bërë verifikimi dhe ka dalë në rregull”, ka deklaruar Smakaj.

Kreu i AKI-së e pranon se kompania nga Suhareka ka pasur më së paku kontrata me institucione shtetërore nga katër kompanitë e tjera që janë ftuar të ofertojnë. Por, sipas tij, përzgjedhja e kontraktorëve të vazhdueshëm të Qeverisë ka mundur të kishte konotacione se ato po favorizoheshin nga shteti.

Gjatë verifikimit, sipas tij, ka dalë që kompania nga Suhareka ka kryer me përgjegjësi punët që i ka kontraktuar ne sektorin privat.

AKI s’e vërejti afërsinë e “Ing Engineering” me PDK-në

Hazir Hajdari, i cili e mban pozitën e zëvendësdrejtorit gjeneral të “Ing Engineering”, në vitin 2007 ka qenë kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), që udhëhiqet nga kryeministri i vendit Hashim Thaçi.

Hajdari, aktualisht është këshilltar komunal në Suharekë, po nga radhët e partisë së kryeministrit Thaçi. Ai kur është kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë nuk ka dashur të flasë për kontratën “sekrete” me Qeverinë e Kosovës, me arsyetimin se vëllai i tij, Rexhepi, i di më mirë punët që lidhen me tenderë.

Rexhep Hajdari figuron zyrtarisht si pronar i vetëm i kompanisë në regjistrat e Ministrisë për Tregti e Industri. Ai nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e gazetës se a ka ndikuar pozita në PDK e vëllait të tij, për të përfituar nga Qeveria Thaçi.

E, kreu i inteligjencës kosovare ka thënë se ky detaj nuk është vërejtur kur është bërë verifikimi i kontraktorit. “Tash e mora vesh këtë. Nuk e kemi pasur këtë informatë më parë. Por, mendoj që nuk është mirë të diskualifikohen njerëzit vetëm pse kanë votuar për një parti, ose që janë me një parti”, ka deklaruar Smakaj.

MAP-i nuk jep arsyetim për përzgjedhjen e kontraktorit besnik

Zyra e Prokurimit e Ministrisë së Administratës Publike (MAP) nuk ka dhënë një përgjigje se çfarë kriteresh janë marrë për bazë për të klasifikuar si të besueshme kompaninë “Ing Engineering”. Arton Berisha, drejtor i prokurimit, ka zbuluar vetëm shumën e kontratës që, sipas tij, kap vlerën e 5 milionë eurove.

E për sa i përket kritereve, sipas MAP-it, ato i di vetëm Agjencia Kosovare e Inteligjencës.

“Në këtë rast ne kemi vepruar sipas kërkesës AKI-së, dhe sipas dispozitave ligjore. Për kërkesë ma shumë drejtoheni AKI-së”, ka deklaruar Birsen Shufta, zëdhënëse e Ministrisë së Administratës Publike.

AKI ka nisur ndërtimin e qendrave rajonale edhe në Mitrovicë e Gjilan.

Por për ndërtimin e tyre ka aplikuar tenderë të hapur. MAP, njëjtë si kreu i AKI-së, e arsyetojnë këtë me specifikat më pak të ndjeshme të qendrave rajonale, në krahasim me bazën qendrore në Prishtinë.

“Sa i përket pyetjes se pse ka pasur tender të hapur për qendrat regjionale, përsëri ka qenë kërkesë e AKI-së që të procedohet në atë mënyrë, pasi qe edhe specifikat janë ndryshe. Për çdo informate më shumë kontaktoni AKI-në”, ka deklaruar Shufta.

Ndërkohë Mursel Rraci, drejtor në Agjencinë Qendrore të Prokurimit, ka thënë se MAP nuk ka kërkuar leje për tenderë të negociuar.

“Në këtë rast është aplikuar neni 3 i Ligji të Prokurimit Publik që përjashton aplikimin e këtij ligji”, ka thënë Rraci.

Ndërkaq ky nen i këtij ligji përjashton aplikimin e procedurave të prokurimit kur bëhet fjalë për kontrata publike, për të cilat Qeveria i vlerëson si sekrete shtetërore.

“Pavarësisht nga dispozitat e tjera të këtij ligji, autoriteti kontraktues nuk do të kërkohet që të veprojë në përputhje me ndonjë procedurë të veçantë të prokurimit, apo të respektojë dispozitat e këtij ligji mbi transparencën, gjer në shkallën kur, përputhshmëria dhe respektimi do të komprometonin sekretin e ligjshëm, ose interesat e sigurisë, gjatë kryerjes së aktiviteteve të prokurimit, të rëndësishme për dhënien e një kontrate publike, për të cilën Qeveria është pajtuar që ta përjashtojë nga fushëveprimi i këtij ligji, sepse (i) ekzekutimi i kontratës në fjalë, sipas ligjit të aplikueshëm në Kosovë, kërkon përdorimin e masave të veçanta të sigurisë, ose (ii) Qeveria është pajtuar që ta klasifikojë lëndën e kontratës në fjalë si sekret”, thuhet në nenin 3 të Ligjit të Prokurimit Publik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu